Janë zhvilluar të dielën dy ndeshjet e para të stinorit pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Në kuadër të xhiros së dhjetë, Shqiponja e mposhti Prishtinën me rezultat 30:17, ndërsa Vushtrria fitoi ndaj Terezës me rezultat 37:27.
Shqiponja e Gjakovës dhe Vushtrria ishin favorite dhe nuk lejuan befasi.
Orgesa Gola udhëhoqi Shqiponjën, duke i realizuar dhjetë gola. Me tetë gola kontribuoi Alma Nivokazi, ndërsa Larisa Ferizaj i kishte gjashtë.
Ermira Berisha i shënoi tetë gola për Prishtinën. Nga katër i realizuan Angelika Luberecka e Nurije Çekaj.
Shqiponja me fitore doli në vendin e tretë me 12 pikë.
Prishtina mbetet e fundit me një pikë.
Një pikë e ka edhe Tereza në vendin e parafundit, përkatësisht të tetë. Vushtrria me fitore doli në vendin e gjashtë me gjashtë pikë.
Sevdanur Ozkan i shënoi plot 15 gola për Vushtrrinë në fitoren ndaj Terezës. Agnesa Hysa i kishte tetë e Gentiana Basholli shtatë.
Eduarta Kurteshi i kishte tetë gola për skuadrën nga Obiliqi. Kaltrina Paci e Melike Ipçi i shënuan nga gjashtë.
Ndeshjet Istogu – Ferizaj dhe Kastrioti - Besa zhvillohen të mërkurën.