Enver Hoxha, nga tregimet më të sinqerta të të gjithë jetës së tij, ka deklarimet në “Katër ditët e Beratit”, ku ai rrëfen edhe vijën terroriste të ndjekur nga ai vetë dhe shokët e tij bashkëpunëtorë të afërt në veprimtaritë e Luftës dhe të partisë. Madje ai atje edhe thotë apo denoncon se çfarë ishte terrorizmim si është zhvilluar ai gjatë viteve të Luftës dhe kush e futi atë frymë?! Ja si zbërthehet ai në Plenumin e Beratit: “Vija terroriste ishte më e theksuar te Dushani dhe tek Aliu (pseudonimi i Miladin Popoviçit)...Në këtë pikë unë isha pasqyra e Aliut. Kur vinte ndonjë nga fronti, ku thuhej se ky apo ai po vepronte keq, ne vendosnim ta vrisnim...Vjen raporti nga Gogoja për Sotir Kondin dhe ne i themi atij që ta vriste. Vjen një raport për Anastas Plasarin e për Zef Malën, ne japim udhëzime, të vriten! Vjen raport nga Shulja, i cili kërkon të vejë e të piqet me Gani Kryeziun, gjoja për punën e Fundos, ne marrim masa ekstreme. Sa për çështjen e Mustafa Gjinishit,... Unë kam qenë ai që kam vendosur për këtë çështje”.77)
Siç deklaron se “unë kam qenë ai që kam vendosur për këtë çështje”, për vrasjen e Mustafa Gjinishit) Enver Hoxha po atje në Plenumin e Beratit, me paturpësinë më të madhe, po aty thotë se nuk di gjë “Vetëm di që më erdhi telegrami...që thoshte: Puna doli me sukses”!78) Në tej në diskutimet e tij ndërhyrëse gjatë mbledhjes Enver Hoxha po vetë pranon e analizon se “terrorizmi si në popull, si në Ushtri, si në parti, tregon së pari; dobësinë e vijës sonë politike, së dyti; tregon mosbesimin në popull, së treti; tregon se ne nuk kemi lidhje me masat”.79)
Për terrorizmin e majtistëve d.m.th. të komunistëve të Enver Hoxhës, tregojnë vetë diskutimet e delegatëve në “Katër ditët e Beratit”, të cilat bazohen në fakte e ngjarje konkrete. Mes shumë figurave të Luftës të asgjësuara me firmën e Enver Hoxhës, siç e theksuam edhe më sipër ishte ajo e Mustafa Gjinishit. Njoftimi i Liri Gegës direkt për Enver Hoxhën se “urdhëri u ekzekutua”80), u zbulua në vitin 1956, kur vetë Liri Gega e dekonspiroi, por që këtë formalisht e nxorrën para trupit gjykues dhe më pas e vranë edhe atë edhe bashkëshortin e saj gjeneralin Dali Ndreun, ish anëtarin themelues të Shtabit të Përgjithshëm, po me firmën e Enver Hoxhës. Si për të (që Liri Gega ishte edhe shtatzënë), edhe për bashkëshortin e saj gjeneralin Dali Ndreu, Enver Hoxha e dha vetë masën e pushkatimit. Po kush ishte Liri Gega?!.81) Edhe kjo në vitin 1944 ishte anëtare e Shtabit të Përgjithshëm dhe gjatë Luftës Antifashiste, kishte mbajtur mjaft detyra të rëndësishme, megjithatë Enver Hoxha e pushkatoi.
Le të bëjmë edhe një degresion për Mustafa Gjinishin. Vendimi për ekzekutimin e tij ishte i hershëm, po i Enver Hoxhës, madje që nga Konferenca e Mukjes. Se si ishte çështja e mbledhjes së Mukjes, do ta spjegojmë por le të flasim për ekzekutimin e Mustafa Gjinishit. Ishte 23 gushti i vitit 1944 kur në atë ditë në Peshkopi inaugurohej Brigada e 18 -të Sulmuese. Pikërisht në atë inaugurim ishte “ngarkuar” të përshëndeste dhe përshëndeti si anëtari i Shtabit të Përgjithshëm Mustafa Gjinishi. Tek po kthehej, nga një pritë në Qafën e Çenokut e qëllojnë dhe e vrasin. Për këtë vrasje, Enver Hoxhën e pyesin në Plenumin e Beratit dhe ai qtje do të jepte këtë përgjigje shprehej se “vrasja e Mustafa Gjinishit duhej bërë...”.82)
Thënia e sipërcituar e Enver Hoxhës lidhej me Mukjen. Menjëherë pas saj, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi e urdhërojnë Enver Hoxhën për t’u mbledhur në Vithkuq e “për të analizuar qëndrimin e Mustafa Gjinishit dhe të Ymer Dishnicës në Mukje, lidhur me të ashtuquajturin kompromis që ata kishin bërë në atë mbledhje-marrëveshje. Ende pa u kthyer Mustafa Gjinishi dhe Ymer Dishnica nga Mukja, Enver Hoxha me një fonogram mbledh urgjent në Vithkuq drejtuesit kryesorë të Ushtrisë dhe të partisë. Konkluzioni i Enver Hoxhës në atë takim ishte se “ata (Mustafa Gjinishi dhe Ymer Dishnica) -duhen pushkatuar”.83)
Por nuk i ekzekutuan menjëhërë. Dhe kur si vendim ai pothuajse në opinion ishte sfumuar nuk shkoi shumë dhe Enver Hoxha për Mukjen e ekzekutoi në pritë Mustafa Gjinishin me dorën e Liri Gegës. Këto i ka deklaruar vetë Liri Gega para pushkatimit. Ndërsa vendimi i marrë edhe për Ymer Dishnicën, mbeti i pa zbatuar. Ndofta sepse e shoqja e Doktorit, Flora Dishnica, ishte shifrante e Shtabit të Përgjithshëm dhe për disa kohë edhe sekretare personale e Enver Hoxhës. Gjithsesi, Doktori i shpëtoi vendimit të Vidhkuqit për ekzekutim, por jo arrestimit dhe burgimit të mëvonshëm.
Mustafa Gjinishi jo vetëm që ishte një kuadër i lartë i Lëvizjes dhe i Luftës, por edhe e kaluara e tij ishte patriotike. Ishte i biri i Adem Gjinishit dhe nip i nënshkruesit të Shpalljes së Pavarësisë Mahmut Efendi Kaziut. Edhe i jati i Mustafait kishte qenë delegat në Kongresin e Lushnjës dhe u vra në prag të zgjedhjeve të vitit 1923 bashkë me Haxhi Isuf Kazazin. Të gjitha këto, kishin ndikuar në jetën dhe formimin e Mustafa Gjinishit. Mësimet Mustafai i ndoqi në Shkollën Teknike të Fulcit në Tiranë në vitet 1924 - 1930, i vlerësuar edhe prej vetë drejtorit. Pasi botoi një seri shkrimesh me përmbajtje revolucionare te të përkohshmet “Shekulli XX” e “ABC”, apo te “Jeta dhe kultura” “Flaka” e “Besa” etj., ra në kontakt me idetë komuniste prej mësuesit të tij Hasan Reçi dhe ishte pjesë e grupit të themeluar prej tij. Me rastin e kryengritjes së Fierit, dënohet me vdekje, dënim që iu kthye në burgim të përjetshëm. Lirohet nga burgu në vitin 1938 dhe mori pjesën në demonstratat e para të prillit të vitit 1939. Më pas u arratis në Mbretërinë Jugosllave me Myslim Pezën, Haxhi Lleshin, Mustafa Kaçaçin, Hamit Shijakun etj. Së bashku me Abaz Kupin, Gani bej Kryeziun, Xhemal Herrin e Mustafa Bajraktarin organizojë në Jugosllavi Frontin e Bashkuar të Rezistencës. Pasi u kthehet në Atdhe Mustafa Gjinishi ngarkohet me detyrë dhe shërben pranë njësive komuniste të Grupit të Korçës. Ishte Mustafa Gjinishi ai që në vitin 1941, nxori nga burgu i Peqinit Miladin Popoviçin. Merr pjesë në Konferencën e Pezës në shtator të vitit 1942, ku kryen detyrën e sekretarit të Konferencës. U zgjodh në mbledhjen themeluese të Shtabit të Përgjithshëm anëtar i tij dhe me ardhjen e misioneve ushtarake britanike, kryen edhe detyrën e përkthyesit me ta. E gjithë veprimtaria e tij flet për një personalitet të padiskutueshëm të Lëvizjes komuniste dhe në Ushtrinë Nacionalçlirimtare.
Por ajo që duhet evidentuar është fakti se Mustafa Gjinishi i bënte karshillëk Enver Hoxhës, veçanërisht me mendimet e tij të pavarura properëndimore, posaçërisht ndaj Misionit aleat britanik, tek i cili për kulturën dhe diapazonin e tij këta kishin vlerësimin më të madh. Këto e shqetësonin Enver Hoxhën dhe kjo del edhe në të gjitha hamendjet, që bën Enver Hoxha në librat e tij me kujtime, ku ka ngjyresa të mëdha smire e xhelozie kundrejt lidhjeve dhe zhdërvjelltësisë së komunikimit pse jo edhe të vlerësimit të Mustafa Gjinishit nga anglezët. Më shumë ishin mendimet e Mustafa Gjinishit properendimore e vizioni i tij për ndërtimin e Shqipërisë së demokratike se sa ishte prania e tij si përkthyes pranë oficerëve e misioneve angleze, ajo që do të bënte që figura e tij të dënohej nga Enver Hoxha dhe historiografia komuniste ta cilësonte si agjent anglo-amerikan.84)
Se si e dënuan Mustafa Gjinishin në Vidhkuq, por së bashku me të edhe Ymer Dishnicën, kemi tregimin e Xhelal Staraveckës, ish-komandant batalioni në Brigadën e parë Sulmuese, ish vetë pjesmarrës në atë takim. Pas largimit të tij nga Brigada, Xhelal Staravecka ka shkruar një artikull për veprimtaritë antikombëtare të partisë e të partizanëve të saj në gazetën “Balli i Kombit” ku trajton edhe analizën e Vidhkuqit për bledhjen e Muksjes dhe vendimet e saj . “Para se të fillonte mbledhja në Vidhkuq, -shkruan Staraveçka pashë të -tërhiqen veçan Miladini, Dushani, Enveri,...Më pas ata vijnë dhe zënë vendet...85) Nisi mbledhja, të cilën e hapi Dushan Mugosha, i cili pasi foli për rolin e madh që po luante në këtë luftë të përbashkët mareshalli Tito dhe gjeneral Enver Hoxha, nuk nguroi që me cinizmin që e karakterizonte të sulmonte figurat nacionaliste shqiptare dhe vendimet e fundit të Konferencës së Mukjes. Mustafa Gjinishi, ju e dini se është agjent anglez -iu drejtua Dushan Mugosha të pranishmëve. Unë propozoj që për Mukjen, ta dënojmë (Mustafa Gjinishin) me vdekje. Për Ymer Dishnicën?!... Edhe ai është element shumë i rrezikshëm për ne dhe për partinë, ndaj edhe këtë duhet ta dënojmë me vdekje”.86) Menjëherë nis një replikë, “që e bën Nako Spiru me Dushanin në lidhje me vendimin që ky komunikoi. Ndërhyn përsëri dhe e merr fjalën Enver Hoxha duke i u drejtuar të pranishmëve me pyetjet se “Si mundën, që këta ta tradhtojnë Partinë, udhëheqjen e saj, dhe këta shokë Mustafa Gjinishi e Ymer Dishnica të bien viktimë e propagandës balliste”?87) “Si mund të biem dakord ne për ta marrë pushtetin pas Çlirimit së bashku me nacionalistët”?! -pyeti retorikisht Enver Hoxha. “Unë mendoj që vendimin që e dhanë shokët Dushan dhe Miladin për Mustafanë, duhet ta realizojmë,... ata duhen pushkatuar! E theksoj se duhen pushkatuar””!88)
Vendimin e marrë për pushkatimet në Vidhkuq, Enver Hoxha e la në heshtje. Tre muaj para Çlirimit të vendit, Komisari dhe Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha, i ngriti një pritë anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm Mustafa Gjinishit dhe e vrau. Më pas në Berat, siç e kam përmendur edhe më sipër, vetë Enver Hoxha konfirmon se “vrasja duhej bërë”.89)
Ajo që e thellon akoma më shumë krimin është se menjëherë sapo merr fonogramin e vrasjes Enver Hoxha si Komandant i Përgjithshëm nxjerr Urdhrin dhe e shpall Mustafa Gjinishin dëshmor, duke shpallur edhe tri zi kombëtare. Madje për tri ditë urdhëron që edhe flamuri Kombëtar për vrasjen e Mustafa Gjinishit të ulej në gjysmë shtizë! Nuk ka fjalë tjetër veçse vrasës dhe kameleon.
Po ky Enver Hoxhë, vite më pas në kujtimet e tij e cilëson Mustafa Gjinishin “agjent të anglo-amerikanëve”! Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse Enver Hoxha në atë kohë, të tilla udhëzime merrte nga serbosllavët. Por ç’rëndësi kanë etiketimet e Enver Hoxhës, hero apo agjent?! Mustafa Gjinishi ishte demokrat me shpirt dhe me mendime, properëndimor dhe luftonte për një Shqipëri demokratike dhe jo sllavo-komuniste, mendime që nuk i pëlqenin binomit Enver Hoxha - Miladin Popoviç.
Çfarë ka dëshmuar tjetër Enver Hoxha në kujtimet e veta të lëna për Mustafa Gjinishin? “Gjinishi, ishte njeri i zgjuar, dinamik, aktiv por mendjemadh, i mbyllur ndaj nesh dhe jo i sinqertë... Lidhur me njerëzit me të cilët takohej, nuk na thoshte asgjë konkrete. Më vonë mësuam se ku ishin “bazat” dhe “mbështetja” e tij. Gjoja ilegal, në kohën e Lëvizjes ai bridhte anembanë Tiranës me syze të zeza, me rroba blu, me qillota, herë me borsalinë dhe herë me kasketë, i veshur me kapardinë të bardhë dhe mbante një çantë të zezë në dorë, ku kishte letra, një dhjetëshe turke dhe disa bomba jugosllave. Njerëzit tanë na raportonin se ai shkonte dhe takohej me Irfan Ohrin, Mit’hat Frashërin, Sheh Karbunarën, Kamber Qafmollën, Abaz Kupin e të tjerë. Se ç’bisedonte me ta, pak gjëra konkrete na thoshte. Me ardhjen e misionit anglez, Gjinishi na u kapardis si maçoku në thekër, megjithëse edhe ai edhe ata ruanin aparencat. Mustafai “i gëzueshmi”, “interesanti” dhe “i sinqerti” siç thoshin anglezët për të, kishte avantazhin se dinte anglisht dhe mund të fliste lirshëm me ta, të përkthente mbarë e prapë. Mundoheshim të bënin lidhjen midis disa takimeve të anglezëve me personalitete “nacionaliste” dhe takimeve që pati bërë Mustafai me njerëz, që tash ishin kapur me Ballin por megjithatë akoma nuk e kishim gjetur fillin e shtjellimit të këtij lëmshi”.90)
Nga këto që shkruan Enver Hoxha për Mustafa Gjinishin, del qartë se ai e ndiqte atë me keqdashje hap pas hapi. Të vetmen “akuzë” që Enver Hoxha i ngriti rivalit Mustafa Gjinishi, ishte ajo se “Mustafa Gjinishi shkonte mirë me misionarët anglezë pranë Shtabit të Përgjithshëm”. Por kjo, edhe ashtu siç e shkruan Enver Hoxha, nuk tregon për vepër spiunazhi, por për një detyrë e tij si antar i Shtabit të Përgjithshëm. Optika me të cilën shikonte Enver Hoxhën e “shqetësonte”, ndaj i vuri nofkën “agjent”. Ja si e dekonspiron Enver Hoxha veten në kujtimet e tij lidhur me ndjekjen ogurzezë që i bënte Mustafa Gjinishit. “Në Labinot kisha planifikuar takimin me gjeneralin Dejvis...mora me vete doktor Nishanin, Sejfulla Malëshovën, Spiro Moisiun, Konstandin Boshnjakun, Nako Spiron, Spiro Kolekën dhe Mustafa Gjinishin. Ky i fundit do na shërbente edhe si përkthyes. Ai u gëzua që e mora me vete dhe këtë e shfaqte, por edhe sikur ta fshihte, unë e ndieja se ai digjej për anglezët. Me këtë rast do më jepej mundësia të vreja më me kujdes reagimet e Mustafës ndaj anglezëve”.91)
Ndërsa në një takim tjetër që bën Enver Hoxha me gjeneralin anglez Dejvis, ky i fundit i kërkon bashkëpunim në të mirë të Shqipërisë edhe me lojtarët e tjerë të Luftës, me Abaz Kupin etj. Dhe pas atij takimi e bisedimi me gjeneralin Dejvis, Enver Hoxha “shfryhet” përsëri se “agjenti Mustafa Gjinishi patjetër u a kishte bërë raportin” anglezëve.92)
Nga të gjitha dokumentacionet e Luftës, del se Enver Hoxha e ndiqte Mustafa Gjinishin që të realizonte vendimin që kishte për “tradhëtinë e Mukjes” marrë në Vidhkuq. Ja si shprehet po në kujtimet e tij Enver Hoxha për Mustafa Gjinishin që e survejonte hap pas hapi: “Kapa një sinjal nga Radio BBC -i, që i drejtohej “Tafarit”, pseudonimi i Gjinishit... Pastaj e thërrita Gjinishin në Labinot dhe aty e detyrova të tregonte të vërtetën se ishte agjent i anglezëve. Gjinishi pranoi se ishte bashkëpunëtor i misioneve ushtarake angleze por për të mirën e Shqipërisë”.93)
Sipas pasazhit të mësipërm, shkruar nga vetë Enver Hoxha, del jo se Mustafa Gjinishi ishte “agjent i anglezëve” por se ai ishte “bashkëpuntor i misioneve ushtarake angleze por për të mirën e Shqipërisë”. Këtë bashkëpunim të ndershëm dhe jo aspekt të spiunazhit, Mustafa Gjinishi, me anglezët lidhjet i kishte nisur që kur ishte në Jugosllavi me nënkolonelin Hill dhe ishte ai Hilli, që e kishte nisur Mustafa Gjinishin për në Shqipëri bashkë me Abaz Kupin për të organizuar Lëvizjen Antifashiste. Por Enver Hoxha si djallzor që ishte, në kujtimet e tij ka shkruar çfar i ka dasht qejfi, se Mustafa Gjinishin që ta kundërshtonte e çoi në varr. Ja ç’shkruan ai për takimin mes tyre në Labinot: “Pas disa orësh rrahje mendimesh në mes nesh, duke peshuar çdo gjë, rrethanat e luftës, rrethin shoqëror dhe njohjet e Gjinishit, rrezikshmërinë e tij, veprimet e tij tradhtare, karakterin e tij fodull e bajraktar, pohimin e plotë të veprimtarisë, këtë radhë vendosëm të mos e dënonim me vdekje. Ne e falëm sepse ai na dha fjalën se do të mbeste besnik i Partisë, por ai... ishte e mbeti agjent i anglezëve. Në prag të Kongresit të Rinisë në Helmës, u takova me nënkolonelin Lik, i cili kishte dijeni se ne do të mbanim një kongres. Ja dhe një shenjë tjetër e tradhtisë dhe spiunimit. Mendova se anglezët do të kishin ndonjë informator në radhët tona dhe ai informator ishte Mustafa Gjinishi”.94)
Edhe duke u nisur nga ky lloj “spiunimi i Mustafa Gjninishit për mbajtjen e Kongresit të Rinisë në Helmës” që flet Enver Hoxha, duket qartë që nuk ka lidhje e nuk është “spiunim”, porse bëhet fjalë për një veprimtari publike politike që (në se e marrim të tillë si spiunim) nuk është i tillë por vetëm një informacion, që ai ndofta e ka ndarë me anglezët, aleatë dhe njohës e ndihmues të Luftës tonë Antifashiste. Deduksioni që Mustafa Gjinishi edhe mund t’ua ketë thënë anglezëve se “do mbahej Kongresi”, kjo nuk përbën krim por është një informacion që e kishte të drejtë legjitime një nga udhëheqësit e partisë e të Shtabit të Përgjithshëm siç ishte Mustafa Gjinishi tua jepte aleatëve. Kjo justifikohet edhe nga “gëzimi” që po organizohej një Kongres, por ndofta edhe nga krenaria. Mustafa Gjinishi nuk u a dha informacionin armiqëve siç e trajton Enver Hoxha, por aleatëve të mëdhenj Antifashistë, informacion që bazohej edhe te deklarimi që ai bën edhe para Enver Hoxhës se po, “jam bashkëpunëtor i anglezëve por për të mirën e Shqipërisë”.
veprimtarinë e tij në ndjekje për ekzekutimin e Mustafa Gjinishit, Enver Hoxha e kurorëzon me këtë “dedikim”: “Pas Kongresit të Përmetit, Gjinishin e dërguam në Veri, pranë reparteve partizane... Edhe atje...ai nuk i linte manovrimet dhe batakçillëqet... Në gushtin e vitit 1944 një oficer anglez më dërgoi një mesazh që kishte ardhur nga Kuartieri i Përgjithshëm në Bari, ku më njoftonin se Mustafa Gjinishi u vra në Frontin e Divizionit të Parë...”95) Këtë fakt Enver Hoxha e dinte nga Liri Gega, pasi ai veprim ishte zbatimi i një vendimi, për të cilin urdhrin e kishte dhënë që në Vidhkuq. Liri Gega vetëm i shkruante Enver Hoxhës se “detyra doli me sukses”!
Vrasja me urdhër e Mustafa Gjinishit në Peshkopi, u manipulua fuqishëm nga Enver Hoxha derisa fillimisht ai e shpalli Dëshmor. Nga ana tjetër vrasja e Mustafa Gjinishit asnjëherë nuk u besua nga shokët për trajtimin se si u sajua, ashtu si edhe për nga trajtimi zyrtar se si u popullarizua, por ajo i shqetësoi gjithnjë ato. Një nga shokët e tij, Sejfulla Malëshova, kur e mori vesh vrasjen e Mustafa Gjinishit tronditet jashtë mase dhe në një bisedë që u zhvillua në ato momente midis tij dhe Spiro Moisiut, ku prezent ishte Xhelal Staravecka, ky i fundit me rastin e 40 ditëve të vrasjes së Mustafa Gjinishit, në gazetën “Balli i Kombit” shkruan për atë dialogun që bën Spiro Moisiu me Sejfulla Malëshovën.
Spiro Moisiu: Ne të gjithë në Vithkuq bëmë “amin o hoxhë!” E vranë Mustafanë! Doktor Ymeri, mendoj se e ka radhën më vonë.
Sejfulla Malëshova: S’më besohet ta kenë realizuar me të vërtetë vendimin e Vithkuqit?! Megjithatë Spiro, nuk i dihet kësaj pune, duhen hapur sytë!
Spiro Moisiu: Sejfulla, duhet mbledhur vetja, t’i kundërshtojmë vendimet, që janë kundra vijës sonë...!.
Xhelal Staravecka, që aso kohe ishte ende komandant batalioni në Brigadën e parë dhe kishte një lidhje të veçantë miqësore me shumë ushtarakë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, përveç dialogut të mësipërm tepër kuptimplotë, na ka lënë të shkruara edhe hollësira të tjera. Ai përshkruan edhe skenarin se si do të veprohej për vrasjen e Ymer Dishnicës pas atij të Sejfulla Malëshovës. Në atë kohë tregojnë se edhe në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare u fol shumë për këta skenarë.
Po përse nuk u realizua vrasja e Ymer Dishnicës siç ishte vendosur në Vidhkuq? E para, sepse Ymer Dishnica, pas vrasjes së Mustafa Gjinishit, filloi të tregohet tepër vigjilent. E dyta, plani për vrasjen e tij u përhap në të gjithë shtypin antikomunist e si të thuash realizimi i vrasjes u zbeh për shkak se u sulmua qysh në fillim plani serbo-sllav. Por duhet thënë se Enver Hoxha nuk e harroi atë vendim. E treta, Ymer Dishnica ishte një personalitet me një reputacion të lartë në popull dhe në shtresat e inteligjencies. E katërta, siç e thamë më sipër, bashkëshortja e Ymer Dishnicës Flora, gjatë Luftës, në Labinot etj. ishte sekretare personale e Enver Hoxhës dhe shifrante e Shtabit të Përgjithshëm dhe kjo mund të ketë luajtur një farë roli te Enver Hoxha.
