Ajo që i është mbajtur e fshehur opinionit për gjysmë shekulli në vitet komuniste, është fakti se vendimi për krijimin e partisë komuniste shqiptare, u mor nga Shtabi i Titos, kur shkoi me mision në Jugosllavi “përfaqësuesi” i Kominternit korçari Koço Tashko dhe Partia Komuniste jugosllave, i rekomandoi Tashkos se “për ta krijuar partinë komuniste shqiptare, njeriu i domosdoshëm që ata kërkonin, ndodhej në Shqipëri dhe ai ishte Miladin Popoviç. Për ta, -i thanë Koço Tashkos, -ai kishte vlera sepse ishte udhëheqës komunist i Kosovës, ishte jo vetëm Sekretar Rajonal për Kosovë-Metohinë por edhe kandidat i KQ të PKJ”. Ai ndodhej i internuar, i stacionuar në një shkollë të vjetër në qytetin e Peqinit, pasi ishte zënë rob nga forcat italiane kur kapitulloi Jugosllavia në prillin e vitit 1941.
Me porosinë që mori nga jugosllavët, Koço Tashko u kthye në Shqipëri dhe në fundin e tetorit të vitit 1941 organizoi aksionin për lirimin nga internimi në Peqin të Miladin Popoviçit. U ngarkuan me aksionin e lirimit Vasil Shanto dhe Mustafa Gjinishi, të cilët morën kontakt me Miladin Popoviçin në Peqin, ku ai qëndronte i internuar bashkë me disa jugosllavë të tjerë. Pa ndonjë vështirësi të madhe, ata arritën ta veshin Miladin Popoviçin si fshatar dhe e nisën drejt e për në Pezë. Pas disa ditësh, Miladin Popoviçi u bashkua edhe me Dushan Mugoshën, i cili kishte ardhur në Shqipëri disa ditë më parë dhe kishte marrë disa takime me dy grupe kryesore komuniste. Mugosha kishte ardhur me kërkesë të Miladinit, pasi ai "dinte shqip" dhe kjo ishte një kusht, të cilën e kërkonte puna përgaditore për themelimin e partisë. Të “dy jugosllavët”, në vijimin e veprimtarisë udhëzuese e organizuese për themelimin e partisë, u njohën me karakteristikat e të gjithë komunistëve kryesor të grupeve. Fillimisht “prezantimet” u bënë nga Koço Tashko me të cilin ishin njohur shumë mirë madje nga ky morën edhe “lidhjen” për Enver Hoxhën. Por duhet thënë se krahas “lidhjes” që e morën nga Koço Tashko, “dy jugosllavët” e kërkuan edhe vetë me emër Enver Hoxhën pasi ishte Stanoje Simiçi, ai që nga Shtabi i Titos e “rekomandonte” atë.
Po cili ishte ky Stanoje Simiç, që e rekomandonte Enver Hoxhën që nga malet e largëta veriore të Jugosllavisë? Stanoje Simiç, i cili në vitet e pas Luftës Antifashiste do të ishte edhe ministër i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, në kohën që Enver Hoxha ishte mësues në Korçë edhe ky kishte qenë konsull i Mbretërisë së Jugosllavisë në Korçë, dmth zbulues, spiun. Aty ai ishte njohur nga afër edhe me udhëheqësin e ardhshëm të Shqipërisë Enver Hoxha. Nuk janë aq pa kuptim e pa lidhje gjërat. Koço Tashko shkon në Jugosllavi për partinë dhe po Koço Tashko e merr për dore Enver Hoxhën dhe e sjell në themelimin e partisë. Po Enver Hoxha, edhe “i njohur” me Simiçin dhe Simiçi ish zbulues i Mbretërisë jugosllave tashmë në kohën e Luftës në Shtabin udhëheqës të Titor. Njëkohësisht edhe Koço Tashko edhe Simiçi rekomandojnë të dy futjen e Enver Hoxhës në udhëheqjen e partisë. Duket se jugosllavët e kishin “pikasur” që më parë Enver Hoxhën për “cilësi udhëheqëse” sipas “rekomandimit” të Simiçit zbulues (konsull) i ish Mbretërisë jugosllave në Korçë. Pra edhe pas çlirimit, emri i Enver Hoxhës për agjenturën jugosllave nuk do të ishte i panjohur, kur duhej ta përcaktonin përfundimisht si udhëheqës të Shqipërisë komuniste.
Vjen Konferenca e parë e partisë, ku Jugosllavët e miratojnë përfundimisht Enver Hoxhën si të parin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Duhet thënë fort se që në fillimet e saj, lëvizja komuniste në Shqipëri, u vu nën ndikimin dhe nën kontrollin e plotë të agjenturës jugosllave. Pas dështimit të Organizatës së Fshehtë të Vlorës në vitin 1932, agjentura jugosllave do të arrinte suksesin më të madh të saj me krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe nxjerrjen e Enver Hoxhës në krye, duke gjetur formën më të përshtatshme për të realizuar qëllimet e veta. Në mënyrë të përmbledhur do të thoshim -konkludon studiuesi Kastriot Dervishi, - që personat më influentë, që u morën me përgatitjen e lidershipit komunist në Shqipëri, kanë qenë: ‑Konsulli jugosllav në Vlorë në vitin 1932, ‑Stanoje Simiç konsull i Jugosllavisë në Korçë në vitet 30‑të të shekullit të kaluar, ‑Miladin Popoviçi, ‑Dushan Mugosha, ‑Bllazho Jovanoviç i dërguar i PKJ‑së në Konferencën e Labinotit, -Zvetovar Vukmanoviç Tempo, -Velimir Stojniç e ‑Savo Zllatiç.
Nga Peza Miladinin e sollën në Tiranë dhe e vendosën të “sigurt” në shtëpinë e Shyqyri Këllezit. Menjëherë Koço Tashko nisi prezantimin e tij me krerët e grupeve komuniste dhe me komunistë të spikatur, por edhe me nacionalistë e eksponentë të tjerë pa parti. Mes tyre ai e takoi Miladinin edhe me Enver Hoxhën, madje i “strehoi” edhe në një shtëpi të përbashkët. Të dyve i u puq “muhabeti”. Enver Hoxha nuk ishte anëtar partie, por mik i Koço Tashkos e i Dr.Ymer Dishnicës dhe i Simiçit sllav.
Nga “pamja” si të thuash nga kashta, të “deleguarit” jugosllavë (sepse kishte mbërritur edhe Dushan Mugosha nga Mali i Zi), që me shikimin e parë e simpatizuan Enver Hoxhën dhe gradualisht simpatizimi i tyre shkoi më tej e më thellë, në preferencë absolute pasi siç ka deponuar edhe strehuesi i Miladin Popoviçit, Shyqyri Këllezi, (edhe ky i dënuar pas çlirimit nga Enver Hoxha), “Enveri i përkrahte ato (jugosllavët) në debate, pra ishte gjithnjë njësh me ta”.
Enver Hoxha, në biseda e takime me Miladinin e Dushanin, sillej me servilizmin e nënshtrimin më të madh dhe kjo domosdo u pëlqente atyre, se e mendonin siç edhe u doli, si më të përshtatshmin e zbatimit të politikës së tyre në Shqipëri. Për “debatin” pro jugosllav të Enver Hoxhës, tregon edhe një dëshmitar tjetër, Hamit Keçi, (të cilin Enver Hoxha edhe këtë pas Çlirimit e dënoi). Hamit Keçi ishte një nga luftëtarët e parë Antifashistë në Tiranë, ishte Komandanti i parë i Çetës “Dajti”, ndërsa pas Çlirimit ishte Drejtor i Zbulimit të Ushtrisë. Më pas u dënua me më se 20 vjet burg në Burrel, me akuzën e bërë nga Enver Hoxhës se “desh të vriste Komandantin e Përgjithshëm”.
Kur Enver Hoxha takohej me Miladinin e Dushanin në shtëpinë e Këllezëve, në një nga ato takime ishin edhe Sadik Premte e Anastas Lula. Kur dolën nga takimi, Sadiku me Anastasin më thanë se këta: “Miladini me Dushanin janë shovinistë serbë”. Kjo thënie e Sadikut dhe Anastasit ishte rezultat i një debati të gjatë e të ashpër mes Miladin Popoviçit dhe Anastas Lulës e Sadik Premtes. Mes palëve nga ky takim, ishte qëndrimi oportun i Enver Hoxhës, i cili përkrahte idetë e “jugosllavëve”.
Nga këto e të tjera që do i shohim më pas, Enver Hoxha anashkalonte se çfarë përfaqësonin dy jugosllavët, ishin ato “shovinistë” apo edhe më keq se ishin “varrosës të çështjes shqiptare”. Për Enver Hoxhën mjaftonte që ai të përkëdhelej prej tyre, të fitonte besimin e tyre dhe të arrinte t’i realizonte ato që kishte në mendje, siç i realizoi synimet dhe arriti të vihej në krye të partisë e në vijim dhe të pushtetit. “Aliu (pseudonimi i Miladin Popoviçit) - zbërthehet Enver Hoxha në Berat, - kishte besim të madh tek unë…Ai s’kishte besim tek asnjeri veç meje”. Siç thonë dëshmitarët e dokumentet, “Miladini e preferoi Enver Hoxhën, në radhë të parë sepse pa tek ai një njeri që nuk e kundërshtonte, një njeri që i bindej plotësisht me të drejtë apo pa të drejtë dhe mendoj “që nuk gaboi”- theksonte Liri Belishova, ish-anëtare e Byrosë Politike dhe numri dy në parti pas Enver Hoxhës, në vitet ’60 -të e dënuar pas prishjes me “sovjetikët e rinj”. Miladini i bëri mirë llogaritë dhe e psikologjisi saktë se Enver Hoxha do t’i ishte i binduri dhe koha tregoi se ai i u bind atyre deri në verbëri, se “ishte ai Miladini, që e ngriti dhe do ta ngrinte në parti e në shtet, derisa e bëri edhe Sekretar të Përgjithshëm të partisë”.
Enver Hoxha, krahas “dekonspirimit”, që i a bëri vetes, i detyruar në “Katër ditët e Beratit” se “ka qenë i preferuar i Miladin Popoviçit”, po ashtu po ato ditë ai me manovrime pindarike është përpjekur që edhe ta fshehë madje me profesionalizëm servilizmin e dakordësinë e tij me Miladinin, për minimin e çështjes kombëtare shqiptare. Dhe për këtë nuk mbajnë asnjë përgjegjësi qoftë jugosllavët e deleguar, qoftë jugosllavët në Beograd, pasi përgjegjësia është e plotë dhe e vetme e njërit e Enver Hoxhës. Rrëfimi në “Katër ditët e Beratit” i Enver Hoxhës referuar thënieve e deklarimeve të tij, mund të themi se është i sinqertë pavarësisht se ai u përpoq të justifikohej se “nuk e dinte se si...” u bë i preferuari i të deleguarve jugosllavë. “Si u bë që unë qëndrova pranë Aliut (pseudonimi i Miladin Popoviçit) - thotë Enver Hoxha para delegatëve, - këtë se di. Por fakti është që unë qëndrova”. Padyshim që ishte diplomacia servile dhe e nënshtrimit, ajo që Enver Hoxha e luajti me “dy jugosllavët” dhe preferenca e tyre për të ishte ajo, që bëri që në Konferencën e Parë të vendit “unë të dukesha si më i preferuari i Aliut...thotë Enver Hoxha për veten e vet në Plenumin e Beratit. Di që Aliu mbrojti tezën që unë të isha Sekretar Politik i partisë”.
Edhe për veprimtarinë e mëparshme të tij, Enver Hoxha po në “Katër ditët e Beratit”, me “sinqeritet” rrëfehet edhe për “veprimtarinë” pranë Grupit të Korçës, ashtu edhe se si erdhi e kush e solli në mbledhjen formuese të partisë. Po aty Enver Hoxha rrëfen se si u bë simpatia e Miladinit e më pas ajo simpati u kthye në dashuri për të, “ çdo gjë që thoshte Aliu, për mua qe një gjë e mirë, e mbaruar...”.
Me propozimin e me vendimin po të Miladin Popoviçit, Enver Hoxha u “zgjodh” pas themelimit edhe në krye të qarkorit të Tiranës. Si në mbledhjen themeluese që doli në rol udhëheqës në parti, ashtu edhe më pas që u vu në krye të qarkorit të Tiranës e deri në katapultimin si Sekretar Politik i Partisë, Enver Hoxha i mori funksionet nga “dy jugosllavët” Miladin e Dushan, por veçanërisht nga Miladini sepse ky qe më i “madhi” ndër dy të deleguarit jugosllavë.
Duhet thënë pa ekuivok se Enver Hoxha erdhi në krye të Shqipërisë nga Beogradi, nga jugosllavët, nga Titoja. Kjo tashmë është e faktuar dhe do ta faktojmë gjithnjë edhe në vijim të këtij studimi. Dy herë kanë ardhur Kryeshtetarët shqiptarë nga Beogradi. Ka ardhur Ahmet Zogu në vitin 1924 dhe më pas Enver Hoxha pas Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse i pari erdhi me vringëllima armësh e me forca serbobjellogardiste, të cilat ia dha Pashiçi, i dyti Enver Hoxha erdhi “butë butë” me sjellje e diplomaci servile të nënshtrimit, me diplomaci të “shitjes” së çështjes kombëtare” e me nënshkrimin e tradhtisë së lartë deri me sakrifikimin e pavarësisë së vendit. Jugosllavët mësuan nga katapultimi pa “rezultat” i Ahmet Zogut dhe nuk e sollën në pushtet Enver Hoxhën njëlloj si Ahmet Zogun, por në rastin e Enver Hoxhës ata erdhën vetë këtu dhe e gjetën, e zgjodhën këtu në Shqipëri. Me të, krijuan partinë sllaviste shqiptare dhe gradualisht, për “meritat” e Enver Hoxhës prosllave e vendosën edhe në krye të partisë. Kështu ndodhi, dhe hataja më e madhe u bë e mëpastajme, në vitet e rregjimit komunist.
Thamë se u bë gjëma e madhe dhe ajo u bë që me krijimin e partisë, ku çështja kombëtare dhe çlirimi, as që e rroku Kosovën. Në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste shqiptare, e cila u bë nën tutelën e dy emisarëve komunistë jugosllavë, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha - shkruan në vitet e pas Çlirimit vetë bibliografi i Titos Dedjer, ky e thekson qartë e saktë se “çështja e Kosovës në mbledhjen themeluese as që u përmend. Për këtë çështje pllakosi po ashtu heshtja e plotë edhe në Konferencën Kombëtare të partisë, në marsin e vitit 1943”.
Ndonëse në Konferencën e Pezës, nga këmbëngulja e nacionalistëve u vendos që edhe “në Kosovë e në viset e tjera shqiptare jashtë kufijve, të kishim po të njëjtin organizim dhe po atë formë pushteti si në Shqipëri”, këto ishin vendime që nuk u zbatuan asnjëherë nga Enver Hoxha. Edhe anullimi i Marrëveshjes së Mukjes, që u bë me ndërhyrjen e nën tutelën e jugosllavëve, “ishte shkak i anullimit (të asaj Marrëveshje) edhe çështja e Kosovës”. Kështu shkruajnë e konkludojnë në librin e tyre “Për Luftën Nacionalçlirimtare” autorët anglezë Barker dhe Tomes.
Mbajtja e Konferencës së Bujanit më 2 janar të vitit 1944, e cila sanksionoi ngritjen e strukturave që do të çonin në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, sapo e mori vesh e dënoi Rezolutën e Bujanit dhe në unision për dënimin e saj ishte edhe Enver Hoxha.
