Prishtina fiton me gol të sekondës së fundit ndaj Trepçës

Hendboll

Prishtina fiton me gol të sekondës së fundit ndaj Trepçës

Më: 27 shkurt 2025 Në ora: 22:58
Pamje nga ndeshja

Te rezultati 34:34, Trepça i kishte edhe shtatë sekonda për aksionin e fundit në ndeshjen ndaj Prishtinës.

Pas “time-outit”, Trepça nisi aksionin, por topin nuk e pasoi mirë Arbër Neziri dhe atë e rrëmbeu Albi Gjuka i Prishtinës, që realizoi gol në sekondën e fundit.

Falë golit të tij Prishtina fitoi 35:34 në derbin e xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në hendboll.

Ndeshja u zhvillua të enjten mbrëma në palestrën “Minatori”.

Ndeshja ishte e barabartë dhe dramatike. Në pjesën e dytë më shumë në epërsi ishin prishtinasit, por Trepça kishte rast për fitore në fund. Megjithatë “xehetarët” nuk shfrytëzuan aksionin e fundit dhe festa ishte për Prishtinën.

Gjuka i realizoi shtatë gola, sa i kishte edhe Ylli Visoka. Nga pesë i shënuan Enis Kuleta e Oltion Beshiri.

Te Trepça më efikasi ishte Arbër Neziri me 13 gola. Gjashtë i shënoi Amar Mujka e katër Luigj Kolaj.

Prishtina stabilizohet në vendin e katërt me 19 pikë.

Trepça mbetet e fundit me gjashtë pikë.

Xhiroja e 20-të vazhdon të shtunën me ndeshjet Vushtrria – Kastrioti e Llapi – Besa Famgas, që zhvillohen nga ora 20:00. Të dielën prej orës 19:00 është takimi Vjosa – Rahoveci.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat