Historia e panjohur e fëmijëve afrikanë në Shqipëri: Si Makanga preu damarët me një copë xhami dhe çfarë i shkruajti Enver Hoxhës

Historia

Historia e panjohur e fëmijëve afrikanë në Shqipëri: Si Makanga preu damarët me një copë xhami dhe çfarë i shkruajti Enver Hoxhës

Më: 18 tetor 2024 Në ora: 08:18
Historia e panjohur e fëmijëve afrikanë në Shqipëri

Shqipëria forcoi marrëdhëniet e saj me Republikën Popullore të Kinës nën udhëheqjen e Mao Ce Dunit, në një përpjekje për të krijuar një front kundër kapitalizmit perëndimor dhe ndikimit “revizionist” sovjetik në Afrikë.

Nëpërmjet diplomatëve në Akra, Partia e Punës e Shqipërisë vendosi lidhje me anëtarët e Unionit të Popujve të Kamerunit, UPC, Abel Kingue dhe Ndeh Ntumazah. Për të mbështetur luftën e tyre, kundër regjimit neo-kolonial në Kamerun, shqiptarët pritën fëmijët dhe gruan e Ntumazah, në vitin 1964.

Tre vjet më vonë, në vitin 1967, Shqipëria u bë vendbanimi i përhershëm i fëmijëve të Elise Osendé, e cila me shumë gjasa, ishte gruaja e Osendé Afana. Afana, gjithashtu nga UPC, u vra në luftime në vitin 1966.

Ambasada shqiptare në Algjeri, shërbeu si pikë kontakti me aktivistët kongolez. Pasi një koleg kubanez, i tregoi për bëmat e Che Guevarës në Kongo, ambasadori shqiptar në Algjer, rekomandoi që qeveria në Tiranë të priste tre studentë kongolezë që ishin dëbuar nga Belgjika për arsye politike, si dhe gruan dhe fëmijën e njërit prej tyre. Studentët u këshilluan të shkonin në Shqipëri, nga Jacques Grippa, kreu i Partisë Komuniste të Belgjikës, i cili planifikoi të shkonte në vend për pushime.

Disa studentë dhe aktivistë kongolezë, udhëtuan në Shqipëri në mesin e viteve 1960. Në vitin 1966, një vit pas grushtit të shtetit që solli Mobutu në pushtet, 15 fëmijë kongolezë dhe një fëmijë i lindur në Ugandë, mbërritën në Shqipëri. Midis tyre ishte edhe fëmija i aktivistit revolucionar, Willem-Emmanuel Kabasu Babo.

Kabasu Babo, udhëtoi për në Tiranë në vitin 1967, me Constantin-Marie Kibëe dhe Thomas Mukwid. Në kryeqytetin shqiptar, ata arritën një marrëveshje për të formuar një parti marksiste-leniniste, që u themelua në Kongo, si Partia Komuniste e Kongos.

Babo u kthye në Shqipëri në vitin 1970, duke hetuar për kushtet e fëmijëve kongolezë dhe i kërkoi qeverisë shqiptare mbështetje financiare dhe logjistike, në këmbim të diamanteve, arit, uraniumit, merkurit dhe kokainës. Qeveria e hodhi poshtë kërkesën pasi Babo ishte përjashtuar nga partia e tij për shkak të prirjeve të supozuara pro-sovjetike.

Fëmijët kongolezë dhe kamerunas, ishin nga mosha 2, deri në 15 vjeç, kur mbërritën në Shqipëri. Ata u rritën pa prindërit e tyre, disa prej të cilëve u vranë në luftime.

Deri në mesin e viteve 1970, autoritetet shqiptare u kushtuan pak vëmendje, por interesi u rrit, kur shumica ishin në adoleshencë dhe disa filluan të shfaqnin tendenca përçarëse.

Në vitet 1974-‘75, krerët lokalë të Komitetit të Partisë së rrethit të Vlorës, u ankuan për “sjelljen e pakëndshme” në bregdetin e Adriatikut, të të rinjve “kongolezë” José (“Zhose” ose “Zhozef” në arkivat shqiptare) Makanga dhe Vitali Pakasa, përkatësisht 15 vjeç dhe 16 vjeç.

Dyshja e kongolezëve u akuzuan për braktisje të shkollës, shoqërim me “elementë të degjeneruar”, në mesin e “rinisë sonë” dhe se ishin të dhunshëm dhe abuziv. Thuhej gjithashtu se; po ndiqnin modën dhe muzikën perëndimore.

Dokumentet arkivore përmbajnë gjurmë të politikës së vazhdueshme të margjinalizimit. Në një letër, termi racist “zezak”, përdoret rëndom prej tyre, kur i referohen Pakasa-s dhe Makanga-s.

Sipas drejtuesve komunistë të Komitetit të Partisë së rrethit të Vlorës, të dy të rinjtë duhet të ishin futur në punë, si gjithë emigrantët e tjerë, ose të dëboheshin nga vendi. Dyshja kongoleze, hodhi poshtë akuzat; Makanga protestoi për trajtimin e keq ndaj tyre dhe të dy u kërkuan autoriteteve lokale, ose t’i kthenin në Kongo, ose t’i fusnin në burg.

Gjendja emocionale e Makanga-s u përkeqësua deri në atë pikë, sa ai preu damarët me një copë xhami. Ai i shkroi udhëheqësit komunist Enver Hoxha, për të denoncuar trajtimin e tij nga autoritetet shqiptare, por letra çuditërisht, mungon në arkivat shqiptare.

Në vitin 1978, një raport i Ministrisë së Kulturës, pranoi se autoritetet lokale, i kishin margjinalizuar fëmijët kongolezë, duke thënë se ata kishin ardhur në Shqipëri, në një moshë shumë të re, por trajtoheshin si të huaj dhe e ndjenin këtë.

Një eksperiencë të ngjashme patën edhe adoleshentët afrikanë, në Elbasan. Në prill 1975, autoritetet komuniste lokale, u ankuan për sjellje të papërshtatshme nga Joseph (“Zhozef” në arkiva) Osendé, djali i Elise Osendé, dhe Jean Mate (“Zhan Mate/Mat” në arkiva).

Të dy kishin lavdëruar Bashkimin Sovjetik. Osendé, i cili dikur jetonte atje, pohoi se të rinjtë, kishin më shumë mundësi për argëtim. Osendé e braktisi shkollën dhe e kalonte kohën, duke lexuar romane, duke luajtur ping-pong dhe duke dëgjuar muzikë në radio.

Autoritetet lokale rekomanduan që studentët “afrikanë”, të largoheshin, sepse ishin “të padëshiruar”. Moneng Charles (“Mon Eng Sharl” në arkiva), një student më i vjetër, tërhoqi vëmendjen e autoriteteve shqiptare në vitin 1976.

Sipas Ministrisë së Brendshme, Charles përhapi literaturë revizioniste dhe propagandoi muzikën dekadente perëndimore, si dhe mënyrat e jetesës. Ai kishte kryer akte “imorale”, me shumë vajza shqiptare e të huaja dhe kishte marrëdhënie me personelin e ambasadave polake dhe bullgare, pretendonte ministria.

Charles u dëbua nga Shqipëria më 27 janar 1977, kur i duheshin edhe dy muaj e gjysmë, që të diplomohej për mjekësi. Para se të hipte në aeroplan, Charles u dha agjentëve që e shoqëronin, një kasetë me një mesazh për Hoxhën.

Duke u shfaqur se fliste në emër të të gjithë studentëve kongolez, Charles hodhi poshtë akuzat kundër tij, por tha se do t’i ishte mirënjohës Shqipërisë. Ai gjithashtu përmendi se shpesh ndihej i vetëm në vend dhe kërkoi nga partia, që të kujdesej për kongolezët e tjerë, sepse ata mund të arrinin më shumë se ai.

Ndikim i kufizuar në marrëdhëniet ndërkombëtare

Përhapja e lëvizjeve komuniste dhe fundi i regjimeve koloniale, krijoi forma solidariteti, që sfidonin ideologjinë raciste që karakterizon marrëdhëniet midis evropianëve dhe afrikanëve.

Megjithatë, efektet e lëvizjeve komuniste, ishin të kufizuara në nivelin e marrëdhënieve të jashtme dhe ndërkombëtare. Ato nuk prekën strukturat intime të shoqërisë socialiste, ku të huajt dhe disa grupe minoritare, vazhduan të margjinalizoheshin për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe racore.

Kjo tregon kufijtë e politikës së përfshirjes të nxitur nga shteti dhe hedh dritë mbi format e solidaritetit të kaluar dhe të sotëm midis qytetarëve shqiptarë dhe afrikanë, që shkojnë përtej hapësirave dhe marrëdhënieve të institucionalizuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat