Me ndeshjet e së martës mbrëma ka përfunduar faza e parë e Kampionatit Evropian për hendbolliste që po mbahet në Austri, Hungari dhe Zvicër.
Pikërisht Zvicra bëri befasi të madhe në fund të raundit preliminar.
Zviceranet të martën në Basel fituan 26:22 ndaj Kroacisë dhe avancuan në raundin kryesor.
Zvicra përfundoi e dyta në Grupin D me katër pikë. Këtë grup e fitoi Danimarka me 6 pikë. Kroacia dhe Ishujt Faroe mbetën me nga një pikë dhe u eliminuan.
Fitore vendimtare të martën shënoi edhe Rumania. Rumunet e mposhtën Serbinë 27:25 dhe avancuan nga Grupi B. Në këtë grup shkëlqeu Mali i Zi që shënoi tri fitore.
Të martën Mali i Zi fitoi 28:21 ndaj Çekisë. Mali i Zi e fitoi grupin me 6 pikë, ndërsa Rumania u rendit e dyta me 4 pikë. Çekia përfundoi e treta me 2 pikë e Serbia mbeti e fundit, pa pikë.
Prej Grupit A avancuan Hungaria (6 pikë) dhe Suedia (4), kurse u eliminuan Maqedonia e Veriut (1) dhe Turqia (1).
Grupin C e fitoi Franca me 6 pikë. Avancoi edhe Polonia me katër pikë, kurse Spanja me dy pikë dhe Portugalia, pa pikë, u eliminuan.
Grupin E pa telashe e fitoi Norvegjia, me gjashtë pikë. Sllovenia avancon me katër pikë, ndërsa u eliminuan Austria (2) e Sllovakia (0).
Holanda (6) e Gjermania (4) u kualifikuan nga Grupi F. Islanda (2) dhe Ukraina (0), u eliminuan.
Në Grupin I të “Main Round” janë Franca, Hungaria, Mali i Zi, Rumania, Suedia dhe Polonia. Franca, Hungaria dhe Mali i Zi e nisin garën me nga dy pikë.
Në Grupin II të “Main Round” janë Norvegjia, Holanda, Danimarka, Zvicra, Sllovenia dhe Gjermani. Norvegjia, Holanda dhe Danimarka nisin me nga dy pikë në konto.
Dy të parët e secilit grup avancojnë në gjysmëfinale.
Ndeshjet e para në “Main Round” janë të enjten.