Komisarave i Garave i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Isak Osmani, ka marrë disa vendime për javën e kaluar sidomos për ndeshjen Ferizaj – Samadrexha (femrat).
Delegati Isuf Mahmuti dënohet me 4 ndeshje, ndërsa Granit Sahiti, trajner i Samadrexhës gjobitet me të holla dhe hidhet poshtë ankesa e Samadrexhës.
“Komisari i garave pasi shqyrtoi të gjitha raportet e ndeshjeve të zhvilluara i regjistroi me rezultat të arritur në fushë.
Komisari i garave, pas pranimit të ankesës së bërë nga KHF Samadrexha lidhur me ndeshjen Ferizaj – Samadrexha, që i takoi xhiros së gjashtë të Superligës dhe u zhvillua më 2.11.2024, si dhe pas shqyrtimit të raportit të ndeshjes nga Komisari mbi vlerësimin e gjykimit, duke u mbështetur në nenin 15.11. të Propozicioneve të garave, mori këtë vendim:
Hidhet poshtë si e pabazë ankesa e KHF Samadrexha, e datës 3.11.2024, për ndeshjen Ferizaj – Samadrexha, përkatësisht kërkesa për përsëritje të ndeshjes ose regjistrimin e ndeshjes me rezultat zyrtar në favor të KHF Samadrexha. Arsyetim: Komisari i garave pasi pranoi ankesën e KHF Samadrexha për gjykim të ndeshjes, duke u mbështetur në raportin e Komisarit mbi vlerësimin e gjykimit, konstatoi se gjykimi i ndeshjes ishte korrekt, në suaza të ndeshjes, duke mos ndikuar në rrjedhën e lojës dhe duke mbajtur linjën e njëjtë të gjykimit për të dyja skuadrat.
Prandaj ankesa e bërë nga KHF Samadrexha është e pa bazë, duke u mbështetur në Rregullat e lojës. Komisari mbi vlerësimin e gjykimit konstatoi se gjyqtarët vepruan drejtë duke respektuar Rregullat e lojës. Për ankesën e bërë për situatën e minutës 59:48, ku lojtarja me nr.5 e KHF Samadrexha, Agnesa Surdulli, ishte e fauluar, u konfirmua se ajo u faulua në mënyrë të drejtë dhe po ashtu nuk kishte pozitë të çartë shënimi, andaj kjo ndeshje regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë.
Dënohet vëzhguesi i ndeshjes, Isuf Mahmuti me 4 (katër) ndeshje mos delegim dhe 100 euro gjobë duke u mbështetur në nenin 71 të Rregullores Disiplinore .
Vëzhguesi nuk ka të drejt të ushtrimit të detyrës deri në përmbushjen e gjobës. Ankesa nuk e shtynë ekzekutimin.
Arsyetim: Komisari i garave pasi shqyrtoi raportet e ndeshjes, ankesën e KHF Samadrexha, videogjirimin e ndeshjes dhe raportin e Komisarit mbi vlerësimin e gjykimit, konstatoi se vëzhguesi i ndeshjes nuk i kreu detyrat e tij gjatë ndeshjes ku në minutën 1:05 të ndeshjes lojtarja me nr.1 e KHF Ferizaj, Teninke Kaba hyri në fushë si lojtare e tetë dhe qëndroi në fushë për shtatë sekonda. Gjithashtu në minutën 48:37 lojtarja me nr.99 e KHF Ferizaj, Salemateu Camara hyri në fushë para kohe në aksionin e tretë si lojtare e lënduar andaj Komisari i garave morri vendimin si në dispozitiv.
Dënohet trajneri i KHF Samadrexha, Granit Sahiti me nr.lic.1298 me 100 euro (njëqind euro) gjobë, duke u mbështetur në nenin 15.10 të Propozicioneve të garave", bëhet e ditur në buletinin e FHK-së.