Marisa Berisha: Të përfaqësosh Kosovën është një nder 

Hendboll

Marisa Berisha: Të përfaqësosh Kosovën është një nder 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 4 mars 2025 Në ora: 14:46
Marisa Berisha

Në lojën e hendbollit po dalin në sipërfaqe disa talente, që do të janë e ardhmja e fuqishme e Kosovës.

Ndër to është edhe portierja e talentuar e Shqiponjës së Gjakovës, Marisa Berisha, e cila është edhe anëtare e kombëtares së Kosovës për të reja.

Në ndeshjen e fundit Marisa ka dëshmuar paraqitje fantastike, me 13 pritjet e saja ia solli fitoren e thellë Shqiponjës me rezultat 50:32 ndaj Terezës.

Image

Marisa Berisha

Marisa po përgatitet për derbin në konak të Ferizajt.

Ajo është krenare që mbron ngjyrat e Shqiponjës dhe kombëtares së Kosovës.

Aktualisht Shqiponja është në vend të tretë me 14 pikë, ka dy më pak se liderja Istogu dhe Ferizaj në pozitën e dytë.

Nuk thonë kot se portierja e mirë është sa gjysma e ekipit, kështu është edhe me Marisën e cila i jep siguri të madhe Shqiponjës, ekip që shquhet me organizim dhe lojëra të mira.   

“Bota sot” Marisa, në ndeshjen e fundit ishe protagoniste e fitores së Shqiponjës, me 13 pritje, si ndjehesh?

Marisa Berisha: Ndihem jashtëzakonisht e kënaqur me paraqitjet e mia në çdo lojë. 

Ishte një ndeshje ku patëm mundësi të tregojmë veten të gjitha vajzat, me përkushtim dhe mbështetjen e shoqeve të ekipit, arritëm ta sigurojmë fitoren.

Këto momente të japin edhe më shumë motiv për të vazhduar përpara. 

Bota sot”: Sfidën e radhës në Ferizaj, derbi për vend të dytë, ku i sheh përparësitë e Shqiponjës?

Marisa Berisha: E dimë që do të jetë një sfidë e fortë, por besoj se kemi disa avantazhe. Ne kemi një ekip të bashkuar dhe një mbrojtje të fortë, e cila më ndihmon edhe mua si portiere.

Gjithashtu, kemi treguar që dimë të luajmë mirë në ndeshjet e rëndësishme dhe jemi të gatshme të japim maksimumin për ta siguruar fitoren edhe në sfidën e radhës në Ferizaj. 

Bota sot”: Sa është vështirë të jesh portiere, cili ka qenë momenti më i mirë dhe dëshpërues gjatë këtij kampionatit?  

Marisa Berisha: Të jesh portiere nuk është aspak e lehtë sepse ke një përgjegjësi të madhe për ekipin. Çdo pritje mund të bëjë diferencën në rezultat.

Bota sot”: Si iu lindi dashuria për hendboll?

Marisa Berisha: Hendbolli ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e jetës sime tash e 8 vite.

Dashuria per sportin buron nga familja pasi kemi qenë gjithmone admirues të sportit, andaj ata ishin shtytësit dhe mbështetësit më të mëdhenj që më inkurajuan të vazhdoj të luaj hendboll. 

“Bota sot” Cilat janë synimet tuaja me Shqiponjën?

Marisa Berisha: Synimi im është të ndihmoj ekipin të arrijë suksesin maksimal dhe të luftojmë për vendet e para.

Të rikthehemi me fitore pas çdo derbi. Besoj të puna jonë dhe shpresoj që t’i arrijmë objektivat tona këtë sezon.

Bota sot” Jeni edhe pjesë e kombëtares së Kosovës për të reja, është një motiv shtesë?

Marisa Berisha: Absolutisht që është një motiv i madh dhe një përgjegjësi.

Të përfaqësosh Kosovën është një nder dhe kjo më shtyn të punoj akoma më shumë për të përmirësuar lojën time. 

Bota sot: A mendoni se Shqiponja do të befasojë të gjithë deri në fund të kampionatit?

Marisa Berisha: Besoj shumë në potencialin e ekipin tonë. Jemi të përkushtuara dhe kemi treguar se mund të rivalizojmë çdo kundërshtar.

Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, mund ti surprizojmë të gjithë deri në fund.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat