Të dielën në mbrëmje do të jetë festë hendbolli në kryeqytetin e Kosovës.
Kampionja e Kosovës, Istogu, do të përballet me çeket Hazena Kynzvart, në kuadër të ndeshjes së parë të rrethit të tretë të Kupës së Evropës.
Vashat e Istogut janë të përgatitura deri në pikën e fundit dhe me optimizëm e presin sfidën me Hazena Kynzvart, e cila luhet në orën 19.45 në palestrën e sportit “1 Tetori” në Prishtinë.
Kryetrajneri i Istogut, Faruk Shala, kërkon përkrahjen e tifozëve, për të arritur një fitore të madhe në arenën ndërkombëtare, që do të ishte fitore e madhe për qytetin e Istogut, hendbollin tonë dhe shtetin e Kosovës.
“Na pret ndeshje e vështirë! Skuadra çeke Hazena Kynzvart, është skuadra më e fortë që vjen në Kosovë deri me tani në nivel klubesh.
Kanë përvojë të madhe në Evropë, luajnë në një ligë të fortë, ku marrin pjesë skuadrat me të mira sllovake dhe çeke, pasi kanë ligën e përbashkët dhe kanë ndeshje të forta çdo javë.
Kjo iu jep përparësi në krahasim me ne, sido që të jetë kemi pas rastin mi përcjell ndeshjet e tyre dhe kemi njohuri se si luajnë”, thotë Shala për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Shala ka një brengë para sfidës me ekipin nga Çekia. “Na brengos fakti që nuk kemi numër më të madh të lojtareve në nivel të barabartë ngase disa nga vajzat tona janë shumë të reja, kjo na vështirëson që të kemi më shumë rotacion dhe të imponojmë ritëm të lart të ndeshjes:, ka nënvizuar ai.
Përkundër shqetësimeve që ka Shala për ndeshjen e parë të rrethit të tretë të Kupës Evropiane, ai beson në fondin aktual që ka të hendbollisteve.
“Megjithatë Istogu ka shumë lojtare kualitative, andaj besojmë shumë që do të arrijmë të zhvillojmë ndeshje të madhe.
Do të jetë shumë vështirë por ne do të japim gjithçka nga vetja”, tha kryetrajneri i kampionit.
Cila është gjendja e skuadrës?
“Skuadra është në gjendje të mirë dhe shumë e motivuar, shpresojmë në përkrahjen edhe te publikut.
Kam shumë besim në hendbollistet që drejtoj, jemi përgatitur shumë që ndeshjen të bëjmë të jetë shumë e vështirë edhe për çeket, shpresoj t’ia dalim”, ka përfunduar Shala.