Vushtrria fiton me gol të sekondave të fundit

Hendboll

Vushtrria fiton me gol të sekondave të fundit

Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 22:07
Pamje nga ndeshja

Vushtrria e ka fituar ndeshjen e parë të xhiros së 18-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Të mërkurën mbrëma në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë, Vushtrria e mposhti Prishtinën me rezultatin e ngushtë, 38:37. Madje golin e fitores vushtrriasit e shënuan gjashtë sekonda para fundit. Erkan Abazxhiku shënoi për fitoren e rëndësishme.

Fundi ishte dramatik. Minuti i fundit nisi me rezultatin 36:36.

Enis Kuleta më pas shënoi për epërsinë 37:36 të Prishtinës. Rezultatin në 37:37 e barazoi Egzon Ademi nga penalltia. Dhe më pas Abazxhiku e shënoi golin e fitores, 38:37.

Deri në minutën e 18-të, Vushtrria vazhdimisht kishte një gol epërsi e më pas Prishtina barazonte. Më pas Prishtina ishte në epërsi, që shkoi deri në pesë gola. Prishtinasit epërsinë e mbajtën vazhdimisht deri në minutën e 59-të, kur Valon Mejzini shënoi për 36:36.

Abazxhiku e Ademi i shënuan nga dhjetë gola për Vushtrrinë, ndërsa Armend Karaça e Amir Fazliu i kishin nga gjashtë.

Oltion Beshiri i kishte nëntë gola për Prishtinën. Shtatë i shënoi Enis Kuleta, ndërsa Ylli Visoka e Erion Bajramaj i realizuan nga gjashtë.

Prishtina mbetet e katërta me 17 pikë. Vushtrria është e pesta, tani me 12 pikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat