Ndeshje dramatike në Ferizaj

Hendboll

Ndeshje dramatike në Ferizaj

Më: 2 nëntor 2024 Në ora: 20:42
Pamje nga ndeshja

Fundi i ndeshjes mes Ferizajt dhe Samadrexhës ishte shumë dramatik.

Dhe ishin vendaset që festuan, pas fitores 33:32.

Ndeshja i takoi xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. U zhvillua të shtunën në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.

Në mesin e pjesës së dytë, përkatësisht në minutën e 46-të, Ferizaj ishte në epërsi prej gjashtë golash, 29:23. Në minutën e 49-të rezultati ishte 30:24.

Por mysafiret nga Samadrexha nuk u dorëzuan. U afruan gradualisht në rezultat.

Në minutën e 59-të, Fetane Uzunlar e Agnesa Surdulli shënuan për të barazuar rezultatin në 32:32.

Në minutën e fundit, Sevdanur Ozkan e ndali në mënyrë të palejuar Salematou Camaran. U shkaktua penallti për skuadrën vendase. Ishte Lorena Matarova që shënoi për 33:32.

Kishte kohë të mjaftueshme për barazim të rezultatet, por lojtaret e Samadrexhës nuk i konkretizuan dy aksione rresht. Dhe kështu fitorja 33:32 i takoi Ferizajt.

Camara ishte më efikasja te Ferizaj me 10 gola. Nga pesë i shënuan Luljeta Sopjani, Elsa Kongjeli e Anja Bojaniq.

Te Samadrexha, Sevdanur Ozkan i kishte 11 gola. Nikelina Franca, Agnesa Surdulli e Fetane Uzunlar i shënuan nga pesë.

Ferizaj e shënoi fitoren e pestë rresht dhe udhëheq në tabelë me 10 pikë. Samadrexha ka dy fitore e tri humbje. Është në vendin e gjashtë me katër pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat