Fëmijëria e “vrarë” e Ema Qazimit me motrat në jetimore! Nënën e kishte gjallë… por nuk mundi ta takonte kurrë më

Historia

Fëmijëria e “vrarë” e Ema Qazimit me motrat në jetimore! Nënën e kishte gjallë… por nuk mundi ta takonte kurrë më

Më: 29 gusht 2024 Në ora: 12:38
Ema Qazimi

Ema Qazimi njihet si “kaçurrelsja më e bukur e festivaleve të viteve ’90”, por edhe ndër të paktat këngëtare që solli një stil të ri me veshjet e saj asokohe. Edhe sot Ema ruan të njëjtën freski sa që duket sikur koha për të ka mbetur në vend.

Ajo ka vite që e ka lënë skenën, por këngët e saj dëgjohen edhe sot e kësaj dite nga të gjithë brezat.

Është rritur jetime Ema Qazimi. Madje akoma edhe më keq. I jetonte nëna, pa mundur t’i merrte dhe jepte dashuri. Një sëmundje e rëndë bëri që të prishej papritur ajo çerdhe e ngrohtë dhe e gëzueshme, me shtatë fëmijë. Ema gjashtëvjeçare bashkë me motrën tjetër, Luljetën, u regjistruan te Shtëpia e Fëmijëve. Iu shtuan vëllezërit, motrat, ushqimi, kujdesi, por… dashurinë që i mungonte, asnjë ditë nuk e gjeti. Nuk i hiqej nga sytë dhe shpirti, imazhi i nënë Refijes. Ndjente mallin e përkëdhelive të saj. Çdo mëngjes çohej e hutuar dhe e mjegulluar. Natën nëpër ëndrra bëhej me nënën në shtëpinë e saj të vogël, dita që zbardhte ia humbiste të dyja. Lodhej për të kuptuar pse duhej ta përjetonte atë trishtim kur nënën e kishte gjallë.Mes atyre ditëve të trishta, kujton atë pasdite kur dëgjoi të këndonte shoqja e dhomës, Keti: “Nënën e deshta, gjithmonë do ta du/sa heq ajo për mu/në këtë jetë s’kam me harru…” Menjëherë e mbytën lotët Emën e vogël. Iu duk sikur nënë Refija i kishte ardhur në atë shtëpi të madhe. Çdo ditë e niste dhe e mbyllte me këto vargje. I dukej sikur fliste me nënën. Shuante me këtë refren, sadopak mallin që i përvëlonte shpirtin.

Deri në klasën e pestë jetoi në Shtëpinë e Fëmijës, sepse një urdhër i dalë nga qeveria e asaj kohe, vendosi që aty duhej të strehoheshin vetëm fëmijët që u mungonin të dy prindërit. Por, i ati Emës, e kishte të pamundur të plotësonte detyrimet e asaj tufe fëmijësh edhe pse nuk i mungonte kujdesi dhe dhembshuria.

“Një pjesë të fëmijërisë, 4 vjet i kam kaluar në Shtëpinë e Fëmijëve 8 Nëntori, sot “Zyber Hallulli”. Kam bërë 4 vjetët e shkollës fillore aty, duke qenë se familja ime kishte probleme sociale dhe ekonomike. Në jetimore unë kam qenë bashkë me 3 motrat e mia. Kam një nostalgji për atë kohë, për atë jetë. Ndjej emocione kur e kujtoj, aq emocione, saqë nuk i kam ndjerë as në skenë”, është shprehur, kohë më parë, vetë artistja.

Në vitin 1972, kreu shkollën e mesme artisitke “Jordan Misja” në Tiranë, në degën teori muzike. Me një karrierë të pasur muzikore mbi dyzet vjet në skenë, filloi të këndojë që në moshë të re në fundvitet ’60-të dhe ekzaktësisht në vitin 1968, në skenën e Estradës së Shtetit dhe më pas duke u ngjitur në skenën e madhe të aktivitetit më të rëndësishëm kulturor të vitit në atë kohë, Festivali Kombëtar i Këngës së Lehtë Shqiptare në Radio, më vonë në Radiotelevizion.

Ema Qazimi në atë kohë ishte një vajzë 14-të vjeçare, kur kompozitori i mirënjohur Avni Mula do t’i besonte këngën e tij: “Letër Nënës”
Që nga ajo kohë, artistja e vogël në moshë, por e madhe në zë, në shpirt dhe në talent, do të udhëtonte pa u ndalur për dyzet vjet me radhë në udhën e bukur e të gjatë të këngës dhe duke u nderuar në vitin 2010 me titullin ”Mjeshtre e madhe e Punës”./albeu.com

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat