Klubi i hendbollit për femra WHC Çair është revoltuar me veprimin e fundit të Këshillit të Qytetit të Shkupit, për mospërfilljen e tyre në ceremoninë e djeshme, ku u ndanë çmimet për sportistët, sportistet dhe trajnerët më të suksesshëm.
Trajneri Basri Latifi për Open-TV ka deklaruar se as që kanë qenë të informuar për këtë ngjarje sportive të fundvitit. Ai tregon se kanë konkurruar deri të Qyteti i Shkupit për një projekt dhe janë refuzuar. Latifi thotë se ndjehen të diskriminuar nga Këshilli i Qytetit të Shkupit, kur kihet parasysh se janë i vetmi klub, sidomos tek femrat, që janë kualifikuar në 1/8-ën e finalës së kupës europiane në hendboll.
“As që kemi qenë të informuar nga ata. Kemi folur me disa që punojnë aty, por as ata nuk kanë pas ndonjë ide për zgjedhje.
Ne si WHC Çair dhe KFM Juventus Serava kemi aplikuar për projekte dhe jemi refuzuar, kurse për shpalljen e klubeve ose sportistëve as që na kanë informuar.
Ne jemi i vetmi klub prej Shkupi, sidomos prej klubeve të femrave që kemi kaluar në 1/8-në në Europë. Ky është diskrimin dhe asgjë tjetër”, u shpreh i revoltuar trajneri Basri Latifi.
Dje në sallën e madhe të Këshillit të Qytetit të Shkupit, zyrtarisht u ndanë çmimet për sportistët, sportistet dhe trajnerët më të suksesshëm të Qytetit të Shkupit për vitin 2024. Kjo ngjarje u organizua nga Sindikata e Sporteve të Shkupit nën patronatin e Qytetit të Shkupit, ndërsa nuk pati vend për asnjë sportist ose klub shqiptarë