Bajraktarët e Trieshit sipas kujtesës së popullsisë vendase

Historia

Bajraktarët e Trieshit sipas kujtesës së popullsisë vendase

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 29 janar 2021 Në ora: 08:57
Gjekë Gjonaj

Duke u nisur nga nevoja qytetare për të njohur të kaluarën e vendlindjes sime të organizimit të saj të vjetër shoqëror , si një pjesë e traditave historike të popullit shqiptar dhe si një vlerë universale të lirisë njerëzore po përpiqem të sjell në vëmendjen e lexuesve disa shënime për institucionin e bajrakut dhe bajraktarët e Trieshit.

I vetëdijshëm se kjo temë kërkon një studim serioz e shkencor nga historiografia shqiptare, e cila deri më tani nuk i është qasur asaj thelbësisht, dëshiroj vetëm të përmend disa nga bajraktarët e Trieshit, rolin dhe rëndësinë e tyre, duke u mbështetur vetëm në kujtesën e trieshjanëve, dhe ndoshta të nxis kureshtjen apo të zgjoj interesimin e studiuesve të mirëfilltë të kësaj fushë që në të ardhmen t’i qasen kësaj temë ende të pashtjelluar në mënyrë të dokumentuar. Pretendime të tjera s’kam.

Hershmëria e bajraktarëve

Çështja e bajrakut dhe udhëheqja e tij nga bajraktarët e Trieshit , është aq e hershme sa edhe në trevat ( malet) e tjera të Malësisë së Madhe. Mbështetur në kujtesën popullore ekzistimi i Institucionit të Bajraktarit apo shqip Flamurtarit në këtë krahinë malore, e cila shtrihet nga Qafa e Rozdecit e deri në fshatin Poprat, në kufi me Shqipërinë, duke vazhduar edhe nëpër luginën e lumit Cem, i cili buron nga bjeshkët e Kelemendit të shtetit amë, daton kaherë, nga fillimi i shekullit XVIII-të. Prej asaj kohë Bajraku ( Mali) i Trieshit njihet ndër bajraqet kryesore të Malësisë së Madhe. Meqë kemi të bëjmë me periudhën e sundimit turk mund të nënkuptojmë se krijimi i institucionit të bajrakut dhe zgjedhja e bajraktarëve është bërë me pëlqimin e autoriteteve të Perandorisë Osmane, por edhe të vetë banorëve të Trieshit.

Personat që trashëguan këtë pozitë shoqërore

rrëfimet e trieshjanëve të vjetër flamurtarët ( turqisht bajraktarët) kryesisht zgjidheshin nga shtëpia më e njohur, më e fortë, më trime, më bujare, më fisnike, më zëmadhe. Domethënë krerë të bajraqeve zgjidheshin ata njerëz që shquheshin mbi të tjerët. Bajraktari ishte një person që e kishte trashëguar këtë titull, që i lihej djalit të madh nga i ati dhe, në mungesë të këtij, mashkullit më të afërm nga farefisi. Bajraktarët e parë në Triesh qysh se dihet për këtë titull nga popullsia vendase janë nga familja e Bonkeqit, Lucaj, prej fshatit Stjepoh. Sa për sqarim dua të shpjegoj se ky bajrak i Malësisë së Madhe përfshinë fshatrat: Rudinë, Nikmarash, Muzheçk, Buxë ( Budzë), Delaj, Poprat dhe një pjesë e luginës së rrjedhës së lumit Cem, që quhet Cemi i Trieshit. Në Triesh thuhet dhe tashmë dihet se nga familja që përmendëm më lartë ( sot barku Glmaçkaj , bajraktarë brez pas brezi kanë qenë : Peli, djali i Stojë Pontit, pastaj Nika , Luca, Bumçi ( Bupç), Ujka dhe Uci. Sipas rrëfimit të pleqve nga vëllazëria Lucaj , Uc Ujka nuk ishte bajraktari i fundit i kësaj shtëpie deri me ramjen e Trieshit nën administrimin e Malit të Zi, por atë e trashëgoi Gjon Maçku . kjo vëllazëri bajraktarë kanë qenë edhe vëllezërit Lucë Gjoni e Martin Gjoni. Më pastaj këtë titull e trashëguan Nishkë Gila, Gjon Nishk Gila dhe djali i Nishkut, Gjeka, i cili siç pohojnë pasardhësit e tij, ishte bajraktar i çetës së Stjepohit, deri në vitin 1904.

Përveç vëllazërisë ( fisit Lucaj, nga sa dimë nga trieshjanët e vjetër , bajraktarë kanë qenë edhe Nikë Lucë Dokë Ujkaj nga fshati Bëkaj dhe Baca Nikë Gjeloshi , nga fshati Muzheçk.

Roli që kanë luajtur

Nga brezi në brez përcillen rrëfime se të gjithë bajraktarët e Trieshit, gjatë veprimtarisë së tyre aktive prej më se dy shekujsh gjithmonë dhe në të gjitha rastet ishin në shërbim të interesave të popullit të vet, e asnjëherë nuk u nënshtruan të pushtuesve të kohës, të cilët i sollën shumë tragjedi kësaj popullsie shqiptare gjatë historisë së saj sa të dhimbshme, aq edhe krenare. Prej se mbahet mend krijimi i bajrakut në këtë cep të Malësisë së Madhe, krerët e bajrakut janë dalluar për trimëri, në mbrojtje të vendlindjes së vet dhe të qenies kombëtare, nën pushtuesin turk dhe nën pushtues të tjerë pas tij. Nga goja e shumë trieshjanëve kamë dëgjuar se bajraktarët bashkë me prijësit e tjerë të fshatrave në të gjitha periudhat e mbijetesës së tyre në këtë vend, për mua magjeps dhe të jashtëzakonshëm, i veshur me kurrize të thepisura malesh që ngërthen në vete gërdhata, shpella, qafa, , gryka, e pjesë tjera të relievit të saj të thyer, kanë luajtur rol të rëndësishëm për kohën patriarkale kur kanë vepruar.

Kontributi i tyre për lirinë e truallit të vet dhe të tokave shqiptare

Nga ato që kam dëgjuar nga të vjetrit bajraktarët kanë dhënë kontribut të madh në radhë në mbrojtjen e popullatës vendase, por edhe në bashkimin e forcave vullnetare për lirinë e truallit të vet, por edhe të tokave shqiptare. Këtë e dëshmuan duke marrë pjesë në shumë lufta të ushtrive të mëdha e mizore të pushtuesve të egër e gjakatarë, osmane, fashiste, naziste e të tjera, të para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, si dhe në luftat të tjera më vonë.

Po ashtu nga informatorët e shumtë kam dëgjuar se bajraktarët në Triesh kanë qenë shumë të njerëzishëm ( njerëzor) dhe njerëz me dinjitet , të cilët veprimet dhe vendimet e tyre i sollën në pajtim me kodin kombëtar të Lekë Dukagjinit, sipas të cilit administroheshin gjatë sundimit turk, i cili parashikonte deri në hollësi të gjitha rastet e jetës së rëndë të shqiptarëve në rrethanat e kohës. Në mbamendjen e familjeve trieshjane bajraktarët kanë mbetur të suksesshëm dhe shumë kontribues për çlirim kombëtar. Ata për trieshjanët kanë qenë dhe do të mbeten flamurmbajtës , që me shembullin e mirë të tyre e “ushquen” këtë krahinë martire me burrëri, me fisnikëri, me drejtësi, me atdhetari dhe me sakrificë gjatë gjithë zhvillimeve historike të saj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat