Istogu synon paraqitje sa më të mirë në Republikën e Çekisë, në ndeshjen e kthimit të rrethit të tretë të Kupës së Evropës në hendboll.
Kampionja e Kosovës ka pësuar humbje të thellë në Prishtinë, me rezultat 44:30 nga skuadra çeke Hazena Kynzhvart.
Hendbollistja më përvojë të madhe Dijana Ujkiq me bashkëlojtare pretendojnë një rezultat më të mirë në Cheb.
“Të dielën nga ora 17:00 në Cheb të Çekisë e luajmë ndeshjen e kthimit të raundit të 3-të të EHF European Cup.
Përballemi me skuadrën Hazena Kynzhvart, ndërsa synimi është të përmirësojmë përshtypjet nga ndeshja e parë.
Në ndeshjen e parë nuk kemi shfaqur thuajse asgjë nga potenciali ynë dhe si rrjedhojë erdhi humbja e thellë. Jemi të përkushtuar të paraqitemi më mirë në Cheb, ndonëse Hazena Kynzhvart është skuadër cilësore dhe do ta ketë përkrahjen e tifozëve.
Skuadra ka pasur një javë të mirë përgatitore dhe besojmë se do ta kalojmë momentin e vështirë nga e diela e kaluar”, ka njoftuar KHF Istogu.