Skuadra pejane, Besa Famgas, është kampione në Ligën e Kadetëve të Kosovës në hendboll.
Besa e mbylli kampionatin me 13 fitore e një humbje. Me 26 pikë u rendit e para.
Besa Famgas zhvilloi garë të fortë me Vushtrrinë, ndërsa ndeshja vendimtare u zhvillua të enjten mbrëma në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri.
Skuadra pejane megjithatë shënoi fitore bindëse, 44:23, dhe kështu siguroi titullin e kampionit.
Amar Muqolli ishte i pandalshëm te Besa duke i shënuar plot 23 gola. Ilir Istrefaj i kishte tetë e Genc Gashi shtatë.
Te Vushtrria më efikasi ishte Muhamed Halili me 14 gola. Bleon Gela i realizoi katër.
Vushtrria përfundoi e dyta me 24 pikë. Në renditje pasojnë Kastrioti me 19 pikë, Rahoveci me 14, Llapi me 12, Trepça me 11, Prishtina me gjashtë e Vjosa.
Ndeshjet e kadetëve janë zhvilluar para ndeshjeve të ekipeve seniore të Superligës së Kosovës.
Federata e Hendbollit e Kosovës e uron klubin Besa Famgas për këtë sukses të radhës.