Edi Kolgeci është president i ri i Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Kolgecin e presin shumë punë para vetes në mandatin e tij katërvjeçar.
I pari i federatës, një ndër priotetet kryesore e ka zhvillimin e hendbollit të Kosovës.
Në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, që do të botojnë në dy vazhdime, ka folur për shumëçka se si do të veprojë si president i federatës.
Synimi i tij është që të fuqizojë sa më shumë hendbollin dhe të kthejë në nivelet ashtu siç e meriton ky sport me traditë të madhe.
Pamje nga kuvendi i FHK-së
“Bota sot”: Z. Edi, tani jeni në krye të Federatës së Hendbollit të Kosovës, para vetes keni shumë punë, cili do të jetë prioriteti juaj në fillim të mandatit?
Edi Kolgeci: Zhvillimi dhe promovimi i hendbollit në nivel kombëtar e ndërkombëtarë është detyrë dhe obligim i federatës kështu që do të vazhdojmë me shumë seriozitet këtë punë.
Do të insistoj me këmbëngulësi në klube dhe komuna që të ngrisim vetëdijen dhe rëndësinë e investimeve në infrastrukturë, përmirësimin e kushteve për lojtarët dhe trajnerët, si dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në këtë sport.
Planifikoj të forcojë bashkëpunimin me ministrinë e sportit si dhe te arsimit gjegjësisht me institucionet arsimore për të integruar hendbollin në programet shkollore.
Shumë shpejtë shpresoj do të fillojmë me projektin “Hendbolli në Shkolla”. Është ky projekt i i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit
,Federatës së Sportit Shkollor dhe Federatë së Hendbollit e Kosovës. Projekti ka për qëllim rritjen e numrit të të rinjve që merren me hendboll dhe shtrirjen e mëtejme të hendbollit.
Në kuadër të zhvillimit dhe masivizimit të hendbollit në të gjitha qendrat e Kosovës, FHK-ja në bashkëpunim me klubet do të shikoj mundësinë e riaktivizimit të akademive të hendbollit, organizimin e turneve në minihendboll dhe organizimin e tubimeve të të rinjve ku edhe do të bëhen përzgjedhjet e talentëve siç janë:
- Kampi Veror 2025
- Zhvillimi i Ligës së fatosëve
- Implementimi i projektit të mini- hendbol.
“Bota sot”: Hendbolli po ballafaqohet me peripeci të shumta tash e sa vite! A e keni në program strategjinë kombëtare?
Edi Kolgeci: Po. Mund ta quajmë edhe strategji por në fjalimin tim edhe në kuvend e kam quajtur Program gjegjësisht një dokument strategjik.
Pra, një ndër prioritetet kryesore do të jetë hartimi dhe zbatimi i "PROGRAMIT të Zhvillimit të Hendbollit në Kosovë për periudhën 2025-2030", një dokument strategjik që do të shërbejë si bazë për përmirësimin dhe fuqizimin e hendbollit në vendin tonë.
“Bota sot”: Pse na nevojitet ky program?
Edi Kolgeci: Sepse hendbolli është një sport me traditë të gjatë dhe me rezultate të rëndësishme ndërkombëtare.
Sepse duhet të forcojmë pozitën e tij në konkurrencë me sportet e tjera në vend.
Sepse hendbolli ka nevojë për mbështetje më të madhe financiare, promovim më të gjerë dhe kushte më të mira infrastrukturore.
Sepse vetëm përmes një plani të mirëorganizuar mund të arrijmë qëllime konkrete dhe të përmirësojmë çdo aspekt të hendbollit në Kosovë.
Sepse hendbolli është sporti ynë që e duam dhe dëshirojmë përparimin e tij të vazhdueshëm.
Sepse hendbolli është një lojë e bukur, interesante dhe dinamike, ku kundërshtari tejkalohet jo vetëm me shpejtësi, kërcime dhe forcë, por mbi të gjitha me inteligjencë, aftësi dhe mençuri.
Sepse hendbolli, së bashku me dhjetëgarëshin atletik, është ndoshta sporti që zhvillon më së shumti trupin e një sportisti, por në të njëjtën kohë ndikon pozitivisht edhe në cilësitë personale si këmbëngulja, luftarakësia dhe fryma e grupit.
Sepse hendbolli në Kosove është një sport me traditë të madhe. Sepse hendbolli në Kosove është një sport me rezultate të mëdha sportive.
Sepse asnjë sport tjetër në Kosovë nuk ka rezultate në konkurrencën e meshkujve dhe femrave si hendbolli.
Sepse hendbolli është i vetmi sport në Kosovë që mund të krenohet me pjesemarrje ne kampionate botërore në konkurrencën e meshkujve dhe femrave.
“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë sportit me traditë?
Edi Kolgeci: Më lartë i përmenda disa arsye gjegjësisht argumente se çfarë i duhet. Duke u bazu në pyetjen mendoj që po ashtu duhet të ngrisim promovimin dhe ngritjen mediatike apo maredheniet me publikun.
Është evidente që nuk jemi më ndër sportet më të popullarizuara në vendin tonë, pasi është e qartë se futbolli, basketbolli, e së fundmi edhe volejbolli momentalisht janë më të popullarizuar.
Sepse për një orë hendbolli në shkollat tona ka të paktën dy orë futbolli, tre orë basketbolli dhe katër ose më shumë orë volejbolli.
Po ashtu edhe në aspektin mediatik jemi prapa futbollit, basketbollit e besa edhe volejbollit.
Në hendboll ka problem per klubet per mbledhjen e fondeve nga sponzorët dhe komunat.
Sepse ka gjithnjë e më pak shikues në ndeshjet e hendbollit.
Sepse duhet të zhvillohemi në mënyrë të planifikuar dhe hap pas hapi të përmirësojmë situatën dhe gjendjen në të gjitha segmentet e hendbollit në Kosovë.
Domethënë me ngritjen e punën në promovim dhe aspektin mediatik mund ta popullarizojmë hendbollin. Sporti i hendbollit meriton që të mbetet ndër më të mirët.
“Bota sot”: Është fakti interesant se hendbolli në vitin 2024 qëndroi mirë me rezultate me skuadrat në Kupat Evropiane, si bie fjala KH Kastrioti ka një fitore, KH Besa Famgas po ashtu një fitore, KHF Istogu kaloi një rreth, dhe me kombëtare qoftë të femrat dhe të meshkujt shihet një stabilet. A besoni se viti 2025 do të jetë edhe më i mirë?
Edi Kolgeci: Po e vërtetë. Në vitin 2025 shpresojmë edhe në fat me kombëtaret A sepse kemi kualitet i cili besoj edhe do të ngritet më shumë në të ardhmen por nuk po kemi fat në shorte duke u ndeshur me superfuqi të hendbollit.
Edhe klubet në EHF kanë pasur një performancë të kënaqshme por mendoj që në të ardhmen në këtë lloj garë të orientohemi në dy ose tre klube të cilat në bashkëpunim me klubet tjera do t’i bënim më të fuqishme dhe besoj që do.të ishin shumë më të suksesshme.
“Bota sot”: Si do të fokusoheni me gjeneratat e reja?
Edi Kolgeci: Në kuadër të Programit, zhvillimi i gjeneratave te reja është prioritet.
Do të orientohemi në:Organizimin e fushatave ndërgjegjësuese në shkolla për të rritur interesin e të rinjve për këtë sport.
Identifikimin e talenteve, që synojnë fëmijët dhe të rinjtë nga 10-18 vjeç.
Krijimin e akademive të hendbollit në bashkëpunim me shkollat dhe klubet lokale.
Organizimi i turneve dhe ligave për grupmosha të reja në nivel kombëtar dhe rajonal.
Trajnime të vazhdueshme për arsimtarët trajnerët e moshave të reja, në mënyrë që ata të ndjekin standardet ndërkombëtare.Një ka filluar qysh sot.
Besoj që nuk do të mbeten vetëm fjalë në letër por do të realizohen.
(Vijon nesër)