Xhiroja e 12-të e Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave ofron disa ndeshje interesante. Kjo xhiro fillon me ndeshjen mes Kastriotit dhe Samadrexhës, që zhvillohet të shtunën nga ora 16:00.
Pritet ndeshje e fortë dhe interesante në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Është përballje e dy skuadrave që synojnë plejofin. Kastrioti aktualisht është i katërti me 12 pikë nga nëntë ndeshje. Samadrexha renditet e pesta me 10 pikë nga nëntë ndeshje.
Të shtunën prej orës 20:00 takohen Istogu e Vushtrria. Istogu në dy xhirot e kaluara fitoi derbit me Ferizajn e Samadrexhën. Skuadra istogase kërkon dy pikët e radhës. Por vushtrriaset udhëtojnë për në Banjë të trimëruara pas fitores ndaj Ferizajt në xhiron e kaluar.
Istogu është i pari me 18 pikë nga dhjetë ndeshje. Vushtrria renditet e gjashta me tetë pikë, por ka synime për pozitë dukshëm më të lartë.
Të dielën është ndeshja mes Terezës dhe Besës, që fillon në ora 15:00.
Tereza është e parafundit me një pikë, ndërsa Besa renditet e shtata me tetë pikë.
Ndeshja mes Ferizajt dhe Shqiponjës zhvillohet më vonë për shkak të turneut tradicional ndërkombëtar në Gjakovë.
Në Ligën e parë të hendbollisteve është java e 11-të.
Të shtunën janë ndeshjet: Trepça – Dukagjini (13:00), KEK-u – Prizreni (19:00), Vjosa – CLICK (19:30). Xhiroja mbyllet të dielën me takimin Llapusha – Jusuf Gërvalla (13:00).