Klubi i hendbollit Istogu, me kryetrajnerin Faruk Shala, festuan 20 vjetorin e themelimit.
Mbrëmë në një ceremoni festive të kampiones së Kosovës ku morën pjesë shumë figura të njohura, u nderuan me mirënjohje ndër ta edhe autori i këtij shkrimit dhe gazetës kombëtare “Bota sot”.
Me mirënjohje u nderuan edhe ata që nuk janë në mesin tonë.
KHF Istogu ka dalur me një shkrim emocinues.
“Në kuadër të 20-vjetorit të KHF Istogu, klubi ka nderuar me mirënjohje ata personalitete që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rritjen dhe zhvillimin e klubit tonë, por që fatkeqësisht nuk janë më mes nesh.
Z. Izet Gjinovci, i cili për mbi dy dekada ishte personifikim i hendbollit kosovar. I ndjeri Gjinovci kontribuoi gjithë jetën për hendbollin. Hendbolli ishte jeta e tij, dhe prej lojës sonë të bukur nuk u nda deri në frymën e fundit.
Z. Bedri Hajzeraj dha kontributin e tij për hendbollin kosovar dhe për KHF Istogu. Ai ka qenë përgjegjës i sportit në Komunën e Istogut, ish-hendbollist i KH Rakoshi dhe më vonë i KH Istogu, ku ishte edhe trajner. Ai ndihmoi në themelimin dhe zhvillimin e KHF Istogu.
Gjatë kësaj periudhe 20-vjeçare, Istogu ka humbur dy kryetarë komunash që kanë ndihmuar shumë në zhvillimin e klubit të hendbollit Istogu.
Z. Fadil Ferati ishte ai që mbështeti themelimin e KHF Istogu dhe kontribuoi në zhvillimin dhe rritjen e tij. Si kryetar i Komunës, ai ishte një shembull i përkushtuar për komunitetin, duke u përkujdesur për të gjitha sektorët e rëndësishëm të qytetit, ndër ta edhe sportin.
Z. Haki Rugova ishte një nga basketbollistët më të shquar që ka pasur Istogu. Si ish-sportist dhe mbështetës i KHF Istogu, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e klubit. Si kryetar i Komunës së Istogut, Z. Rugova ishte gjithashtu një mbështetës i përfaqësimit të vendit në garat ndërkombëtare, duke kontribuar që klubi të prezenohet në nivele më të larta.
Z.Labinot Alija, ish-sportist dhe anëtar i Asamblesë Komunale ishte shumë i zellshëm për krijimin e kushteve për sportistët në Istog. Ai punoi pa pushim për të krijuar mundësi për klubin e hendbollit Istogu.
Z. Isa Osmanaj ishte afarist i njohur i Istogut dhe një nga sponsorët e parë të klubit tonë. Ai u nda nga jeta në kohën e pandemisë, duke lënë një zbrazëti të madhe jo vetëm në familje, por edhe në komunitet”, shkruan në faqen e KHF Istogut.