Rahoveci i pandalshëm, fitore të rëndësishme për Trepçën e Vushtrrinë

Hendboll

Rahoveci i pandalshëm, fitore të rëndësishme për Trepçën e Vushtrrinë

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 21:15
Pamje nga një ndeshje

Rahoveci ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në hendboll.

Të dielën mbrëma në kryeqytet, Rahoveci e mposhti Prishtinën me rezultat 37:31. Rahoveci ishte vendas në ndeshjen e xhiros sës 17-të, por sfida megjithatë u zhvillua në Prishtinë për shkak se palestra në Rahovec është e zënë me numërimin e votave.

Rahoveci ka 17 fitore dhe udhëheq në tabelë me 34 pikë.

Prishtina renditet e katërta me 17 pikë.

Egzon Gjuka i shënoi 13 gola për “vreshtarët”, derisa nga pesë i shtuan Mali Luzha e Jon Muqolli.

Nga tetë gola te Prishtina i kishin Oltion Beshiri e Albi Gjuka, ndërsa gjashtë i realizoi Erion Bajramaj.

Dy ndeshjet tjera të së dielës kishin peshë në garën për mbijetesë. Trepça e shënoi fitoren e tretë rresht. E mposhti Llapin në Samadrexhë me rezultat 36:31. Arbër Neziri i shënoi 10 gola për “xehetarët”, ndërsa nëntë i kishte Ermir Smaka.

Blerton Hasani realizoi shtatë gola për llapjanët, derisa pesë i kishte Rifat Visoka.

Trepça mbetet e fundit, por tani i ka gjashtë pikë, vetëm dy më pak se Vjosa. Llapi ësht i gjashti me nëntë pikë.

Fitoren më të thellë të xhiros e shënoi Vushtrria. Në Shtime e mposhti Vjosën me rezultat 63:14.

Me fitore Vushtrria doli në vendin e pestë me 10 pikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat