Me ndeshjen Vushtrria – Rahoveci fillon xhiroja e 16-të e Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Kjo ndeshje zhvillohet sonte nga ora 19:30 në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë.
Rahoveci ka fituar 15 ndeshjet e deritashme dhe udhëton për dy pikë të reja.
Por vendasit do të bëjnë përpjekje maksimale për të shkaktuar befasi.
Rahoveci udhëheqë në tabelë me 30 pikë, derisa Vushtrria renditet e gjashta me 8 pikë.
Tri ndeshje tjera të xhiros së 16-të janë të shtunën.
Nga ora 17:00 është takimi Trepça – Vjosa. Edhe kjo ndeshje zhvillohet në Samadrexhë, pasi palestra në Mitrovicë, ashtu si ajo në Vushtrri, shërben për procesin zgjedhor.
Trepça në xhiron e kaluar mposhti Vushtrrinë dhe synon dy pikë të tjera. Ndërkohë Vjosa shpreson për pikë që do t’i shërbenin për stabilizim në mesin e tabelës.
Trepça është e fundit me 2 pikë, kurse Vjosa e shtata me tetë.
Rivalitet të madh shpresohet të ketë në ndeshjen Prishtina – Besa Famgas, që zhvillohet të shtunën nga ora 18:00 në Pallatin e Rinisë në kryeqytet.
Besa është e dyta me 22 pikë, ndërsa Prishtina e katërta me 17 pikë.
Ndeshja mes Kastriotit dhe Llapit e mbyll xhiron. Zhvillohet të shtunën nga ora 20:00 në palestrën në Shtime.