Dom Shtjefën Kurti - famullitari shqiptar që e ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare qysh në vitin 1930

Historia

Dom Shtjefën Kurti - famullitari shqiptar që e ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare qysh në vitin 1930

Nga: Xhevat Ukshini Më: 29 qershor 2024 Në ora: 13:39
Dom Shtjefën Kurti

Fati i populli tim është dhe fati im. Kjo ishte maksima etike dhe politike  që e udhëhoqi në jetë Shtjefën Kurtin. Serbët e përndoqën, shqiptarët e vranë, duke ia mohuar madje edhe të drejtën për pasur një varr në tokën e tij, për të cilën ai punoi me mendje dhe zemër deri në çastet e fundit të jetës së tij.

………………………………………………………………

1. Qyteti i Ferizajt është formuar në vitin 1873, vetëm pak vite para Lidhjes Shqiptare të Perzerendit, siç i thoshin dikur shqiptarët e moçëm, apo Prizrenit, siç i themi ne sot, shqiptarët modernë, këtij qyteti, duke e turbulluar në këtë mënyrë, përmes sllavizimit të emrit, etimologjinë e tij.  Burimet historike na dëftojnë se në hapësirën ku ndodhet sot Prizreni i bukur, që në lashtësi njihej me emrin Theranda, në mesjetë  ka ekzistuar  një vendbanim me emrin latin Peterzen ku kishte shumë kisha që i dedikoheshin apostullit të parë të krishterimit, Shën Pjetrit. Por qyteti i Ferizajt, duke qenë qytet i ri nuk e ka asnjë problem me etimologjinë e emrit.  Problemet e tij janë të tjera, por jo më të vogla se ato etimologjike. Ato kanë të bëjnë me moralin në përgjithësi dhe me papërgjegjësinë tonë kombëtare në veçanti, sepse ky qytet që mbanë emrin e një shqiptari, i cili qe dhe kryebashkaku i tij i fundit nën Perandorinë Osmane, në vitet 1908-19012, sikur nuk di të bëjë dallimin mes kontributit që vjen nga përkushtimi absolut atdhetar dhe rrethanave të tjera rastësore që kanë të bëjnë me emrin e tij.

Sidoqoftë Ferizaj nuk ka asnjë rrugë e shesh me emrin e Feriz Shasivarit, emrin e të cilit e mbanë qyteti. Në fakt me emrin e tij nuk lidhet me asnjë kontribut i veçantë kombëtar. Varri i Feriz Shasivarit me mbishkrimin arab edhe pas Kongresit të Manastirit gjendet në oborrin e xhamisë së Mulla Veselit.

Në anën tjetër, as edhe një rrugë apo shesh i këtij qyteti nuk e mbanë emrin e engjëllit të tij mbrojtës, atë të dom Shtjefën Kurtit, që përfaqësonte një tip krejt tjetër shqiptari. Shkrimtari i njohur romak Marcus Cicero thoshte se më shumë dëm sjellë një mungesë vendimi se vendimi i gabuar. Në fakt,  në rastin tonë nuk mund të gabohej ndryshe. Shtjefën Kurti e ngriti zërin në mbrojtje të popullit të tij që shtypej e përndiqej në Jugosllavinë mbretërore. Fati i populli tim është dhe fati im. Kjo ishte maksima e etike dhe politike që e udhëhoqi në jetë Shtjefën Kurtin që serbët e persekutuan, por që shqiptarët e vranë në vitin 1971, duke ia mohuar edhe të drejtën për një varr në tokën e tij, për të cilën ai punoi deri në çastin e fundit të jetës.

2. Shtjefën Kurti bashkë me dy famullitarët e tjerë shqiptarë ka bërë diçka që nuk ka bërë asnjë shqiptar tjetër në atë kohë të terrorit, territ dhe vetmisë së madhe. E, megjithatë, ky engjëll i rojës, pa të drejtë, është harruar në njëfarë mënyre nga qyteti i tij i lindjes, të cilit i ka dalë zot në një kohë kur të tjerët, për arsye të ndryshme, kanë heshtur ose nuk kanë pasur zë. Në vitin 1930 Shtjefën Kurti, Luigj Gashi dhe Gjon Bisaku i shkruan një promemorie Lidhjes së Kombeve me seli në Gjeneva, paraardhëses së Organizatës së sotme të Kombeve të Bashkuara në Neë York, për shkeljen brutale të të drejtave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve në mbretërinë e Jugosllavisë. Pas dorëzimit të këtij memorandumi në Gjeneva, u caktua madje edhe një komision trepalësh, i përbërë prej diplomatësh nga Norvegjia, Kina dhe Spanja për të vërtetuar gjendjen në terren. Komisioni nuk erdhi në Kosovë për të verifikuar gjendjen, sepse ndërhyri diplomacia jugosllave.

Shteti i Jugosllavisë dërgoi në Lidhjen e Kombeve si ambasador, zëvendësministrin e jashtëm të mëvonshëm  dhe nobelistin e kohës së Titos  Ivo Andrić-in, i cili në rrugë diplomatike e  neutralizoi plotësisht nismën shqiptare. Promemoria u arkivua në Lidhjen e Kombeve, u vu ad acta. Kina dhe Spanja ende nuk e njohin Kosovën si shtet sovran, pa çka se kanë pasur privilegjin t’i njohin problemet e saj që në krye të herës. Norvegjia, në anën tjetër, e ka njohur diplomatikisht shtetin e Kosovës  dhe atë e ndihmon në shumë mënyra . Të tri këto shtete, e njohin problemin shqiptar të Kosovës që në gjenezë, por reagimi i tyre ndaj ekzistencës së tij, siç e shohim, ka qenë krejt i ndryshëm. Ne dimë në ndërkohë falë historianit kroat Krezman se Ivo Andriçi më vonë do të hartojë një elaborat për shpërnguljen e shqiptare ku parashikohej edhe shkatërrimi i shtetit shqiptar. Ivo Andriç u shpërblye për punën e tij efektive kundër Shtjefën Kurtit në kohën e mbretërisë jugosllave me postin faktik te ministrit të jashtëm, edhe pse formalisht në Qeverinë e kryeministrit dhe ministrit të jashtëm Milan Stojadinoviç, ai e kryente punën e zëvendësministrit të jashtëm. Andriçi  ishte faktikisht dhe formalisht autoriteti më i lartë në ministrinë, kurse në kohën e Titos ai mori dhe çmimin Nobel për letërsi, duke gëzuar kështu mbështetjen e madhe të shtetit komunist jugosllav. Në një vizitë në Stockholm Ivo Andriç thoshte se s’kam ç’të fshehë. Tani ne shohim se ai paska fshehur shumëçka. Asnjëherë, shteti i tij jugosllav, nuk e përndoqi a ndëshkoi njeriun që diti të gjejë mënyra për neutralizimin e promemorjes së dom Shtjefën Kurtit. Ndryshe ndodhi me Shtjefën Kurtin, i cili si shpërblim për angazhimin e tij kombëtar u  pushkatua nga shteti shqiptar, i cili pasi e burgosi në vitin 1946,  e dënoi  në vitin 1947 për bashkëpunim me diplomatët britanikë dhe amerikanë dhe në fund, në vitin 1971, me arsyetime banale, e dënoi me pushkatim, duke e lënë dhe pa varr.

3. Formimi i qytetit të Ferizajt, siç dihet,  lidhet me hekurudhën që nisej nga Selaniku dhe përmes Shkupit  përfundonte në Mitrovicë. Ndërtimi i kësaj hekurudhe e solli me vete edhe vendbanimin e ri që sot është njëri nga qytetet më të mëdha e më të zhvilluara të Kosovës.  Feriz Shasivari nuk është themeluesi i tij siç mund të mendohet në shikim të parë,  por njeriu që i dha emrin qytetit, të cilin turqit filluan ta quajnë Ferizovik, serbët Ferizović, kurse shqiptarët e thërrisnin Ferizaj apo thjesht Tasjan, një trajtë turke kjo për fjalën frënge „station“, për të shprehur kështu mospërfilljen për Feriz Shasivarin. Serbët pas pushimit të tokave shqiptare që  në vitin 1913 i vunë emrin  Uroševac, dmth. qyteti i Uroshit. Ende sot qyteti ka dy emra që njihen zyrtarisht, në vend dhe në botë, njërin për shqiptarët, tjetrin për serbët. Sot qyteti në qendër ka xhaminë e Mulla Veselit me dy minare dhe kishën ortodokse serbe pranë e pranë njëra-tjetrës, brenda një oborri. Dihet se objekti i kishës serbe është ndërtuar në pronën e xhamisë. Hulumtuesve shkencorë iu përket të ndriçojnë situatën sesi „u shit“ një pjesë e  oborrit të xhamisë për t’u ndërtuar më vonë aty kisha serbe. Pas vitit 1999 kisha serbe u ruajt për disa vite nga policë ndërkombëtarë, kurse tani ajo ruhet nga policët kosovarë, por ajo nuk ka besimtarë. Ndoshta nuk kishte mjaft as në fillim, kur u ndërtua. Serbët ikën nga qyteti, pas hyrjes së trupave tokësorë të NATO-së. Kisha serbe qëndron në qendër të qytetit si një fantazmë që i frikëson shqiptarët, ndërkohë që xhamisë i është shtuar edhe një minare, por edhe ftohtësia e shqiptarëve ndaj saj, të cilët gjithnjë e më shumë e shohin atë si një objekt politik. Në mediat serbe, por edhe në ato shqiptare herë pas here janë shprehur lëvdata për këtë tolerancë të jashtëzakonshme fetare, sepse askund në botë, sipas tyre, nuk ka një kishë ortodokse dhe një xhami brenda të njëjtit oborr.  E vërteta në fakt s’ka të bëjë fare me tolerancën, por me frikën, kërcënimin, shantazhin e korrupsionin. Si xhamia, ashtu edhe kisha serbe janë objekte që janë ndërtuar në kohëra të tilla të turbullta, kur qyteti dhe gjithë vendi ynë ishin tulatur nën kërcënimin e armëve të pushtuesve. Pushtuesit, në anën tjetër,  përmes këtyre objekteve donin të tjetërsonin vullnetin politik të vendasve. As xhamia dhe as kisha serbe nuk do të ishin ndërtuar kurrë sikur të përfillej disponimi politik i masës shqiptare, e cila donte shtet shqiptar dhe shenja kombëtare, me të cilat do të mund të identifikohej, por jo simbole të pafuqisë së tyre që emetonin dhe  transportonin idenë se  ishin të huaj në dheun e tyre. Xhamia u ndërtua pas thyerjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kurse kisha serbe pas pushtimit serb të Kosovës, kështu që këto objekte kulti, para së gjithash për arsye politike, gjithmonë mbeten të huaja për shumicën e banorëve shqiptarë të Ferizajt.

Por në Ferizaj nuk janë vetëm këto dy objekte kulti. Në anën tjetër të qytetit,  në linjë ajrore prej jo më shumë se nja 700-800 metrash , në jug, ndodhet kisha katolike „Engjëlli i Rojes “ ku sot famullitar është don Mikel Sopi, i cili, siç thotë, është pasardhësi në detyrë i dom Shtjefën Kurtit. Në këtë kishë dikur meshonte dom Shtjefën Kurti. Edhe këtë fakt e dinë shumë pak banorë të Ferizajt.

4. Kush është Shtjefën Kurti, për të cilin shqiptarët do të duhej të dinin gjithçka, por në fakt shumë prej tyre nuk dinë pothuajse asgjë?  Të dhënat elementare jetëshkrimore të tij janë këto: Ai u lind me 24 dhjetor të vitit 1898 në Ferizaj, në qytetin kur vendbanimi  kishte vetëm një çerekshekulli jetë. Para disa vitesh ky qytet festoi 150 vjetorin e lindjes dhe kryebashkiaku Agim Aliu e shpalli dom Shtjefën Kurtin „nderi i qytetit“. Shtjefën Kurti ishte dhe mësues i Shkollës Shqipe në Shkup dhe në Ferizaj. Ai bashkë me Luigj Gashin dhe Gjon Bisakun në vitin 1930 hartoi një promemorie për Lidhjen e Kombeve në Geneva ku i ankohej këtij forumi të lartë ndërkombëtar për shkeljen e të drejtave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve në mbretërinë  jugosllave. Shtjefën Kurti me familjen e tij ik në Shqipëri në fillim të vitit 1930, pra vetëm pak muaj  pas vrasjes në Zym të priftit tjetër shqiptar Shtjefën Gjeçovit, me të cilin kishte qenë në raporte bashkëpunimi. Pas dorëzimit të promemories në Geneva, ai u caktua nga Vatikani si prift në një famulli në Shqipëri, ku do të burgosej në vitin 1946 si njeri që bashkëpunonte me diplomatët perëndimor, britanikë dhe amerikanë. Në Vitin 1947 një gjykatë e shtetit shqiptar do ta dënonte për bashkëpunim me Perëndimin me 20 vjet burg. Në vitin 1963 doli nga burgu, për disa muaj qëndroi  në Rrashbull të Durrësit dhe më vonë fillon punën si prift në famullinë e Gurëzit në Kurbin. Në vitin 1971 ri burgoset  dhe dënohet me vdekje për spiunazh, sabotazh dhe kryerje të riteve fetare. Në ndërkohë është gjetur një dokument në arkivin e Ministrisë së  Brendshme që dëshmon se trupi i tij pas pushkatimit iu dha Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, si kadavër për studentët e mjekësisë. Pas disa vitesh, kufoma e Shtjefën Kurtit duhet të jetë varrosur në ndonjë vend të panjohur. Nikolin Kurti, nipi i Shtjefën Kurtit apo djali i vëllait të martirit, i vëllait që i kaloi po ashtu disa vite në burgje, ka bërë përpjekje të mëdha për të gjetur eshtrat e tij, por deri më sot ai nuk i ka mundur t’i gjejë. Për këtë kërkim të pasuksesshëm të varrit të martirit dhe rilindasit Shtjefën Kurti ka shkruar edhe gazeta e madhe amerikane „The Neë York Times“, kurse për veprimtarinë atdhetare dhe fetare të Kurtit ka mësuar dhe ish kryetarja e Kongresit amerikan Nancy Pelosi, kurse Papa Franqesku e ka shpallur të lumë në vitin 2016. Shkurt, Shtjefën Kurti është rilindësi ynë i madh pa varrë si Jezu Krishti e Gjergj Kastrioti.

5. Mungesa e varrit ka një ngarkesë të madhe simbolike, sepse njeriu që nuk ka varrë nuk mund të thuhet se ka vdekur.  Shtjefën Kurti vërtet është pushkatuar, por ai nuk ka vdekur, sepse ai jeton në zemrat e shqiptarëve, përtej ndarjeve fetare të shqiptarëve që ekzistojnë sot.  Ish profesori i Shkollës së Lartë Teknike dhe i Universitetit të Ferizajt dhe i Universitetit të Prishtinës, dr. Kolë Kurti, thotë se farefisi Kurti ka përjetuar një kalvar të vërtetë në Jugosllavinë mbretërore dhe atë komuniste. Megjithatë, siç e shohim, një pjesë e trungut familjar Kurti i ka mbijetuar të gjitha këto përndjekje dhe ndëshkime . Jo pak pasardhës  nga farefisi i tij ende jetojnë  në qytet.  Bërthama  e qendrës së qytetit parak, siç mësojmë, përbëhej nga pronat e fisit Kurti, vetë shtëpia e prindërve të Shtjefën Kurtit, Jak dhe Katrine Kurti nuk kishte shumë larg nga kinemaja e dikurshme e qytetit. Shumë prona të Kurtëve janë ekspropriuar nga shteti komunist jugosllav pas vitit 1945, thotë Franc Kurti, i cili na tregon se në lidhje gjaku me Kurtët kishte qenë edhe vetë Gjon Serreqçi, djali i hallës së tij, emrin e të cilit sot e mbanë shkolla fillore kryesore e qytetit.

6. Si përfundim, mund të themi për  Shtjefën Kurtin se ai bëri gjithçka që mundi për qytetin dhe vendin e tij, por si shpërblim në fund mori plumba nga shteti shqiptar në një kohë që Ivo Andriç arriti të bëhet de facto dhe ministri i jashtëm i Jugosllavisë, pikërisht sepse mundi ta neutralizojë në Lidhjen e Kombeve në Gjeneva promemorien e Shtjefën Kurtit. Ende sot qyteti i tij dhe mbarë Kosova nuk kanë treguar respektin dhe nderimin që e meriton Shtjefën Kurti. Megjithatë, ai i ka mundur të gjithë armiqtë e tij shqiptarë dhe joshqiptarë. Thjesht ka ardhur koha që të njihet vepra e këtij rilindasi shqiptar, të njihet triumfi i tij moral dhe politik mbi kriminelët shqiptarë që e vranë dhe mbi nobelistin Ivo Andriç që dikur, duke shkelur mbi parimet e moralit universal, pati dalë fitimtar në ndeshjen me të në arenën ndërkombëtare.

Triumfi i Shtjefën Kurtit është njëkohësisht dhe triumf i  ynë, fitore vendimtare e të ardhmes së shtetit të Kosovës, por ka,  për fat të keq, ende shumë shqiptar që nuk e kanë kuptuar këtë gjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat