Edi Kolgeci: Ata që nuk angazhohen dhe nuk punojnë me sinqeritet nuk do tê kanë vend në Federatën e Hendbollit

Hendboll

Edi Kolgeci: Ata që nuk angazhohen dhe nuk punojnë me sinqeritet nuk do tê kanë vend në Federatën e Hendbollit

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 2 shkurt 2025 Në ora: 14:02
Edi Kolgeci

Kryetari i ri i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edi Kolgeci, ka planin konkret për zhvillimin e hendbollit.

Kolgeci do të angazhohet maksimalisht me ekipin e tij dhe do të shkojë komunë e komunë, do të takohet me të gjithë protagonistët për të gjetur formulën më të mirë që hendbolli të rikthehet në nivelin ashtu siç i ka hije sportit me traditë.

Kryetari i ri e thotë hapur për ata që nuk angazhohen dhe nuk punojnë me sinqeritet nuk do tê kanë vend në Federatën e Hendbollit.

Image

Ky është një mesazh i qartë sepse në familjen e madhe të hendbollit ka vend vend për ata që punojnë me zemër e për të mirën dhe rritjen e nivelit e këtij sporti. 

“Bota sot”: A do fokusoheni ë shumë nga diaspora, në kërkim të talenteve? 

Image
 
Edi Kolgeci

Edi Kolgeci:  Unë mendoj që fokusi duhet të mbetet tek talentët vendor për këtë arsye edhe do të punojmë në zhvillimin e tyre. Mirëpo gjithmonë do të jenë të mirëseardhur talentët që janë rritur dhe zhvilluar në diasporë.Shpresoj që do të kemi talente dhe superlojtare edhe këtu edhe në diasporë.

“Bota sot”: Cila do të jetë risia me Edin president?

Edi Kolgeci: Nuk di a mund ta quajmë risi por së shpejti (besoj pas zgjedhjeve) do të më keni në çdo komunë në takim me kryetar, drejtor e biznese komunash ku do të jam këmbëngulës në kêrkesat për ndihmë klubeve dhe shkollave, po ashtu edhe në të gjitha institucionet të cilat e di që mund të na përkrahin.

Risi është se edhe lojtarët do ta kenë përfaqesuesin e tyre në bord, dhe aty do të mbrojnë edhe interesat e tyre por edhe të japin ide dhe sugjerime për zhvillimin e hendbollit.

Zyrja ime dhe e FHK do të është e hapur për termine dhe takime për të gjithë ata që sinqerisht dojnë të kontribuojnë e angazhohen për zhvillim të hendbollit, jo me komente dhe këshilla nëpërmjet mediave sociale por i mirëpres të kontribuojne me vepra dhe ekspertizë. 

Kemi nevojë të jemi miq të gjithë për të mirën e hendbollit dhe rinisë tonë kosovare.

Sepse nga ndjekja e “armiqve” të hendbollit dhe kërkimi i fajtorëve të përhershëm në të kaluarën e afërt dhe të largët nuk do të ketë asnjë dobi, pasi asnjë qëllim strategjik dhe programor nuk do të realizohet vetvetiu, por vetëm me një punë të organizuar dhe të bashkuar të Federatës së Hendbollit që në çdo moment do te duhet të dijë çfarë dëshiron, të dijë si ta realizojë dhe të delegon një ekip njerëzish të përgjegjshëm, ekspertë dhe punëtorë për të zgjidhur në mënyrën më efikase secilin nga problemet tona në hendboll.

Ata që nuk angazhohen dhe nuk punojnë me sinqeritet nuk do tê kanë vend në federatën e hendbollit.

“Bota sot”: Hendbolli financiarisht ka probleme sa i përket përfitimit nga ligji për sponsorizim, me ardhjen tuaj a do të kemi rritje qind për qind?   

Edi Kolgeci: Sikur të isha politikan tash para zgjedhjeve do të përgjegjesha me Po, jo 100 por 200% hahaha.

