Të shtunën janë luajtur tri ndeshje të xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Ndeshja më e barabartë u zhvillua në Shtime në mes të Kastriotit të Ferizajt dhe Llapit. Rezultati ishte i përafërt, herë në të mirë të njërës e herë të skuadrës tjetër, deri në fazë të vonshme të ndeshjes.
Në minutën e 53-të, llapjanët u afruan në 32:30. Më pas ferizajasit bënë shkëputje për fitoren 39:35. Deniz Terziqi i shënoi nëntë gola për Kastriotin, ndërsa shtatë i realizoi Alesccander Santos.
Tetë gola për Llapin i shënoii Blerton Hasani, kurse shtatë i kishte Edi Lushaku.
Kastrioti është i treti me 24 pikë nga 15 ndeshje. Llapi është i pesti me nëntë pikë.
Në kryeqytet, Besa Famgas e mposhti Prishtinën me rezultat 49:38. Balsha Çejoviq i shënoi plot 14 gola për pejanët.
Nëntë i realizoi Jon Vokshi. Edhe më efikas ishte Oltion Beshiri i Prishtinës, që i shënoi 16 gola, pesë prej tyre nga penalltia. Shtatë gola për prishtinasit i shtoi Albi Gjuka.
Besa Famgas është e dyta me 24 pikë. Prishtina mbetet e katërta me 17 pikë.
Në Samadrexhë, Trepça e priti Vjosën dhe e mposhti me rezultat bindës, 55:23. Për Trepçën është fitorja e dytë rresht. Mbetet e fundit me katër pikë, por tashmë më afër skuadrave tjera me pikë. Vjosa është e gjashta me tetë pikë.