Shoqata e Gjyqtarëve të Hendbollit të Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Hendbollit të Kosovës, të shtunën e ardhshme, më 1 shkurt, e organizojnë seminarin qendror për gjyqtarë dhe vëzhgues, në prag të stinorit pranveror.
Seminari mbahet në Hotel International Prishtina nga ora 9:00, ndërsa ligjërues është eksperti i njohur i EHF-së nga Kroacia, Boris Milosheviq.
Gjatë seminarit do të trajtohen tema të ndryshme, ndërsa programi është shumë i ngjeshur.
Ndër të tjera eksperti kroat do të ligjërojë për detyrat dhe përgjegjësit e vëzhguesit në ndeshje dhe punën e vëzhguesve me gjyqtarët e rinj; menaxhimin e ndeshjes dhe ndëshkimet progresive; përparësinë në lojë dhe lojën pasive; shtatëmetërshin dhe faulet në sulm; hapat në hendboll; kartonin e kuq dhe kartonin e kaltë dhe tema të tjera.
Në fund do të bëhet testimi teorik për të gjithë gjyqtarët dhe vëzhguesit.
Pjesëmarrja është e obliguar për të gjithë gjyqtarët dhe vëzhguesit.