Si sot para 130 vitesh, u lind në Gjakovë, heroi i shquar kombëtar dhe nderi i Shqipërisë, Dardanisë dhe mbarë shqiptarizmës Qazim Komani
“Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak për Mbrojtjen e Tokave Etnike Shqiptare u formua me 26 qershor të vitit 1944, në tubimin e organizuar nga Halim Spahija në Prizren, kurse Komandant Suprem u emërua gjeneral Qazim Komoni”.(https://www.zemrashqiptare.net/news/63457/Sabile-Basha E mërkure, 08.11.2023, 09:11 PM)
Gjeneral Qazim Komani erdhi në jetë më 17 janar të vitit 1895 në vatrën e heroizmit dhe të atdhetarisë mbarëshqiptare, në Gjakovë si fëmijë i një familje të njohur patriotike, të dëshmuar ndër vite për flijimet e vazhdueshme për atdhe e Flamur Kombëtar dhe përpjekjet e pareshtura për jetësimin e Shqipërisë Etnike.
Ushtarak i shquar i ushtrisë shqiptare dhe gjeneral e udhëheqësi i ndritshëm i “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës” i cili me veprën e vet titanike në paqe dhe sukseset e dëshmuara në luftë për mbrojtjen e Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare, bëri krenar Gjakovën, Kosovën dhe të gjithë shqiptarët atdhetar, kudo.
Për meritat e tij të veçanta, luftën e përpjekjet heroike dhe veprën e ndritshme jetësore, me rastin e përkujtimit të 130 vjetorit të ardhjes në jetë të heroit, vendlindja e tij, Gjakova, përfundimisht ka vendosur që gjeneralin e vet dhe komandantin e përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, heroin Qazim Komani ta shpallë qytetar nderi!
Qazim Komani ishte djalë i Mehmet dhe Rukije Komanit, babait nga Gjykova dhe nënës së lindur e të rritur në Junik, afër Gjakovës.
Burrë trim, udhëheqësi më shembullor i kohës, oficer besnik dhe hero i pathyeshëm i çështjes shqiptare, angazhimi dhe kontributi fisnik i të cilit lartësuan edhe më tej, luftën e shqiptarëve për liri e çlirim dhe çuan përpara idealin e bashkimit tonë kombëtar.
Ai ishte, ushtaraku më i lartë dhe oficeri më madhor që gjithë jetën e vet e shkriu, për ngritjen dhe perfeksionimin e ushtrisë shqiptare, mbrojtjen e Kosovës me pushkë në dorë dhe farkimin e bashkimit të të gjitha trojeve tona etnike me shtetin amë Shqipërinë.
Qazim Komani gjaku atdhetar i të cilit, flakëronte për çlirimin e atdheut, lirinë dhe unitetin kombëtar të të gjithë shqiptarëve, ishte ende djalosh i mitur, kur në vitet e luftës për pavarësi kombëtare edhe pse sapo kishte hapëruar në moshën 17-vjeçare, i`u bashkua vullnetarisht çetave çlirimtare të heroit Bajram Curri.
Një i ri shembullor dhe i mbushur me plot entuziazëm e frymëzim patriotik, i shquar për aftësitë udhëheqëse, e shpirtin kombëtar, që dëshmonte në vepër vetitë e veçanta prijëse e organizative, si dhe gatishmërinë për marrjen e përgjegjësive të larta me idealin e pathyeshëm dhe vullnet të fort, për ta quar deri në fund luftën e paepur për bashkimin e kombit dhe formimin e shtetit të pavarur shqiptar.
Si djalosh me vullnet të çeliktë, inteligjent e patriot i dëshmuar, menjëherë pas formimit të shtetit shqiptar, në mesin e dhjetëra të rinjve entuziast iu nda edhe atij, bursa për studime në kolegjin Italo-Shqiptar te “Sant Adrianit", në San Demetrio Corone të Kalabrisë, në Itali të cilën e përfundoi me sukses të plot.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, duke qenë i lidhur fort, shpirtërisht dhe familjarisht me heroin e mirënjohur të kombit Haxhi Zeka, si dhe i impresionuar nga trimëria dhe heroizmi i luftërave kombëtare të zhvilluara nga çetat e bacë Bajram Currit, për liri e çlirim të atdheut, Qazim Komoni, me ëndrrën në zemër për të jetësuar idealet e tyre në trojet shqiptare, regjistrohet në Akademinë Ushtarake italiane, ku edhe pse në gjuhë të huaj, ai përveçse mësoi shpejt gjuhën e vendit, u shqua edhe si nxënësi më i mirë në klasën ku vijonte mësimet, duke i përfunduar ato, në afat ideal dhe kurorëzuar me marrjen e gradës së nëntogerit.
Në gusht të vitit 1918, ai kreu me sukses shembullor edhe Akademinë ushtarake, në të cilën, pastaj vijoi studimet e larta për oficer këmbësorie, duke i përfunduar edhe ato me sukses të dalluar.
Me tu kthyer në Shqipëri Qazim Komani, bashkë me Minush Shalën, Sadri Pejanin, Ahmet Gashin, Sali Morinën e tj, u emërua mësues në shkollën "qytetëse" në Tiranë, të cilët si kuadër i diplomuar nga Dardania kontribuuan me shpirt e zemër, për zhvillimin dhe avancimin sa më efektiv të arsimit kombëtar, si dhe ngritjen sa më lartë të nivelit intelektual të të rinjve shqiptar.
(Shpjegim: "shkollë qytetëse", quhej shkolla katërvjeçare, e asaj kohe, që ishte në baraspeshë me shkollën e mëvonshme tetë vjeçare, apo tani, me shkollimin 9 vjeçar në shtetet shqiptare. G.Q.)
Vetëm dy vite më vonë, pra më 1920, heroin Qazim Komani do ta shohim të angazhuar në forcat e organizuara mbrojtëse të Kongresit të Lushnjës, kongres pas të cilit, siç dihet, shteti shqiptar, për herë të parë, do të merrte të mbarën, dhe me hapa të sigurt e vendimtar, do të niste ecjen përpara, në ndërtimin me sukses të elementeve bazike dhe ngritjen e mirëfilltë të strukturave të shtetit të njëmendtë kombëtar!
Më 1921 Qazim Komani bashkë me mësues e kolegë të tjerë, nga shkollat e qytetit të Tiranës, Durrësit, Kavajës, Krujës, Shijakut etj, formuan Sindikatën e parë, të mësuesve shqiptar duke u zgjedhur edhe kryetar i saj.
Njëkohësisht me angazhimet në shkollat e Tiranës dhe shkollave tjera të Shqipërisë, sindikatën e mësuesve, si dhe aktivitetet tjera arsimore e kombëtare, heroi Qazim Komani, formoi edhe shoqërinë "Djelmënia e Kosovës", kryetar i të cilës, u zgjodh po ashtu Qazim Komani, shoqëri që kishte marrë përsipër zhvillimin e arsimit e të kulturës së rinisë shqiptare, edhe në Kosovë dhe pjesët tjera shqiptare, të ngelura jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, si dhe çuarjen përpara të çështjes së Kosovës, që asokohe dergjej nën okupimin e egër serbo-sllav!
Falë efikasitetit të lartë në punë, kontributit të vazhdueshëm dhe angazhimit të pareshtur në detyrat që i ngarkoheshin, në muajin shkurt të vitit 1922, ai u nderua me gradën e togerit, kurse vetëm 2 muaj më vonë për merita të veçanta dhe aktivitetin e shembullor në profesionin e ushtarakut, heroi Qazim Komani merr gradën e kapitenit.
Aftësia e përkushtimi entuziast dhe kontributi i pashoq në detyrë, bënë që heroi ynë, qysh në moshë të re, të merrte njërën pas tjetrës, gradat më të larta ushtarake, duke u perfeksionuar ushtarakisht e ngritur me sukses në karrierë dhe oficer të lart me gradat më madhore nga kapiteni në major, pastaj nënkolonel dhe pa kaluar shumë kohë do të nderohej edhe me gradën e respektuar të kolonelit të ushtrisë shqiptare, duke arritur që nga viti 1934 deri më 1939 të emërohej edhe Kryetar i Departamentit Ushtarak të Mbretërisë së Shqipërisë!
Jetëpërshkrimi i heroit tonë, na tregon në vepër se Qazim Komani ishte njëri nga ushtarakët më të formuar dhe oficer vërtetë shembullor në ushtrinë e Shqipërisë, i cili meritën e arritjes së majave të gradimit në karrierën e ushtarakut, në paqe e dëshmoi duke punuar me mish e shpirt për avancimin e ushtrisë dhe respektuar me dinjitet të pashoq kushtetutën dhe shtetin e sapo formuar shqiptar, ndërsa në luftë duke thyer forcat e rregullta ushtarake të gjeneralit serb Millan Nediç dhe kurorëzuar me sukses të plotë mbrojtjen e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, nga ripushtimi serbo çetnik.
Si adhurues i sakrificës dhe veteran i luftërave të paepura të heroit Bajram Curri, edhe ai vet, ishte mbështetës i Qeverisë së Fan Nolit, ndaj pas rrëzimit të Nolit nga pushteti, në funddhjetorin e vitit 1924, heroi Qazim Komani, detyrohet, të vendoset në Bari të Italisë.
Pas shpalljes së amnistisë më 1925 nga qeveria e Zogut, Qazim Komani kthehet serish në Shqipëri.
Fakti se heroi ynë, ishte i mbushur me plot energji të shquara atdhetarie dhe elan të jashtëzakonshëm patriotik e profesional, për punë e zhvillim dhe çuarjen e vendit sa më përpara, ky kuadër i rrallë që kishte arritur të vlerësohej lartë e adhurohej kudo si profesionist shembullor, angazhimi i tij ishte i mirëseardhur dhe kërkohej në një gamë të gjerë veprimtarish jo vetëm ushtarake, por edhe arsimore.
Qazim Komani profesor në Normalen e Elbasanit
Nisur nga nevojat imediate të zhvillimit sa më cilësor dhe ngritjes sa më lartë të nivelit të arsimit e të dijes, tek të rinjtë shqiptar, si dhe kërkesat e mëdha të kohës, për kuadër të mirëfilltë e të kualifikuar profesionalisht, bënë që me tu kthyer në atdhe, nga 1925 e deri në vitin 1928, vendasi ynë patriot, i përgatitur shumë mirë dhe gjithanshëm edhe në çështjet e arsimit, të jepte kontributin e tij me shumë përkushtim edhe në detyrën e profesorit në Normalen e Elbasanit.
Nga viti1928 deri në vitin 1939 heroin Qazim Komani e shohim oficer karriere me detyra të rëndësishme, gjithandej në ushtrinë shqiptare, ku u shqua për aktivitet dhe angazhim të fuqishëm, me përkushtimin maksimal ndaj detyrës dhe profesionit të ushtarakut, si dhe kuadër i dalluar me frymë të lartë patriotike dhe ndjenja të veçanta të krenarisë kombëtare.
Kurse për 11-12 vitet tjera të kontributit të tij të pazëvendësueshëm, nga viti 1928 deri në vitin 1939, Qazim Komani punoi oficer karriere me detyra të rëndësishme, gjithandej në ushtrinë shqiptare, i cili kudo që shërbeu, u dallua për atdhetari të madhe, angazhim të pashoq, si dhe kontribut të veçantë në çështjen kombëtare, kudo që punoi.
Kryetar i Departamentit Ushtarak, të Mbretërisë shqiptare!
Atdhetaria e kulluar dhe përkushtimi maksimal ndaj detyrës dhe veprës së ushtarakut, mendohet se ishin edhe arsyet kryesore, që (atëbotë) kolonel, Qazim Komani, nga viti 1934 deri në vitin 1939, në mënyrë meritore të emërohej Kryetar i Departamentit Ushtarak, të Mbretërisë shqiptare.
Oficer shembullor i cili për kontributin dhe angazhimin e tij të paepur e dinjitoz, u nderua me mirënjohjen e parë, me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1937, kur do të dekorohej nga mbreti Zog me "Urdhrin Skanderbeg"!.
Kurse si patriot i shquar dhe ushtarak i dalluar, i cili atdheun e kishte vendosur para vetes, me rastin e invadimit fashist të Shqipërisë, heroi Qazim Komani iu kundërvu me pushkë në dorë okupimit italian.
Kundërvënia ndaj fashizmit, atdhedashuria dhe qëndrimi i tij i kulluar kombëtar, u bënë shkas, që menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Kolonel Qazim Komani për disa muaj, të mbahej i burgosur në Shqipëri nga pushtuesit italianë.
Por, edhe nën ato kushte dhe presionin e kërcënimet e pafund, ai nuk pranoi të bënte betimin në fashizëm, as të futej, për asnjë moment në shërbim të okupatorit italian, si dhe refuzoi me këmbëngulje kërkesën që të angazhohej në ushtrinë fashiste të Musolinit.
Ndaj kolonel Qazim Komani u internua për dy vite në Cremona të Italisë.
Edhe pas lirimit nga internimi dhe kthimit në Shqipëri, megjithëse heroi Qazim Komani, kishte një familje prej 9 anëtaresh pa asnjë të ardhur dhe të gjithë jetonin në një gjendje shumë të rëndë e të mjerueshme ekonomike, ai mbajti qëndrim të vendosur patriotik dhe betim të shpallur publikisht, kundër okupatorit, duke mos u dorëzuar, as në gjendjen e rëndë që kalonin familjarisht, ani se u mungonte shpeshherë edhe kafshata e gojës për fëmijët, heroi Qazim Komani kurrë dhe për asnjë moment, nuk u afrua as pajtua me pushtuesit italian të Shqipërisë!!!
Kështu ushtaraku i ynë atdhetar, qëndroi i papunë, deri në kapitullimin e Italisë fashiste, duke mos pranuar ti shërbente okupatorit të Shqipërisë, për asnjë minutë, as ta ulte dinjitetin e oficerit shqiptar dhe ta shkelte betimin e dhënë për komb e atdhe si ushtarak atdhetar.
Gjeneral Qazim Komani Komandant i përgjithshëm i “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës”!
Tetor 1943 – Nëntor1944
Në tetor të vitit 1943, kur në Prizren, nga patriotët e shquar shqiptar, u formua "Lidhja e Dytë e Prizrenit, me ftesë të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit, heroi Qazim Komani u vendos në Kosovë ku mendohet se iu dha grada e gjeneralit të Ushtrisë dhe u emërua në detyrën e lartë të Komandantit të përgjithshëm të “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës” me seli ne Prizren!
Madje as gjendja e rëndë familjare dhe shëndeti i rrënuar fizik, nga vuajtjet nëpër burgjet e armikut, nuk e zmbrapsen heroin Qazim Komani, ta merrte përsipër detyrën me përgjegjësi aq të lartë të Komandantit të përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës!
Përkundrazi, përkushtimi i tij, me shpirt e zemër për komb e atdhe, u dëshmua shpejt në vepër dhe me 15 mars të vitit 1944, me nismën e Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në një takim madhështor, të mbajtur në fshatin Rogovë të Hasit, u morë vendimi më i rëndësishëm i kohës, për mobilizimin e përgjithshëm të popullatës dhe mbrojtjen me pushkë në dorë, të çdo pëllëmbe të atdheut.
Tubim historik në të cilin përveç anëtarësisë së përkushtuar të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe nga dy, prej anëtarëve të Komiteteve të rretheve, përfshi figurat më të njohura të tribunëve popullor të atyre moteve të vështira, nga mbarë Kosova, merrte pjesë edhe vet kryetari i Lidhjes- Bedri Pejani.
Në këtë tubim madhështor, kur një pjesë e mashtruar e shqiptarëve, tanimë kishin përqafu idetë sllavo-komuniste, dhe luftonin për jetësimin e idealeve ruso-sllave edhe në trojet tona kombëtare, komandanti i përgjithshëm i sektorit të Kosovës, gjeneral Qazim Komani me personelin më të shquar dhe oficerët më të mirë-përgatitur të kohës, themeluan ushtrinë e rregullt shqiptare, e cila numëronte 3000 trupa të strukturuara në dy njësite të veçanta, të cilat kishin për detyrë, mbrojtjen me pushkë në dorë të Kosovës dhe tokave shqiptare, nga ripushtimi serbo-malazez!
Forca e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës
Projekti i komandantit të "Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës” heroit Qazim Komani u shpalos në tubimin inaugurues historik të mbajtur me 15 mars të vitit 1944, nё Rogovё tё Hasit.
Planprogrami i gjeneralit Qazim Komani bazohej në frymën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe parashihte deri në detaje dhe në mënyrë plotësisht të qartë e koncize, mobilizimin e përgjithshëm dhe formimin e reparteve të rregullta ushtarake, me oficerët më të shquar shqiptar, për mbrojtjen e vendit nga hordhitë çetnike serbo-sllave.
Kurse luftimet më të ashpra do të zhvilloheshin, në frontin e gjatë prej Bihorit-Plavës-Gucisë e deri në Përpellac-Merdar-Prapashticë dhe Preshevën me të gjitha vendbanimet shqiptare.
Projekti ushtarak për mbrojtjen e Kosovës, nga ripushtimi sllav, i gjeneral Qazim Komanit i bindi të gjithë me përmbajtjen, largpamësinë dhe qëndrimin e vendosur ndaj dhe u miratua me aklamacion nga përfaqësuesit e prefekturave, Komitetet Qarkore dhe vet Komiteti Qendror i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Forcat e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës u sistemuan në dy regjimente dhe u vendosën në kuadër te Ushtrisë shqiptare.
Regjimentet e forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, u pagëzuan me emra të veçantë.
Regjimenti i parë quhej ”Kreshnikёt”, ndërsa regjimenti i dytë „Vullnetarët“!
E gjithë përgjegjësia për organizimin, angazhimin, aktivitetet e ushtrisë dhe veprimet luftarake të forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, binin mbi gjeneralin hero, Qazim Komani!
Në postin e Komandantit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, gjeneral Qazim Komani futi në fuqi edhe kodin e sjelljes dhe detyrimet e ushtarit, në forcat e armatosura të "Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës!
Ndërsa për popullsinë civile shqiptare, nxori vendimin zyrtar, për lënien mënjanë të çdo armiqësie, ndalimin e vëllavrasjeve dhe gjakmarrjeve, ndërshqiptare, përgjatë gjithë kohës sa do të zgjaste lufta, kurse pas lufte, parashihej rregullimi me ligjet civile i këtyre çështjeve shumë të ndjeshme për popullin tonë!
Me vendim të komandantit të përgjithshëm, qendra e Regjimentit të parë u vendosë në Pejë, ndërsa regjimenti i dytë, në Prishtinë dhe Gjilan, me Kolonel Fuad Dibrën, asokohe komandanti i batalionit!
Formimi dhe struktura e njësiteve ushtarake
Njësiti i parë, apo regjimenti i "Kreshnikëve" do të përfshinte të rinjtë nga mosha 20 deri në 35 vjeç, kurse njësiti i dytë i emërtuar si Njësiti i "Vullnetarëve", parashihej të përfshinte meshkujt nga mosha 36 deri në 60-70 vjeç, në varësi të gjendjes shëndetësore e fizike dhe vullnetit personal, për angazhim në Ushtrinë Kombëtare të Mbrojtjes së Kosovës.
Forcat e organizuara në formacione të rregullta të ushtrisë shqiptare, u vendosën menjëherë në mbrojtjen aktive të territorit të Kosovës duke ruajtur të paprekur kufijtë e atdheut, prej falangave çetnike serbo-malezeze nga Bihori, Plava e Gucia, deri në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc me fshatrat përreth të banuara me popullsi shqiptare të Kosovës Lindore.
Në këtë mënyrë, trojet tona të vjetra autoktone u mbrojtën heroikisht, deri në momentet e fundit nga forcat shqiptare të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, të udhëhequra me shumë sukses nga udhëheqësi hero gjeneral Qazim Komani, për të mos rënë, serish nën ripushtimin serbo-sllav.
Ndaj dhemb shumë fakti se trojet tonat den-baba den autoktone dhe të lashta etnike shqiptare, të Kosovës Lindore, përkundër të gjitha flijimeve kombëtare, fatkeqësisht përveç sundimit serbo-sllav komunist, edhe pas çlirimit dhe pavarësisë së shtetit të Kosovës, më 1999, ngelën serish nën okupimin e Serbisë fashiste.
Formimi i Shtabi të Përgjithshëm Ushtarak për Mbrojtjen e Trojeve Etnike Shqiptare.
Sipas dr. Sabile Bashës,Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak për Mbrojtjen e Trojeve Etnike Shqiptare, u formua më 26 qershor të vitit 1944, në tubimin e organizuar nga Halim Spahija në Prizren, me ç`rast edhe koloneli Fuad Dibra avancohet në gradën e gjeneral majorit të Ushtrisë Shqiptare dhe caktohet që të organizoj mbrojtjen e vijës kufitare: Dibër- Manastir- Shkup.
Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak për Mbrojtjen e Tokave Etnike Shqiptare përbëhej nga:
1. Komandanti Suprem: gjeneral Qazim Komoni dhe
2. Anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për Mbrojtjen e Tokave Etnike Shqiptare;
1. Gjeneralmajori Fuad Dibra, përgjegjës për mbrojtjen e vijës kufitare: Dibër-Manastir- Shkup;
2. Major Shefqet Kapiteni, emërohet të mbroj vijën kufitare Shkup- Kumanovë;
3. Gjeneralmajori Jahja Fusha, do të caktohej në mbrojtjen e vijës kufitare: Kumanovë- Vranjë- Topallë- Merdar- Prepallac- Kopaonik;
4. Majori Adem Voca, në mbrojtjen vijën kufitare Kopaonik-Jeni Pazar
5. Profesor Ymer Berisha, caktohet që të mbroj vijën kufitare Jeni Pazar- Tivar. (Ref. Sabile Keçmezi Basha: Kolonel Fuad Dibra – Kosovë e Shqipëri jemi Një)
Luftimet heroike të “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës”
Ushtria e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, nën drejtimin e gjeneralit Qazim Komani, mori pjesë në luftimet më të rrepta që u zhvilluan aso kohe për mbrojtjen gjithandej të trojeve etnike shqiptare, jo vetëm nga bandat çetnike serbo-malazeze, por edhe ato komuniste sllavo-bullgare.
Madje sipas dr. Sabile Bashës, në vjeshtën e vitit 1944, momentet kur tanimë lufta kishte hy në fazën përfundimtare, në një sulm të armikut të ndërmarrë në sektorin e Llapit, kundër forcave të Mbrojtjes Kombëtare, në luftimet e përgjakshme për thyerjen e armikut, krahas burrave kishin marrë pjesë edhe gratë më trimëresha shqiptare, me ç`rast ishin shkatërruar tri Divizione të motorizuara serbo-bullgare, të udhëhequra nga komunistët, akt ky që kishte ngritur e forcuar maksimalisht moralin e të gjithë luftëtarëve shqiptar për të vazhduar edhe më me vendosmëri qëndresën kundër okupatorëve sllav.
