Me ndeshjen Shqiponja – Tereza hapet xhiroja e 11-të e Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën nga ora 16:00 në Gjakovë.
Skuadra gjakovare, Shqiponja, llogaritë në dy pikë të reja, ndërsa Tereza shpreson në befasi.
Shqiponja është e katërta në tabelë me 12 pikë, ndërsa Tereza e parafundit me një pikë.
Të dielën janë dy ndeshje, derisa vëmendja do të jetë në Vushtrri ku nga ora 19:00 takohen Vushtrria e Ferizaj.
Vushtrria ka bërë përforcime në afatin kalimtar të janarit dhe shpreson ta befasojë Ferizajn, që do të mundohet të reagojë pas disfatës nga Istogu në derbin e xhiros së dhjetë.
Vushtrria është e gjashta me 6 pikë, derisa Ferizaj është i dyti me 16 pikë, sa i ka edhe Istogu në vendin e parë.
Të dielën është edhe takimi Besa – Prishtina, që fillon në ora 17:00. Besa renditet e shtata me gjashtë pikë, ndërsa Prishtina është e fundit me një pikë.
Derbi i xhiros zhvillohet të martën nga ora 20:00 në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë. Takohen Samadrexha e Istogu.
Istogaset udhëtojnë për të vazhduar me fitore, por samadrexhaset kanë plane për të mbajtur dy pikët e rëndësishme. Samadrexha është e pesta me 10 pikë, por ka një ndeshje më pak të luajtur.