Ka ndërruar jetë Valbona Mehmeti, zyrtarja financiare e Federatës së Hendbollit të Kosovës.
"E ndjera ishte pjesë e rëndësishme e administratës së federatës sonë për dy dekada e gjysmë, përkatësisht që nga viti 2000 e tutje.
Kontributi i saj për mbarëvajtjen e punëve në federatën tonë, e rrjedhimisht edhe në hendbollin kosovar, është i çmueshëm.
E ka karakterizuar raporti i shkëlqyer me të gjithë, komunikimi shembullor me drejtues klubesh, punëtorë të hendbollit e hendbollistë dhe përkushtimi për të shërbyer për rritjen e vazhdueshme të imazhit të Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe ruajtjen e aseteve të saj.
Për shumë vjet e ndjera Valbonë është përballur me një sëmundje të rëndë. Stafi tjetër i Federatës së Hendbollit të Kosovës i ka qëndruar vazhdimisht pranë deri në ditët e fundit të jetës.
“Me pikëllim pritëm lajmin për ndarjen nga jeta të koleges sonë të dashur, Valbona Mehmeti. Ajo ka shërbyer për Federatën tonë për periudhë të gjatë, ndërsa kontributi i saj është i tejçmuar në familjen kosovare të hendbollit. Në emër të komunitetit kosovar të hendbollit dhe sidomos të stafit të FHK-së, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Mehmeti”, shkruan në telegramin e ngushëllimit të presidentit të FHK-së, Edin Kolgeci.
Varrimi i së ndjerës bëhet sot nga ora 14:45 në varrezat e qytetit në Prishtinë.