Megjithatë duhet thënë se për vrasjen e Mustafa Gjinishit, në mënyra të ndryshme reagojnë edhe shokët e ngushtë të Enver Hoxhës si Gogo Nushi, i cili ndodhej aso kohe në Pezë, nga ku e informon Enver Hoxhën me një letër mbi reagimin e Myslim Pezës për vrasjen e Mustafa Gjinishit. Në letrën dërguar Enver Hoxhës ai shkruante se “...vrasjen e Mustafa Gjinishit, ia njoftuam Myslymit, i cili u hidhërua shumë, por nuk tha asnjë fjalë. Mbas disa orësh, mbasi filloi të pijë raki para më shumë se 50-60 vetave, filloi të flasë. Në mes të shumë fjalëve të tjera tha edhe këto se “Mustafanë e kanë vrarë shokët, pse ky qe më i zoti se ata. Këtij nuk i dhanë vendin që meritonte. E kërkova të vinte në Pezë si Mustafën ashtu edhe Hasan Reçin, por nuk më la Ramadan Çitaku me shokë, të cilit i dhjes mustaqet. Mustafa, përpara se të largohej nga Përmeti, më tha se po më dërgojnë andej nga Dibra dhe atje do të më zhdukin. Të mos qemë unë dhe Mustafai, nuk do të kishte asgjë në Shqipëri. Ne kemi luftuar. I dhamë komandën e Divizionit të parë Daliut, i cili gjatë Operacionit të Dimrit nuk qe i zoti të mbante në këmbë as 20 veta, por erdhi dhe u përplas në Pezë”. Urrejtje të madhe shfaqi kundër Daliut, Bacës dhe Haxhiut. Unë në fillim nuk i thashë gjë, por e pashë se në çfarë gjendje qe, mbasi i përsëriti disa herë këto fjalë dhe aty qenë shumë veta, si i vëllai i Xhemal Herrit, Enver Sazani, Muharrem Vllamasi etj. Unë i thashë që këto fjalë të mos bëhen përpara të gjithëve, por t’i bësh me shokët e Shtabit të Përgjithshëm. Ky e përsëriti shumë herë se këto i interesojnë të gjithë popullit, prandaj duhet t’i dinë, se kësaj pune do t’i japë rëndësi të madhe dhe do ta denoncojë të vërtetën. Më mori mënjanë dhe m’i përsëriti të gjitha prapë... Mbasi fjeti disa orë dhe i doli rakia, më mori prapë mënjanë, por këtë radhë e kishte zbutur shumë gjuhën. Më tha se dyshonte shumë dhe se i kishin ardhur lajme nga Tirana se Mustafën e vranë shokët”.96)
i Myslym Pezës apo i shokëve të tjerë të luftës, bazohej në qëndrimin e dyzuar të Enver Hoxhës, i cili në Vidhkuq e kishte dënuar me vdekje Mustafa Gjinishin, nga ana tjetër në rastin e “vrasjes aksidentale” në Peshkopi e shpall “dëshmor”. Nga një anë Enver Hoxha e vrau Mustafa Gjinishin nga ana tjetër e bëri hero. Me këto oshilacione të dyzuara, Enver Hoxha veproi nëpër vite me figurën e Mustafa Gjinishit, herë duke e shpallur hero e herë tradhtar, herë e varrosi e herë e ç’varrosi! 97)
Çështja e vrasjes së Mustafa Gjinishit nga Enver Hoxha dhe faktit që ai e shpall atë dëshmor, doli edhe në Plenumin e Beratit, ku Sejfulla Malëshova për të do të deklaronte: “... për herë të parë këtu unë mora vesh se si u vra Mustafa Gjinishi dhe nuk e kuptoj përsenë?! Një nga të dyja: Ose ai ka qenë tradhtar i partisë dhe i popullit dhe si i tillë ai duhej të dënohej hapur, ose ai ka bërë vetëm gabime, për të cilat nuk mund të vritej. Nga njëra anë ne e vrasim Mustafa Gjinishin, në anën tjetër e paraqesim atë si Hero përpara popullit dhe partisë. Këto metoda janë jezuite dhe nuk kanë të bëjnë fare me një parti komuniste”.98)
Ndërsa tablonë e plotëson Liri Gega, e cila në “Katër ditët e Beratit” e çon më tej këtë tezë, tezën e vrasjeve dhe se si ato komandoheshin. “Partinë tonë e ka udhëhequr Aliu (Miladin Popoviçi), kurse dora e djathtë (e vrasjeve) ka qenë Enveri” - është shprehur në diskutimin e saj në Berat Liri Gega.99)
Enver Hoxha është mishërimi më i madh i aplikimit të vrasjeve e të vijës terroriste, e cila nën dirigjimin e jugosllavëve mori përmasa sa të gjithë “kundërshtarët” apo ata që kishin ndonjë mendim të ndryshëm, shpalleshin tradhëtarë dhe ndiqeshin direkt me urdhërin e tij për tu asgjesuar. Ka në Arkivin Qenddor tç Shtetit dokumenta të tëra që flasin direkt për Enver Hoxhën se si i ndiqte apo i ekzekutonte ai kundërshtarët. Pas daljes nga rrethimi gjerman i dimërit të vitit 1943-1944, nga zonat e Korcës Enver Hoxha i shkruan “Detit” (Nako Spiru) se “shokët që vinë nga Italia o gjetkë nga vënde të huaja, të na raportohen emërat e tyre dhe çdo informatë që munt të keni mbi ta… Shokët t’i hapin sytë dhe t’i bëjnë katër kundër armiqëve të partisë, kundër grupazheve, të cilët pa tjetër po punojnë nënë rogoz. Kujdes në Kristo Frashëri, Nasi Mariani, Shureti, Ilo Panduku, Peçe, Isuf Keçi, Agron Çorati e vëllaj i tij, kujdes në lidhjet e tyre të vjetra, kujdes i madh se një mëngjes do të na bjerë ndonjë tullë në kokë. Për këtë çështje, që më preokupon shumë pse kam disa gjëra që kam mësue, do të të shkruaj më gjatë dhe më me hollësi pasi të çlodhem disa ditë…Këtë letër ja jap “delikates” (Nexhmije Xhuglini)…unë të përqafoj me madh o ish shoku im i mizeries”. Dihet se ç’historian i shquar u bë nën shantazh e nën ndjekje të vazhdueshme Kristo Frashëri, të cilin Enver Hoxhës i shpëtoi për qime se do e kishte pësuar edhe akademiku Kristo Frashëri si ish shokët e tij “Xhepi” dhe “Qorri”.
Terrorizmi i partisë e i shtetit komunist, vijoi gjatë gjithë regjimit të Enver Hoxhës. Po tregojmë me pak fjalë për terrorizmin komunist në vitin 1949 në Mirditë. Sebep, vrasja e Bardhok Bibës, vrasje që ishte po vepër direkt e vetë Enver Hoxhës. Qëllimi ishte që “vrasja” e Bardhok Bibës të bëhej preçedenti për të ndërhyrë në aksionin e gjerë për nënshtrimin e plotë të Mirditës, e cila po ngrihej në këmbë kundër regjimit komunist. Ndaj “kokë turku” Enver Hoxha bëri Bardhok Bibën, figurë me reputacion të madh në Mirditë, deputet dhe sekretar i parë partisë. Megjithatë faktet e mëposhtëme do të hedhin dritë mbi vrasjen e Bardhok Bibës ga Enver Hoxha.
Për vrasjen shkoi në kryeqendrën e Mirditës në Rrëshen, më 9 gusht të vitit 1949, zv.Kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme i asaj kohe Mehmet Shehu. Nga Rrësheni ai i telegrafonte drejtorit të Sigurimit të Shtetit Beqir Ndou, duke e urdhëruar atë të njoftojë menjëherë Enver Hoxhën se “në të 44 fshatrat e Mirditës, për dy ditë do ndërmerrej operacion në 33 prej tyre. Do arrestojmë 31 persona të kategorisë së parë (për dënim me vdekje) dhe 84 persona të kategorisë së dytë (për dënim me burgim), ndërsa 17 persona të kategorisë së tretë (për internim në kampin e Tepelenës)”.
Por edhe si rezultat i kësaj masakre të madhe, asnjë rezultat nuk doli se cili e kish vrarë Bardhok Bibën se të tillë nuk kishte pasi atë skenë e kishte kurdisur vetë Enver Hoxha. Bardhok Bibën e “vrau” vetë Enver Hoxha, po për ato arsye që përmendëm, ndërhyrjen dhe nënshrimin e popullit mirditor. Sipas Enver Hoxhës duhej eliminuar Bardhok Biba për të nënshtruar Mirditën. Të gjithë ata që u ndëshkuan se vranë Bardhok Bibën, vrasje që nuk u vërtetua kurrë, ishte vepër që u bë vetëm për nënshtrim, operacion të cilin e drejtoi Mehmet Shehu, ku pas tij qëndronin këshilltarë sovjetikë, ndaj që edhe terrori ishte terror i tipit stalinist.