Çerçiz Topulli mund të ishte edhe simboli i ushtarit të panjohur i rënë në luftë për pavarësi. Nuk ka një të dytë në historinë e Shqipërisë që të mos e ketë hequr armën asnjëherë nga supi, por njëkohësisht të kishte një fund aq të trishtë, i vrarë pabesisht dhe, për më tepër, pa marrë famën dhe vlerësimin që i takonte.
I lidhur kokë e këmbë me zinxhirë nga ushtarët malazezë, mëngjesin e të shtunës së 17 korrikut 1915, ai e humbi betejën e fundit në jetë edhe pse u përlesh me ta si një luan. Ndërkohë që 15 njerëz me uniformë e qëllonin me plumba dhe e shponin me bajoneta në trup, Çerçiz Topulli u bë nga dëshmorët e parë të Shqipërisë. Vetëm pak minuta më parë i kishin vrarë para syve shokun e tij Mustafa Qulli, një gazetar i cili, ndryshe nga Çerçizi që pushkën e kishte simbolin e lirisë, mbante penën.
SKENA E KRIMIT
Çerçiz Topulli kishte bërë dhjetëra manovrime në jetën e vet ndaj atyre që kishin dashur ta kapnin dhe asgjësonin. Por mëngjesin e 17 korrikut 1915, për herë të parë dhe të fundit, ai dështoi.
Një skuadër ushtarësh malazezë u shfaqën në portën e shtëpisë ku qëndronte në Shkodër dhe, pa asnjë urdhër të shkruar e vunë në pranga. Bashkë me të u arrestua edhe miku i tij, Mustafa Qulli, një gazetar me emër në atë kohë në Shkodër.
Pa shumë sqarime ushtarët e huaj i lidhën të dy me zinxhirë në duar e këmbë dhe i dërguan në kazermë. Pas 10 ditësh qëndrimi në një dhomë në kushte skandaloze, ata të dy i hipën në një karrocë dhe u thanë se do t’i dërgonin në Cetinjë.
Sapo karvani bëri disa kilometra në Fushën e Shtoijt, ora shënonte 04.00 dhe sapo nisi të zbardhte, ushtarët i zbritën ata dhe pa një pa dy nisin t’i qëllojnë me armë. Mustafai vdiq në vend, ndërsa Çerçizi, ashtu i lidhur me zinxhirë, përleshet me ushtarët malazezë, por ata, duke qenë në numër të madh, arritën ta qëllonin për vdekje me plumba dhe duke i shpuar trupin me bajoneta.
Kur panë që të dy kishin dhënë shpirt, me shpejtësi hapën dy gropa jo shumë të thella, i futën brenda të dy trupat, i mbuluan me shkurre dhe drurë rrethanorë dhe u larguan.
SI U KRYE VRASJA
Vrasja e pabesë dhe e fshehtë e Çerçiz Topullit është shoqëruar dhe me rregullin se edhe krimi më i sofistikuar lë gjurmë. Edhe pse menduan se i fshinë gjurmët bashkë me varrosjen e kufomave, asnjë nga 15 vrasësit nuk e dinin se prapa shkurreve, një person i ndodhur aty rastësisht kishte parë të gjithë ngjarjen. Quhej Mahmut Golemi dhe rrëfimi tij gjashtë muaj pas ngjarjes është unikal:
“Natën e së premtes, (duke gdhirë e shtuna) natë Ramazani, para se del drita, dola me ngarkue sanë prej livadhit, në freskë, kur prej së largut pashë tuj ardhë dy njerëz të përcjellë prej afro 15 ushtarësh, të cilët kur më panë, më urdhëruan të largohem, dhe unë u fsheha mbrapa qerres. Kur erdhën deri në një vend, atje u ndalën dhe ushtarët morën pozicion me qitë mbi dy personat në fjalë.
Ai që ishte veshë me petka bojëhini që ia kasha dhënë unë pse kishte mbetur pa xhaketë (Muço Qulli) bërtiti në një mënyrë alarmante, e një burrë i gjatë dhe i plotë, i bërtiti shokut tue i thanë: “Mos u tremb se patriotët kështu e kanë”.
Ushtarët qitën; ai me petka bojëhini ra dekun, kurse tjetri, tue sha, me një zë luani e me një shpejtësi të rrufeshme, mësyn ushtarët dhe pa u lanë kohë të qesin të dytën herë, hyn midis tyre dhe erdhi fytyrat me ta për të marrë një pushkë prej tyre. Kjo luftë vazhdoi afro një minutë. Në atë përleshje mbasi gjetën rast i ranë për herë të dytë dhe e vranë”.
Krimi i organizuar u krye, më pas duhej vetëm fshehja e gjurmëve. Një veprim që ushtarët vrasës e bënë me shpejtësi dhe fshehtësi. Të paktën sipas tyre, hapën dy gropa dhe i hodhën brenda dy viktimat. U hodhën shkurre përspër. Dëshmitari Mahmut Golemi vijon rrëfimin:
“Të nesërmen shkova në vendin e ngjarjes, ku i pashë se ishin mbulue krejt cekët e me ferra. Si myslimanë që ishin, për sevap, i mbulova më thellë. Në kontrollimin e gropes gjetëm shumë shenja që i përkisnin Muço Qullit, pasi trupin e Çerçizit që ishte mbuluar më thellë nuk e prekëm”.
GREKËT NË VRASJE
Vrasja e Çerçiz Topullit tregoi edhe një herë aleancat sllavo-greke kundër shqiptarëve.
Sipas të dhënave, dëshmive dhe raporteve të kohës, rezulton se malazezët e vranë Çerçizin për llogari të grekëve. Ishte një hakmarrje për faktin që Çerçizi kishte vrarë peshkopin grek, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së Spiro Kosturit, në Selanik, në vitin 1907. Kishin kohë që qarqet greke e kërkonin me qiri komitin shqiptar, i cili u vra nëpërmjet një intrige.
Po cilët ishin grekët që e porositën vrasjen te malazezët? Tre janë personat që ishin të implikuar në këtë vrasje: Alush Lohja, Spiro Tozhli, Mihalaki Kulumburi, të cilët kishin si qendër konsullatën greke në Shkodër. Tozhli ishte një tregtar në këtë zonë që mendohet se ka vënë në dispozicion paratë për vrasje. Dëshmia dhe deklarata e parë që vërteton këtë është e Kol Bjankut, sekretar i Kadastrës në Shkodër. Në një shkrim të numrit 18 të datës 9 qershor 1919 në gazetën “Kuvendi” ai shkroi:
“Tash, tuj mos mujtun m’u durumun prej varrës randë të zemrës s’eme, po i lajmëroj vllazënve qi në vjetin 1915 Mihalaki Kambuluri me dredhime t’veta bani fli (mbyti) dy ma t’ndershmit atdhetar, shpirtndritçmit Mustafa Qulli dhe Çerçiz Topulli qi sot Shqipnia i vajton”. Kjo dëshmi e tronditi rëndë opinionin. Në numrin e datës 16 korrik në gazetën “Kuvendi”, Mihalaki Kambuluri iu përgjigj Bjankut duke e cilësuar shpifje atë që ai shkruan.
Por shfajësimi të lë me gojë hapur teksa ai implikon Fejzi Alizotin:
“Fejzi Bej Alizoti i njef fort mirë shkaktarët e njimnendshëm t’ asaj vrasje, sikur ai vetë shumë herësh m’a pat diftue ktu në Shkodër, kur shifeshim ditë për ditë e rrinim bashkë…”.
Se sa e vërtetë është që Alizoti të kishte dijeni, kjo nuk është vërtetuar, por pas kaq vjetësh një dëshmi e shkruar vlen sa një mijë prova.
Ndërkohë ndryshonte arsyeja dhe rrethanat për eliminimin e gazetarit Mustafa Qulli. Të dhënat tregojnë se ai u vra si austrofil dhe kjo ndihej hapur në shkrimet e tij në gazetën “Populli” që botohej në Shkodër, në të cilën ai ishte drejtor. Kjo kishte sjellë zemërimin e malazezëve, por sidomos të serbëve dhe, nga situata e krijuar, ishte një rast që, duke e bërë bashkë me Mustafanë Çerçizin, të eliminonin njëherësh dy shqiptarë që luftonin me penë dhe me pushkë.
KATËR VARRIME
Eshtrat e Çerçiz Topullit nuk gjetën prehje kollaj. Katër herë nëntoka shqiptare ka pranuar trupin e tij të vdekur si të ishte një reagim. Varrimi i parë u krye nga malazezët, të cilët pasi e vranë, ende me gjak të ngrohtë e futën në dhe. Varrimi i dytë u krye më 27 nëntor të vitit 1936, në Gjirokastër, në një ceremoni shtetërore, ndërkohë që më 14 shtator 1936 në Shkodër ishte kryer zhvarrimi dhe kjo u shoqërua me një ceremoni përcjelljeje që ka mbetur në histori, sepse kjo ishte edhe dalja e parë publike e Enver Hoxhës me një fjalim që ai mbajti në ballkonin e bashkisë së qytetit.
Në vitin 1945 u krye varrimi i tretë, duke i vendosur eshtrat në Varrezat e Dëshmorëve në Gjirokastër. Në vitet ’70-të eshtrat u vendosën në kodrën e qytetit të Gjirokastrës bashkë me varret e Bajo Topullit, Koto Hoxhit dhe Pandeli Sotirit të shoqëruara me një memorial.
Shkëputur nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, me autor Roland Qafokun.