Siç dihet nga e kaluara jonë e lashtë ndër vite, shqiptarët kanë trashëguar doke dhe tradita të sakrifikimit, përkujtimit, gëzimit dhe falenderimit.
Shumë festa siç është ajo e “Darka e Lamës” janë pak të njohura ose nuk festohen më nga brezat e sotëm. Disa prej tyre i njohim vetëm si emra, të permendura nga gjyshërit ose njerëz të moshuar. Gjithmonë kur i kam dëgjuar me kane nxitur një farë kurioziteti për pikënisjen dhe zanafillën e tyre. Këto festa kanë ritualet e tyre që janë kaluar brez pas brezi.
Darka e Lamës është kryefestë pagane e motmotit, që shënon mbarimin e verës e fillimin e dimrit, kur mblidhen të lashtat, frutat e bereqeti.
Një prej tyre është edhe tradita e “Darkës së Lamës” apo variacionet e saj gjuhësore të njohura si “Darka e Fushës”, “Darka e Begatisë(bereqetit)”, etj.
“Darka e lamës” është festë tradicionale shqiptare, e cila zakonisht është mbajtur në fund të tetorit kur janë vjelë të mirat e punës verore. Quhet e Lamës, sepse “Lama” ka qenë vendi i rrafshët në fshatra malore, ku janë shirë të korrat, kryesisht të misrit. Ndërsa në fushë ka marrë emrin “Darka e Fushës”, pasi janë vjelë të mirat e saj, kryesisht të grurit.
Lama po ashtu ka qenë vend gravitues i solidaritetit dhe reciprocitetit mes fshatarëve shqiptarë, duke ndihmuar njëri - tjetrin me fuqi punëtore. Duke qenë se te shqiptarët sfera bukësore ka qenë pjesë e rëndësishme e hollimit etik, “dhënia e bukës” ka qenë aspekt esencial i marrëdhënieve sociale tradicionale.
Dita e Falenderimeve është festa jonë tradicionale, e moçme që prej kohëve të dardanëve ilirë, që ka bashkuar të gjithë njerëzit e Kosovës me njëri-tjetrin dhe me të ardhmen e tyre.
Darka e Lamës nga një fesat tradicionale e rimori peshën që i takonte, madje jo vetëm si pjesë e trashëgimisë kulturore në vitin 2002 kur presidenti Rugova e shpalli festë shtetërore.
Njëherit, duke e ditur rëndësinë tradicionale që ka kjo festë, Ish Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, Festën e Ditës së Falënderimit-“Darkën e Lamës” filloj ta zyrtarizoj dhe për çdo vit, më 24 tetor e organizonte si dhe e kishte cilësuar si një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.
Zakonisht në darkën tradicionale përgaditeshin; shtalba të pjekur e kallamoqa të zier, hashure, fasule, patate, kunguj të zier, petulla, mazë të zier, gatime me mbrumëra të ndryeshëm si; pogaçe, pite me rrathë, kërlana me rende, flia e vakarrime, çervish e përshesh me kos e tambël, pekmez dhe reqelna me rrush e me pemë të ndryshme, turshi, mishëra të ndryshëm; bibanë, qengja të pjekur...etj.
Po ashtu edhe pijet nuk kanë munguar në sofër, siq ishin: verë rrushi, kos të kulluar, lëng rasoji, lëngë frutash ...etj.
Të gjitha këto ishin dhe janë specialitete nga tradita dardane nga toka jonë e begatëshme, në të cilën nuk mungojnë edhe sallatat me speca, lakra, domate e kastravecave.
Zakonisht gjatë kësaj feste bëhen lutje dhe falenderime ndaj Zotit për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë shëndet, më shumë mbarësi dhe begati.
Lutje falenderimi për Darkën e Lamës e shkruar nga Presidenti Dr. Ibrahim Rugova:
„Të faleminderit o Zot
Për të mirat që na fale
Në tokën tonë Kosovë
Dardaninë antike
Në këtë mot
Të lutemi o Zot
Të na falësh të mira
Edhe më shumë
Në tokën tonë Kosovë
Dardaninë antike
Në tjetrin mot
O Zot!“
Darka e Lamës zakonisht organizohej në prag të Sh’mitrit ose Shën Mitrit.
Festat kanë qenë pagane, bujqësore blegtorale. Edhe ritet që bëhen nuk kanë kurrëfarë lidhje me religjionin.
Në Drenicë këndohet kënga:
“Dita e Shën Mitrit erdhi prru’ në prrue”:
„Dita e Shën Mitrit erdhi prru’ në prrue,
Me shum’sende t’mira ne na ka gëzue.
Na kallxon për kohën, dimni si do t’jetë,
I vërenja delet qysh jan’ ra me fjetë.
Nëse delja shtrihet me dy kamt e para,
Dimni asht i butë, veç rueju për mrapa,
Nëse delja shtrihet katër kambët tubë,
Pregatit për dimën ushqim, dru e bukë.
Dimni asht i vshtirë, pregatitu mirë,
Mjeri ai i mjeri, qi rrin me duer lidhë,
Dita e Shën Mitrit, ti qofsh e bekueme,
Saher’ qi na vjen, ti na vjen e lume.“
Kjo traditë pak a shumë praktikohet në mënyra të ndryshme edhe sot në vendet e Evropës perëndimore, si në Gjermani, Zvicër e vende t’jera, ku zakonisht në të dielën e parë të tetorit, në forma të ndryshme ekspozohen begatitë e motmotit, duke defiluar rrugëve me qerret tërheqëse me kuaj, traktorë etj. Pastaj këndohet e vallëzohet, duke falënderuar Zotin për mot të mirë që ka mundësuar të korrat të jenë të frytshme dhe tryezat e njerëzve të kenë ushqim të bollshëm.
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Zoti i bekoftë të gjithë ata që kontribuan me shpirtë e zemër për kultivimin dhe ripërtërirjen e vlerave kombëtare dhe trashëgimisë sonë kulturore!
24 tetor 2021
Haki Latifi