Të shtunën fillon stinori pranveror në Superligë

Hendboll

Të shtunën fillon stinori pranveror në Superligë

Më: 31 janar 2025 Në ora: 14:24
Pamje nga një ndeshje

Me dy ndeshje që zhvillohen të shtunën, fillon stinori pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Në program është xhiroja e 15-të, ndërsa shpresohet në ndeshje interesante e me rivalitet.

Nga ora 19:30 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë takohen Trepça e Vushtrria.

Ndërkohë prej orës 20:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë është derbi i xhiros mes Besa Famgasit e Rahovecit.

Të dielën nga ora 16:00 është takimi Llapi – Prishtina, ndërsa ndeshja Vjosa – Kastrioti është shtyrë.

Stinorin pranveror nga pozita e parë e nisë Rahoveci.

“Vreshtarët” i kanë fituar të gjitha 14 ndeshjet e vjeshtës dhe mbajnë vendin e parë me 28 pikë. Nga 22 pikë në pozitat dy e tre i kanë Besa Famgas e Kastrioti.

Prishtina renditet e katërta me 16 pikë e Vushtrria e pesta me tetë pikë.

Nga tetë pikë i kanë edhe Vjosa e Llapi në pozitat gjashtë e shtatë. Trepça është e fundit, ndërsa pikët e para i kërkon në xhiron e parë të pranverës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat