Më 25 qershor 1934 u shkrep një foto historike e Musine Kokalari dhe Drita Kosturi të dyja krah njëra tjetrës.
Musine Kokalari dhe Drita Kosturi, dy mike, studente të Universitetit të Romës, e para për letërsi dhe filozofi, e dyta për mjekësi, dy idealiste që donin me shpirt progresin e Shqipërisë. Edhe pse përpjekjet dhe qëndresa e tyre ishte dinjitoze, kjo nuk e pengoi aspak regjimin i cili i burgosi dhe i internoi.
Është e pashembullt për kohën dhe regjimin oponenca që Musine Kokalari i bëri trupit gjykues ditën e dënimit të saj.
“...Unë mendoj ndryshe nga ju, por e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse nuk kam bërë asnjë faj!”- do të shprehej ndër të tjera ajo.
Drita Kosturi si mjeke që ishte, gjatë viteve të burgimit u shërbente të burgosurve të sëmurë dhe të tjerëve që kishin nevoja mjekësore aty brenda.
Për këto fakte të trishta të mikeve Musine e Drita, ka shkruar me admirim dhe At Zef Pllumi tek “Rrno për me tregue”, ku ndër të tjera shkruan në libër dhe një amanet që Padër Pali i len At Zefit për Drita Kosturin:
“Sakrificat e saj për mue, kurrë nuk do t’i harroj. Po të porosis që, në kjoftë se vjen ndoniherë dita e lirisë, ajo duhet konsiderue si mike e Urrdhnit Françeskan".
Foto është publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë.