Rahoveci sot ka njohur kundërshtarin e radhës në rrethin e tretë të Kupës Evropiane në hendboll.
Minaur Baia Mare nga Rumania, është kundërshtar i radhës për kampionin e Kosovës.
Pivoti prej më të mirëve në Kosovë, Jeton Bislimi, tha se është një sukses i madh për Rahovecin që ka kaluar në rrethin e tretë.
Rahoveci e ka mposhtur bindshëm në ndeshjen e kthimit me rezultat 37:25 ekipin nga Belgjika, Sezoens Achilles Bocholt, duke e përmbysur humbjen e sfidës së parë me 32:29.
Bislimi zotohet se do të jap maksimumin për kampionin e Kosovës, që të vazhdojnë me suksese të radhës.
“E shohim si të suksesshëm kalimin në rundin tjetër pasi që ishim përgatitur për këto ndeshje me belgët dhe i shfrytëzum përparësitë tona si ekip dhe si grup që funksionojmë mirë.
Dhe, me ndihmën e publikut të cilët ishin nga e gjithë Kosova në perkrahje tonën, i falënderoj për prezencën e tyre”, tha Bislimi.
Bislimi ka folur për shortin e ditës së sotme, ku kampioni i Koosvës do të përballet me Minaur Baia Maren.
“Sfidën me rumunët e shohim jo të lehtë por besoj qe do të bëjmë përgatitjen e duher dhe të japim më të mirën tonë në këto dy takime, që të marrim rezultat të mirë”, thotë Bislimi.
Skuadra rumune në edicionin e kaluar arriti deri në gjysmëfinale të Kupës Evropiane.
Në vitin 2022 ishte në finale.
Ndeshja e parë është më 23 apo 24 nëntor në Rahovec, ndërsa e kthimit një javë më pas në Rumani.