Ferizaj është i pamposhtur në edicionin vjeshtor të Superligës së Kosovës në hendboll (femrat).
Vashat e Ferizajt ngadhënjen në Kastriot me rezultat 33:26 ndaj KHF Terezës.
Kjo ishte fitorja e tetë rresht nga po aq ndeshje, duke e përmbyllur vjeshtën në vend të parë me 16 pikë apo me qind për qindtë të pikëve.
Hendbollistja Elsa Kongjeli shprehet e lumtur për fitoren e tetë rresht, duke treguar se ku ishte arma më e fortë e klubit ferizajase, fituese e Kupës së Kosovës.
“E kemi pritur sepse jemi angazhuar në secilën lojë të gjitha lojtaret duke dhënë më të mirën tonë edhe pse kishim pak lojtare dhe shumë pak fat me lëndime.
Thjesht ekip që luan me zemër”, - thotë Kongjeli për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Ku ishin përparësitë e ekipit tuaj gjatë gjithë vjeshtës?
"Taktika e re e trajnerit”, përgjigjet Kongjeli.
KHF Ferizaj mburret me këtë seri fantastike.
“Klubi i Hendbollit Ferizaj e përfundoi sezonin vjeshtor në mënyrë madhështore, duke regjistruar 8 fitore radhazi pa asnjë humbje.
Ky sukses e kurorëzon KHF Ferizaj si kampion vjeshtor, duke treguar përkushtim, disiplinë dhe një performancë të shkëlqyeshme gjatë gjithë sezonit”, shkruan në faqen e klubit.