Të enjten (nesër) fillon Kampionati Evropian i hendbollisteve. Evropiani mbahet deri më 15 dhjetor, ndërsa zhvillohet në Austri, Hungari dhe Zvicër.
Ky është Evropiani i parë me 24 ekipe kombëtare. Norvegjia e mbron titullin e kampionit.
Pritet garë e fortë e shumë interesante për titullin e Evropës.
Në Grupin A janë Suedia, Hungaria, Maqedonia e Veriut dhe Turqia. Grupi B përbëhet nga Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Çekia.
Prej Grupit C avancimin në raundin kryesor e kërkojnë Franca, Spanja, Polonia dhe Portugalia.
Grupin D e përbëjnë Danimarka, Zvicra, Kroacia dhe Ishujt Faroe.
Norvegjia, Austria, Sllovenia dhe Sllovakia janë në Grupin E, kurse Grupi F përbëhet nga Holanda, Gjermania, Islanda dhe Ukraina.
Dy të parët në secilin grup avancojnë në raundin kryesor.
Të enjten janë ndeshjet Hungari – Turqi (18:00) dhe Suedi – Maqedoni e Veriut (20:30) në kuadër të Grupit A.
Në Grupin C, ndeshjet e së enjtes janë: Spanjë – Portugali (18:00), Francë – Poloni (20:30). Në ditën e parë gara fillon edhe në Grupin E. Nga ora 18:00 takohen Austria e Sllovakia, ndërsa nga ora 20:30, Sllovenia e sfidon Norvegjinë.
Norvegjia është Kombëtarja më e suksesshme evropiane. Ka fituar nëntë tituj, duke përfshirë dy të fundit. Danimarka i ka tre tituj, ndërsa Franca, Hungaria dhe Mali i Zi nga një.