Qyteti i Rahovecit me rrethinë është me vëmendje nga ndeshja e madhe e rrethit të tretë të Kupës së Evropës në hendboll.
Kampioni i Kosovës, Rahoveci, do të përballet me njërën prej skuadrave më të forta, CS Minaur Baia Mare nga Rumania.
E gjithë Kosova me mendje është nga Rahoveci për ndeshjen e nesërme, në pritje të rezultati pozitiv.
Ballafaqimi luhet nesër (19.00) në palestrën e sportit “Mizahir Isma” në Rahovec.
Hendbollisti me përvojë i Rahovecit, Jeton Bislimi, tha se kanë punuar maksimalisht dhe janë gati për sfidën e parë të rrethit tretë.
“Jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe e kemi analizuar kundërshtarin në pikat e tyre të forta.
Do të mundohem t’i ndalojmë në ato pika dhe t’i shfrytëzojmë dobësitë e tyre, për një rezultat të mirë”, thotë Bislimi për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Pivoti prej më të mirëve në vendin tonë, ka treguar edhe përparësitë ndaj rivalit rumun.
“Përparësitë tona janë që jemi një grup i mirë, funksionojmë si një familje dhe besoj që edhe terrenin vendas ta shfrytëzojmë maksimalisht. Besoj që do të jetë një numër i madh i shikuesve të cilët do të na ndihmojnë edhe neve si ekip që të marrim rezultatin që dëshirojmë”, ka përfunduar Bislimi.