Këto dhe qëndrime e vendime të tjera anti Kosovë të Enver Hoxhës, deri tek “ultimatumi” i dhënë në Plenumin e dhjetorit të vitit 1946 “që kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët ndryshe s’ka të ardhme”, tregojnë qartë se për ngjitjen e shkallëve të pushtetit të tij, Enver Hoxha ishte ai që e “shiti” te jugosllavët jo vetëm Kosovën, por edhe gjithë Shqipërinë. Kujtojmë unifikimet e bashkimet e gjithanshme që nga doganat e deri te ekonomia, që nga sovraniteti e deri te bashkimi ndërshtetëror.
Faktin se partinë, që nga krijimi e kishte drejtuar Miladini, e pohoi në Plenumin e Beratit jo vetëm Enver Hoxha por edhe të tjerët si Nako Spiru, që deklaroi se “gjithçka në parti ishte në duart e Miladinit dhe të njerëzve që ai mbante afër tij”. Po si kishte arritur në këtë pikë, që Enver Hoxha kishte fituar simpatinë e Miladinit dhe bënte ç’i thoshte ky i fundit?. Edhe për këto Enver Hoxha me djallëzinë e tij përpiqej të justifikohej në Plenumin e Beratit se për kritikat e ashpra që i bëheshin, “fajin” e kishte së pari Miladin Popoviçi. “Unë bëja çfarë më thoshte Aliu” (Miladin Popoviçi).
Kjo ishte njëra anë, më e dukshmja por tjetra ishte e padukshmja, ishin “shuplakat” e jugosllavëve për Enver Hoxhën, që ishin me qitje të largët, që ai të vijonte në krye edhe pas Çlirimit, por të zbatonte pa mëdyshje “direktivat”, që Stojniçi në diskutimin e tij në Plenum i shfaqi hapur: “Pa Jugosllavinë ju nuk mund ta mbani pushtetin... u tha ai delegatëve. Se si do të jenë këto (marrëdhënie), nuk mund të thuhet në këtë Konferencë, por le të jenë këto marrëdhënie në një Konfederatë dhe më tutje. Një perspektivë të tillë ... duhet ta rrënjosni ju në shpirtin e popullit”.
Sjellja servile e Enver Hoxhës ndaj jugosllavëve, pas Konferencës së parë të vendit e veçanërisht pas Helmësit, duket se ndjek trajektoren e plotë të rekrutimit të tij nga jugosllavët, jo vetëm në shërbim personal të Miladinit, por në shërbim të çështjes jugosllave, sepse me ardhjen pranë Shtabit të partisë e të Luftës të Bllazhos, të Stojniçit e të Tempos, Enver Hoxha e braktisi dhe e flaku Miladin Popoviçin, sepse kuptoi se të “rinjtë” nuk e donin Popoviçin dhe se “të rinjtë” duhet të merrnin shërbimin e radhës nga ai. “Tempoja, -theksonte Enver Hoxha në “Katër ditët e Beratit”, -ishte një njeri plot gjallëri, që s’e njihte frikën dhe pengesën. Vinte nga Shkodra, kalonte postblloqet, s’donte t’ia ndiente për rreziqet. Hidhej këtu, kalonte në Maqedoni... Dushani më tha se Tempoja ishte një nga ata të mëdhenjtë, që na kishte ardhur nga lart. Kur erdhëm në Kucakë, marrëdhëniet e Aliut me Tempon ishin të thartuara. Unë isha influencuar nga Aliu por tash e kuptova se Aliu kishte tendencë ta denigronte atë (Tempon)”. “Kështu, - deklaroi me “sinqeritet” Enver Hoxha në Berat, - kjo ka qenë puna jonë. Kështu e kishim kuptuar ne vijën politike. Me një punë e me një vijë të tillë, patjetër që Lëvizja dhe lufta jonë, kanë qenë të ngushtuara mjaft... Duhej të vinte shoku Velo (Velimir Stojniçi) që ne të na hapte horizonte të gjera që të na bënte të shikonim se ku do të shkonim”.