Shumë nga ato që i përmenda më lartë kane ndikim edhe në ngritjen e buxhetit. Dihet që federata mbështetet me buxhet nga ministria por edhe nga sponzorët. Po ashtu dihet se buxheti nuk është i mjaftueshëm për një zhvillim edhe më të mirë.

Ligji mbi sponzorizimin është në funksion por klubet duhet të angazhohen më shumë. Besoj që në të ardhmen e afërt do të organizojmë një konferencë apo tryezë takimi me  ministritë relevante, ATK, kontabiliste e auditorë së bashku me klubet dhe federatën që të ju japim sa më shumë "vullnet" dhe shpjegime kompanive për të ndihmuar hendbollin.

Do të punojmë që ta ngrisim buxhetin sa më shumë si dhe të gjejmë edhe mënyra tjera për financim si të federatës ashtu edhe klubeve. Ka edhe organizata tjera nga të cilat me projekte mund të aplikojme për donacione si:
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK)

KOK mund të mbështesë projektet për promovimin e hendbollit nëpër komuna, veçanërisht nëse projektet kanë fokus te fëmijët dhe të rinjtë.

“Bota sot”: Organizata dhe fondacione ndërkombëtare!

Edi Kolgeci:  Fondacionet ndërkombëtare që mbështesin sportin, mund të jenë burime të rëndësishme financimi për projektet që përfshijnë fëmijët dhe të rinjtë.

Programet e Bashkimit Evropian, si Erasmus+ Sport, mund të financojnë projekte  për sport dhe aktivitete rinore.
Agjencitë e OKB-së, si UNICEF dhe UNDP, mund të mbështesin iniciativa sportive që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe përfshirjen sociale.

Me më shumë angazhim besoj edhe në rritje të buxhetit për të gjithë.

“Bota sot”: Çfarë iu preokupon më shumë dhe që do të synoni  të ndryshoni në hendboll në mandatin tuaj? 

Edi Kolgeci: Preokupimet janë të shumta dhe besoj që shumicën i përmenda dhe ndryshimet vijnë me ndryshim të qasjes dhe angazhimit të të gjithëve.

Preokupimi, prioriteti dhe dëshira kryesore është ndërtimi i një qendre kombëtare të hendbollit, ku kombëtaret por edhe të gjithë hendbollistët do të kenë kushte optimale për përgatitje. Është e vështirë por besoj e realizueshme.

Po ashtu do të jam shumë i lumtur nëse arrijmë që të angazhohemi që t’i mbushim palestrat në muajt në vijim sepse kombëtareve tona ju duhet përkrahja maksimale për kualifikime historike.

Ta bëjmë një ndryshim duke mbushur palestrat plote.

Me një njehësim të thjeshtë: Nëse çdonjëri që ka të bëjë me hendbollin prej lojtarëve, referëve, delegatëve e deri te familjarët vijnë dhe ftojnë vetëm nga një person do ti mbushim palestrat.

Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të na bashkangjiten në të ardhmen.

“Bota sot”: Porosia juaj për komunitetin e hendbollit të Kosovës?

Edi Kolgeci: Shpesh e them nuk është patriotizëm vetëm kyqja në politikë.

Patriotë janë te gjithe ata dhe ato që me dekada e në vështirësi të shumta me investimet, ndihmën, vullnetin dhe angazhimin kanë mundësuar që femijet dhe të rinjtë tanë të merren me sport gjegjësisht me hendboll.

Investimi në sport mundëson që të kemi një rini të shëndetshme dhe të edukuar si dhe nê forcimin dhe promovimin e shtetit tonë të bukur Kosovës.

Dëshiroj dhe uroj suksese të mëtejshme për të gjithë në punën tonë të përbashkët për zhvillimin e sportit të hendbollit e falënderim i veqantë për ju z. Kemajl për përkrahjen dhe promovimin e hendbollit. Faleminderit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat