Një dekadë nga pranimi i FHK-së me të drejta të plota, dy nga pranimi i kushtëzuar

Hendboll

Një dekadë nga pranimi i FHK-së me të drejta të plota, dy nga pranimi i kushtëzuar

Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 17:10
Foto nga arkiva

Federata e Hendbollit e Kosovës është pioniere e shumë proceseve me rëndësi në sportin e Kosovës.

Këtë vit e festojmë dekadën e pranimit me të drejta të plota në Federatën Evropiane të Hendbollit e më pas edhe në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit.

Presidenti Eugen Saraçini ishte në krye të delegacionit të FHK-së në Kongresin e EHF-së në Dublin, ku u mor vendimi për njohje të Kosovës me të drejta të plota. Vendimi nënkuptonte prezantim të Kosovës me ekipe kombëtare e po ashtu me të gjitha simbolet e shtetit.

Është vendimi më i rëndësishëm sa i takon ndërkombëtarizimit të hendbollit kosovar, që u mor para pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Në delegacionin e FHK-së ishin edhe sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci, nënpresidenti Nebih Zariqi, kurse si mysafirë në momentin historik ishin edhe presidenti i nderit, Mexhid Devaja dhe anëtari i Bordit, Faruk Mujka.

Datë e rëndësishme është edhe 18 dhjetori 2004, kur në Budapest të Hungarisë u mor vendimi për pranim të kushtëzuar të Federatës së Hendbollit të Kosovës në Federatën Evropiane të Hendbollit. Është një vendim që hapi dyert e prezantimit të klubeve tona në kupat evropiane.

Ish-presidenti Mexhid Devaja, dhe sekretari gjeneral, tashmë i ndjeri Izet Gjinovci, ishin në delegacionin e FHK-së.

Federata e Hendbollit e Kosovës i falënderon gjitha personalitetet që kanë ndihmuar e mundësuar që të shënojmë një dekadë të pranimit të plotë e dy dekada të pranimit të kushtëzuar. Kontributi i të gjithëve është i pakrahasueshëm në zhvillimin dhe rritjen e shtëpisë sonë të përbashkët.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat