Dy ndeshje të xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave u zhvilluan të dielën.
Kampioni në fuqi, Istogu, ka fituar ndaj Prishtinës me rezultatin e thellë, 56:21.
Lana Paviçeviq i shënoi 15 gola për istogaset, derisa 10 i kishte Astou Ndiyae.
Angelika Luberecka ishte më efikasja te Prishtina me 8 gola. Në shtatë u ndal Eduarta Kurteshi.
Istogu tani është lider me 10 pikë, sa i ka edhe Ferizaj në vendin e dytë. Ferizaj ka një ndeshje më pak të luajtur.
Prishtina është e fundit, në pritje të pikëve të para.
Dukshëm më interesante ishte ndeshja mes Shqiponjës e Besës. Shqiponja fitoi në Gjakovë me rezultat 35:32.
Në minutën e 59-të, Besa u afrua në një gol, 33:32. Por Shqiponja shënoi për 34:32 e më pas edhe për 35:32. Alma Nivokazi e Orgesa Gola udhëheqën Shqiponjën.
Nivokazi i kishte nëntë gola e Orgesa Gola tetë. Edona Radoniqi i realizoi 13 gola për Besën e Pejës.
Shqiponja është e katërta me tetë pikë. Gjashtë pikë në vendin e pestë i ka Besa.