Ditë më parë shqiptarët e festuan Ditën e Flamurit.
Historia e kësaj dite i ka themelet më 28 nëntor 1443. Në këtë datë, Gjergj Kastriot - Skënderbeu pas çlirimit nga perandoria osmane e ngriti flamurin në Krujë.
Ndërkaq, 469 vite më vonë, u ngrit sërish flamuri kombëtar nga Ismail Qemaili në Vlorë, si sinjal i shpalljes së Pavarësisë.
Profesori universitar i historisë, Jahja Drançolli, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar fakte historike shqiptare që datojnë shekuj më parë.
Ai ka treguar se flamuri dhe stema e Arbërit konsiderohen si më të vjetrit në Europën Juglindore.
"Flamuri dhe stema e Arbërit sipas burimeve historike të shek. XIII konsiderohen si më të vjetrit në Europën Juglindore. Pas themelimit të Perandorisë Latine (1204) nga Republika e Venedikut, mbretëria e Francës dhe ndonjë vendi tjetër europian, shteti i Arbërit, Epirit dhe Moresë (siç kishte bërë mbretëria e Kroacisë në vitin 1102 me mbretërinë e Hungarisë), do të kërkojnë mbrojtje nga bujaria e shteteve në fjalë, shtete këto që kishin sjellë në Arbëri traditën europiane të heraldikës. Derisa, sipas traktatit në Viterbo të Italisë (1267), Epiri dhe Morea do të përfshiheshin nën mbrojtjen e Karlit I të Anzhuit, ky veprim do të preferohej nga zotërit arbër në vitin 1272, vit që përkon me themelimin e Mbretërisë së Arbërit (De Regnum Albaniae) me në krye Karlin I (Rex Albaniae), me qendër në Durrës”, ka shpjeguar ai.
Më tej, ai ka treguar se ky i trashëgimisë shqiptare ishte ndalë gjatë kohës së vendosjes së sundimit Osman.
“Në këtë kontekst, heraldika arbërore, e cila ruajti simbolikën, që nga kohërat më të hershme të qytetërimeve mesdhetare, do të përfshihet fuqishëm në rrjedhat e mëtejshme të Europës Perëndimore, në veçanti të shteteve italiane të kohës. Kjo traditë e pasur europiane do të shfaqet veçanërisht në heraldikën e familjeve të njohura arbërore, si Kastriotët, Dukagjinët, të cilët së bashku me qytetin e Prizrenit zotëronin edhe rajonin e Rrafshit të Dukagjinit.
Vendosja e sundimit Osman (gjysma e dytë e shek. XV) do ta ndalë këtë proces të trashëgimisë sonë të pasur, i cili do të vazhdojë sërish vetëm nga 28 Nëntori 1912!”, ka thënë ai për “Bota sot”