Rahoveci fiton kryendeshjen në Pejë, Trepça shijon fitoren e parë

Hendboll

Rahoveci fiton kryendeshjen në Pejë, Trepça shijon fitoren e parë

Më: 1 shkurt 2025 Në ora: 22:07
Pamje nga ndeshja

Të shtunën janë luajtur dy ndeshjet e para të stinorit pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Në kuadër të xhiros së 15-të, në palestrën “Karagaçi” në Pejë u zhvillua kryendeshja mes Besa Famgasit dhe Rahovecit. Me rezultat 37:30, fitore shënoi Rahoveci.

Për Rahovecin është fitorja e 15-të rresht dhe tani udhëheqë në tabelë me 30 pikë. Besa mbetet e dyta me 22 pikë.

“Vreshtarët” thuajse nga fillimi i ndeshjes mbajtën epërsi prej disa golash. Në fund dallimi ishte shtatë gola.

Egzon Gjuka i realizoi 11 gola për Rahovecin. Shtatë i kishte Antonio Vozila, kurse pesë i realizoi Jeton Bislimi.

Olsi Mulaj i kishte tetë gola për Besën. Balsha Çejoviq i shënoi gjashtë, ndërsa pesë i kishte Amar Muqolli.

Ndërkohë Trepça i ka fituar pikët e para këtë edicion.

Në “Minatori” e mposhti Vushtrrinë me rezultat 31:26. Sali Maxhera ishte më efikasi te mitrovicasit me tetë gola. Shtatë i kishte Luigj Kolaj, ndërsa nga pesë i shënuan Ermir Smaka e Ardi Halili.

14 gola për vushtrriasit i shënoi Erkan Abazxhiku. Pesë i kishte Egzon Ademi.

Trepça i ka dy pikë në pozitën e fundit. Vushtrria është e pesta me tetë pikë.

Të dielën është ndeshja Llapi – Prishtina.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat