Istogu ndaj çekeve luan në Prishtinë

Hendboll

Istogu ndaj çekeve luan në Prishtinë

Nga: K.G. Më: 1 nëntor 2024 Në ora: 23:55
Istogu

Kampionja e Kosovës, Istogu po përgatitet për ndeshjen e rrethit të tretë të Kupës Evropiane në hendboll. 

Vashat e trajnerit Faruk Shala do të luajnë në palestrën e sportit “1 Tetori” në Prishtinë.

“Të nderuar tifozë e dashamirë të shumtë të klubit tonë, tashmë jeni të njoftuar me telashet me të cilat përballet KHF Istogu. 

Dy ndeshjet e kaluara evropiane i kemi luajtur në palestrën “Karagaçi” në Pejë dhe jemi mirënjohës e falënderues për përgjegjësit e kësaj palestre dhe drejtuesit e DKRS-së në Pejë.

Skuadra është në vlugun e përgatitjeve për ndeshjet e raundit të tretë të Kupës Evropiane, që i zhvillojmë ndaj skuadrës së madhe çeke, Hazena Kyzvart.

Kemi vendosur që ndeshjen e parë me Kynzvartin ta organizojmë në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë. Ndeshja është më 10 nëntor nga ora 19:45. Të njëjtën ditë në arenën e njëjtë, Kombëtarja e Kosovës luan ndaj Holandës dhe kemi vendosur të bashkohemi në këtë festë të hendbollit, duke ofruar për tifozët tanë dhe jo vetëm, një ndeshje të denjë evropiane.

Presim përkrahjen e të gjithë juve për ta përballuar me sukses këtë sfidë jo të lehtë në kuadër të garave kontinentale. Jemi të vetëdijshëm se zhvillimi i ndeshjes në shtëpinë tonë do të kishte efekt më të madh. Por të përballur me situatë sfiduese, jemi të shtyrë për të gjetur alternativat më të përshtatshme për ne e për të gjithë ju.

Ju presim më 10 nëntor nga ora 19:45”, ka njoftuar KHF Istogu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat