“Moscenim i pronës dhe zgjedhje demokratike”- Letra e 18 korrikut 1943 që u shmang pas “Mukjes”! Çfarë shkruhej në dokument

Historia

“Moscenim i pronës dhe zgjedhje demokratike”- Letra e 18 korrikut 1943 që u shmang pas “Mukjes”! Çfarë shkruhej në dokument

Nga: Dr. Uran Butka Më: 30 tetor 2024 Në ora: 13:46
Foto ilustrim

Pjesa e parë

Marrëveshja kombëtare e Mukjes ishte një shans e një akt i bashkëpunimit të shqiptarëve dhe politikës të asaj kohe, në luftën kundër pushtuesve për çlirim, si edhe një përpjekje kombëtare për një Shqipëri të pavarur, të lirë e demokratike.

Kjo marrëveshje nuk lindi e vdekur, siç pretendon Marenglen Kasmi në shkrimin e gjatë botuar në numrin e pardjeshëm dhe të djeshëm të gazetës “Dita”. Mukja lindi si një nevojë e kohës. Lindi në një moment kyç historik të Shqipërisë dhe u ndihmësua edhe nga aleatët antifashistë për një luftë të përbashkët të të gjithë faktorëve shqiptarë. “Në konformitet me rekomandimet e bëra nga Misionet ushtarake Aleate, ne zhvilluam një takim me përfaqësuesit komunistë në fshatin Mukje, afër Tiranës. Të dyja partitë arritën mirëkuptim, që u prit me entuziazëm nga populli shqiptar”[1]

Marrëveshja e Mukjes u kthye në një realitet, kur u firmos nga të dy organizatat politike dhe ushtarake: Balli Kombëtar dhe Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar; kur u formua Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë dhe kur ky komitet i përbashkët iu drejtua më 3 gusht 1943 me një proklamatë popullit shqiptar për gjithë vendimet e Kuvendit të Mukjes, por edhe kur një ditë më pas u organizua nga ky komitet më 4-5 gusht 1943 një betejë e përbashkët e nacionalistëve dhe partizanëve kundër italianëve në Qafë-Shtamë, e komanduar nga major Abaz Kupi. Në këtë luftë u vra kapiteni italian Scarpa, u zunë mjaft robër dhe armatime[2]. Këtë betejë të parë të përbashkët, produkt dhe dëshmi e Marrëveshjes së Mukjes, nuk e zë në gojë Marenglen Kasmi ose nuk e di.

Pra, Marrëveshja e Mukjes nuk lindi e vdekur.

Mbi bazën e vendimeve historike të Marrëveshjes së Mukjes, u zhvilluan edhe mjaft luftime e beteja të përbashkëta kundër pushtuesve italianë e më pas gjermanë si Lufta e Qafë-Shtamës, gusht 1943, akordi ButkaMaklin 6 gusht 1943 dhe luftimet kundër autokolonave gjermane përgjatë rrugës Qafë Thanë- kthesat e Barmashit-Leskovik, gusht 1943, lufta e Pocestës në afërsi të Pogradecit, shtator 1943, ku ranë dëshmorë 2 partizanë dhe një nacionalist, lufta Reçit, shtator 1943 etj., lufta e Drashovicës (shtator 1943), luftimet në qarkun e Vlorës kundër gjermanëve (gusht-shtator 1943) e të tjera.

Gjithashtu, Marrëveshja e Mukjes vazhdoi të jetojë e ndikojë jo vetëm gjatë luftës për çlirim, por edhe në vitet në vijim, madje edhe deri në ditët e sotme për vlerat historike dhe mesazhet që përcjell. Nuk është e rastit që edhe pas 80 vjetësh nga Marrëveshja e Mukjes, Marenglen Kasmi rimerret me të dhe rreket ta tjetërsojë, duke e quajtur këtë marrëveshje të vdekur. Por kur është e vdekur, pse lodhet e harxhohet kot me një të vdekur? Në të vërtetë atë e shqetëson fakti që Mukja nuk ka vdekur, se ajo ishte një akt historik për bashkimin e shqiptarëve në luftën për çlirim, por është edhe një mësim i madh i historisë: Shqiptarët, sidomos politikanët në çdo kohë duhet të merren vesh e të bashkëpunojnë, kur është fjala për çështje të rëndësishme dhe interesa kombëtare.

Dhe në vend që të theksojë këtë fakt e këtë mesazh, Marengleni thotë se Marrëveshja e Mukjes ngjall përçarje. Një absurditet fëminor, që s’mund ta shqiptojë një historian. E vërteta nuk sjell përçarje, fshehja apo deformimi i saj, po.

Përçarjen dhe luftën mes shqiptarëve e solli PKSH me E. Hoxhën në krye (e pranon edhe historiani Paskal Milo, kur shkruan- “Letrat e Enver Hoxhës dëshmojnë pa asnjë mëdyshje se PKSH-ja ishte nismëtarja e veprimeve të armatosura kundër Ballit Kombëtar), përçarjen e sjellin edhe mashtrimi e falsifikimi i të vërtetës historike nga Marenglen Kasmi etj.

Marengleni kundërshton dhe përgënjeshtron edhe veten, kur në vëllimin e katërt (ku është bashkautor) të “Historisë së shqiptarëve gjatë shekullit XX (1939-1944)-botimet albanologjike, Tiranë 2021, trajtohet objektivisht dhe vlerësohet pozitivisht marrëveshja e Mukjes, roli i saj, dhe ku dokumentohen pasojat dramatike të prishjes së saj nga PKSH, që çuan në luftën civile.

Marenglen Kasmi anashkalon edhe ndikimin e ndërhyrjen e komunistëve jugosllavëve në prishjen e Marrëveshjes së Mukjes. Janë me qindra dokumente që do t’i trajtojmë më poshtë, të cilët e vërtetojnë katërcipërisht këtë fakt. Po citoj vetëm letër të Miladin Popovicit drejtuar Titos” “Kemi ndikuar në PKSH dhe në LNÇl që gjithsesi të prishim Marrëveshjen e Mukjes[3], si edhe përsiatjet e Dushan Mugoshës për Mukjen[4].

Marrëveshja e Mukjes është një ngjarje e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, por dhe një çelës për të hyrë brenda saj, për të ndriçuar e shpjeguar fenomenet e ngjarjet më të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore dhe të gjithë periudhës gjysmëshekullore që pasoi, është një mësim për të gjithë ata që duan të mësojnë nga historia, një mesazh i nevojshëm për sot dhe për të ardhmen. Një mësim edhe për Marenglenin.

Mbledhja e Mukjes, që ka dimensionet dhe vlerat e një kuvendi kombëtar, u zhvillua më datën 1–3 gusht të vitit 1943. Në një kapërcyell kohësh: në prag të kapitullimit të Italisë fashiste dhe të pushtimit gjerman të Shqipërisë; në një udhëkryq të historisë sonë: në prag të bashkimit kombëtar në luftën kundër okupatorëve, por edhe të ndarjes, të mosmarrëveshjes dhe të konfrontimit të madh brenda vetes; në një dualitet alternativash: nacionaliste apo komuniste, demokratike apo totalitariste, perëndimore apo lindore.

Për të ardhur deri në Mukje, u desh një rrugë e gjatë dhe e mundimshme e forcave kombëtare e demokratike, të cilat, të shqetësuara për fatet e Shqipërisë e të kombit në kushtet e pushtimit, kërkonin një zgjidhje, një levë të brendshme për t’i përballuar. Kjo levë ishte kodi shqiptar i besëlidhjes dhe i bashkëpunimit në rrezik.

Ndarja e madhe në dy grupime antagoniste të rezistencës shqiptare, ku përfshihej gati i gjithë populli, e kishte brenda mundësinë e bashkimit të përshpejtë, sidomos përballë pushtuesve nazifashistë, por e kishte brenda edhe rrezikun e konfliktit, sidomos përballë presionit sllavo– komunist; i kishte premisat objektive edhe për bashkëpunim, por edhe konfrontim midis tyre për pushtet, gjë që mund të sillte luftë civile. Përballë këtij rreziku të dyfishtë, e vetmja zgjidhje pozitive e shpëtimtare për Shqipërinë ishte bashkëpunimi midis dy grupimeve më të mëdha politike e ushtarake në luftë kundër armiqve të përbashkët të Shqipërisë, por edhe më tej.

Gjatë shekujve, shqiptarët kishin bërë marrëveshje historike për të ruajtur jetën, lirinë dhe integritetin territorial. Ndryshe nga marrëveshjet e njëzëshme të mëparshme të shqiptarëve, Marrëveshja e Mukjes bashkoi për interesa madhore dy krahët më ekstremë të mendimit dhe të politikës shqiptare: Organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Frontin komunist Nacional çlirimtar.

A mund të bashkoheshin dy të kundërtat, kur ishte në lojë interesi kombëtar? Po.

Së pari, sepse në këtë moment kritik bashkëpunimin e kërkonin të gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë. Bashkimi ishte bërë nevojë e vullnet i një kombi. Në mos në Mukje, diku tjetër do të kryhej ky akt madhor, i mbarsur në kohë. Duhej një luftë e përbashkët antifashiste dhe jo një luftë e pjesshme, partiake.

Së dyti, sepse të dy grupimet kryesore të rezistencës antifashiste: Fronti NÇ dhe organizata e Ballit Kombëtar, e konsideronin okupatorin si armik, shkelës së sovranitetit dhe të pavarësisë së Shqipërisë dhe si i tillë ai duhej luftuar.

Së treti, deri në Mukje grupimet kryesore politike ende e konsideronin njëri-tjetrin si kundërshtarë politikë, por jo si armiq. Fakti që gjatë vitit 1943, ishin nënshkruar e arritur mjaft marrëveshje lokale dhe kërkohej me insistim nga populli dhe nga përfaqësuesit e të dy organizatave në bazë që ky mirëkuptim të vendosej edhe në qendër, fakti që deri në gusht të vitit 1943, çetat nacionaliste dhe ato partizane në përgjithësi nuk erdhën në përpjekje të armatosur midis tyre, madje zhvilluan mjaft beteja të përbashkëta si në Gjorm, Pocestë, Reç etj, vërteton frymën ekzistuese të mirëkuptimit e jo të konfrontimit mes shqiptarëve.

Së katërti, sepse zgjidhja e çështjes sonë kombëtare, doli si problem jetësor i kombit shqiptar, sidomos gjatë Luftës së Dytë, mbi parimin e vetëvendosjes së popujve. Prandaj edhe në parim u shtrua në konferencën e Mukjes. Kërkesa e vullneti i shprehur i popullit të Kosovës për bashkim me Shqipërinë, sipas parimit të Kartës së Atlantikut, me plebishit, u bë shprehje e vullnetit gjithë kombëtar, gjë që impononte e kapërcente edhe mospajtimet politike të grupeve kryesore të rezistencës. Edhe përfaqësuesit e Këshillit të NÇL. në Mukje, megjithëse nuk e kishin në programin e tyre Shqipërinë etnike për arsyet që tashmë dihen, nuk dolën kundër dëshirës e vullnetit gjithëshqiptar për një Shqipëri të bashkuar etnike dhe, më në fund e pranuan këtë opsion. Në një letër të Miladin Popoviçit drejtuar Titos, në prag të Konferencës së Mukjes shkruhet ndër të tjera: “E tanë Shqipënia asht e okupueme prej këtij problemi”.

Së pesti, edhe situata ndërkombëtare në verën e vitit 1943 ishte më e favorshme. Koalicioni i madh antifashist po përparonte në luftën kundër nazifashizmit. Misionet aleate britanike kishin ardhur në Shqipëri dhe kishin kontaktuar si me Nacionalçlirimtaren ashtu edhe me Ballin Kombëtar, kërkonin bashkëpunimin mes tyre në luftë kundër ushtrive të Boshtit dhe e mbështetnin atë. Shefi i britanikëve, Bill Maklin i shkruante Kuartierit të Përgjithshëm në Bari- ”Jam informuar se këto ditë do të bëhet një takim midis përfaqësuesve të Ballit dhe LNÇ me qëllim bashkimi ose arritjen e një marrëveshjeje për të bërë të mundur një koordinim të ngushtë të aktivitetit kundër Boshtit. Është e tepërt të theksoj rëndësinë jetike të bashkimit të të gjithë patriotëve shqiptarë në luftën kundër armikut të përbashkët” [5]

Për këto arsye, marrëveshja e bashkëpunimi gjithëshqiptar ishin plotësisht të mundshme.

Është merita e vetëdijes kombëtare, përgjegjësia dhe angazhimi i figurave të shquara shqiptare, që në këtë situatë të brendshme e të jashtme të favorshme por edhe të rrezikshme për Shqipërinë, e kuptuan dhe e ndjenë nevojën e domosdoshme të bashkimit, e dëgjuan thirrjen për marrëveshje mbarëshqiptare dhe u përpoqën ta ngjiznin atë.

Mukja po trokiste në dyert e historisë shqiptare, se e kërkonte koha.

U bënë mjaft takime e konsultime paraprake ndërmjet eksponentëve kryesorë të të dy organizatave, por elementët kryesorë bashkues ishin Abaz Kupi nga Nacionalçlirimtarja dhe Ihsan Toptani nga nacionalistët.

Dokumenti më i rëndësishëm në rrugën drejt Mukjes ishte, pa dyshim, ai i datës 18 Korrik 1943, një mesazh i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar drejtuar Organizatës së Ballit Kombëtar, hartuar dhe firmosur nga Y. Dishnica, M. Gjinishi, A. Kupi dhe M. Peza, që shpreh parimet kryesore të Lëvizjes Nacionalçlirimtare mbi të cilat u arrit edhe mirëkuptimi. Ky dokument i rëndësishëm nuk është botuar më parë dhe është heshtur qëllimisht, sepse këto parime demokratike, si: lufta antifashiste ku të marrin pjesë gjithë atdhetarët pa dallim feje, krahine dhe ideje; moscënimi i pronës dhe i inisiativës private, zgjedhje të lira e demokratike pas shporrjes së pushtuesve, u shmangën më vonë.

Sipas procesverbalit të mbledhjes së Mukjes, të dyja organizatat u përfaqësuan nga këta. delegatë:

Delegacioni Delegacioni i Ballit Kombëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nç

Z. Av. Hasan Dosti 1. Major Abaz Kupi

Z. Mid’hat Frashëri 2. N/Kolonel Jahja Çaçi

Av. Thoma Orollogai 3. Kom. Myslim Peza

Av. Skënder Muço 4. Dr. Ymer Dishnica

Komandant Hysni Lepenica 5. Z. Mustafa Gjinishi

Prof.Isuf Luzaj 6. Dr. Omer Nishani

Komandant Kadri Cakrani 7. Dr. Sulo Bogdo

Major Rauf Fratari 8. Z. Stefan Plumbi

Prof. Nexhat Peshkëpia 9. Z. Shefqet Beja

Av. Halil Mëniku 10. Z. Medar Shtylla

Kom.Ismail Petrela 11. Z. Haki Stërmilli

Prof.Vasil Andoni 12. Gogo Nushi

Kryetarë delegacionesh ishin Mid’hat Frashëri dhe Ymer Dishnica. Kryetar i punimeve të Kuvendit u zgjodh me propozim të Nacionalçlirimtares, Thoma Orollogai, delegat i Ballit Kombëtar, ndërsa sekretar Mustafa Gjinishi i PK.

Pas një debati prej tri ditësh, u arrit marrëveshja. Pika e parë e saj ishte krijimi i Komitetit “Për shpëtimin e Shqipërisë”. Atributet e tij të rëndësishme, flasin për një zgjidhje të re politike, për një përgjegjësi, pjekuri dhe angazhim të madh kombëtar të forcave politike kryesore në Shqipëri. Ky ishte forumi i parë pluralist në Shqipëri, si forma më demokratike e qeverisjes së botës së qytetëruar. Kjo mënyrë organizimi do të shtrihej edhe ne gjithë strukturat e bazës dhe do të unifikonte drejtimin, do të shmangte anësinë partiake, do të eliminonte përçarjen e antagonizmin, do të mënjanonte rrezikun e luftës civile, do të bashkonte në një front të përbashkët të gjithë shqiptarët pavarësisht nga bindjet politike, nga përkatësia partiake, fetare, krahinore, në luftë të përbashkët kundër okupatorëve dhe do të çelte udhën e demokracisë së vërtetë pluraliste perëndimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat