Pas ndeshjeve të Kombëtares dhe zhvillimit të disa ndeshjeve të shtyra, në fundjavë zhvillohet xhiroja e rregullt në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Të shtunën është një ndeshje, ndërsa të dielën tri të tjera.
Të shtunën nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi” takohen Besa Famgas e Prishtina.
Besa vlerësohet favorite, por Prishtina shpreson në befasi.
Besa është e dyta me 12 pikë, përkatësisht me bilanc prej gjashtë fitore e dy humbje. Prishtina renditet e katërta me 10 pikë.
Ka pesë fitore e tri humbje.
Kampioni në fuqi, Rahoveci, llogarit në dy pikë të reja kur të takohet me Vushtrrinë, të dielën nga ora 18:00.
Nga ora 14:00 takohen Llapi e Kastrioti, ndërsa ndeshja Vjosa – Trepça fillon në ora 18:00.
Këtë fundjavë vazhdon gara edhe në Ligën e Parë. Në program është xhiroja e gjashtë.
Të dielën prej orës 18:00 janë dy ndeshje: Deçani – Vëllaznimi, Prizreni – Drita.
Ndeshja mes Drenicës e Istogut zhvillohet më vonë.