Ndërsa siç mësojmë edhe nga historia e bujshme e veprimtarisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, me në krye gjeneral Qazim Komanin, luftërat më të rrepta të ushtrisë së rregullt shqiptare, për mbrojtjen e vendosur, me të gjitha mjetet e mundësit dhe potencialet njerëzore, të këtyre trojeve, nga riokupimi serb, u zhvilluan me sukses, edhe në nëntor të vitit 1944.
Por përveç dëshpërimit të serbo-çetnikëve, nga qëndresa heroike e shqiptarëve, sukseset e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, nën udhëheqjen e shkëlqyer të gjeneral Qazim Komanit, kishin shkaktuar pakënaqësi të mëdha edhe te partizano-komunistët shqipfolës me mendësi sllave, në Kosovë dhe Tiranë.
Megjithatë edhe përkundër të gjitha neverive që vinin nga komunistët shqipfolës, heroi Qazim Komani, nuk u thye as dobësua por vijoj të mbetej besnik i paepur i shqiptarizmës dhe idealit të “Besa-Besës” kombëtare edhe në nëntorin e vitit 1944, kur ai me GRADËN e Gjeneralit dhe idealin e paepur të ushtarakut të betuar kombëtar për liri, me të gjitha mjetet e mundësitë dhe forcat njerëzore që kishte në dispozicion, vijonte ta dëshmonte në vepër meritën e gradimit suprem ushtarak, dhe arsyetonte katërçipërisht besimin e dhënë me organizimin superlativ, sukseset e shkëlqyera në fushëbeteja dhe luftën e vendosur për mbrojtjen e tokave shqiptare, nga vërshimi i hordhive të egra çetnike serbo-malazeze.
Madje, me gjithë mungesën e theksuar të mjeteve luftarake dhe mundësive teknike, duke u bazuar kryesisht në vullnetin e fortë e dëshirën e madhe për liri, përgatitjen e lartë profesionale dhe dinjitetin e pathyeshëm shpirtëror të ushtarëve, ai vijoi ta mbronte me sukses dhe vendosmërinë më të madhe Kosovën e tij, nga depërtimi i forcave çetniko-komuniste.
Me këtë rast, duhet sqaruar për lexuesit e nderuar, se pas pushtimit gjerman të Serbisë gjenerali serb Milan Nediç, kishte krijuar një qeveri serbe, të ashtuquajtur Qeveria e “Shpëtimit Popullor” dhe vendosur lidhje të posaçme ushtarako-politike me Gjermaninë, me shpresën që shteti serb, edhe pas pushtimit gjerman, ta mbante nën administrimin e Serbisë dhe vazhdonte okupimin serb, të territorit të Kosovës.
Por sa u takonte trojeve shqiptare dhe tokave të Kosovës, ajo tani kishte për Zot, forcat e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, të udhëhequra nga gjenerali hero Qazim Komani, të cilat ia prishën tërësisht planet e gjeneralit Millan Nediç dhe forcave çetnike serbe, për ripushtim.
Thyerja e forcave serbe të gjeneral Nediçit, nga trupat heroike të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës
Nën udhëheqjen largpamëse të kolonel Qazim Komonit dhe heroizmin e treguar të trupave shqiptare të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, si dhe organizimin e mirëfilltë ushtarak, aftësinë profesionale, trimërinë dhe vendosmërinë shembullore, në krye me heroin, e patriotin e shquar kombëtar gjeneral Qazim Komani, në një vijë lufte me gjatësi prej disa dhjetëra kilometrash, forcat heroike shqiptare, do ti thyenin me turp në frontin e Kolashinit, dhe zmbrapsën me sukses në shumë beteja heroike, forcat e ushtrisë së rregullt serbe të gjeneralit çetnik Millan Nediç, të pajisura me artileri të rëndë dhe armatimet më moderne të kohës.
Betejë e cila vazhdoi për disa javë me radhë në gjithë frontin e gjatë mbi 20 kilometra dhe rezultoi me fitore të plotë ushtarake, të ushtrisë së lavdishme shqiptare, duke i shkatërruar dhe nxjerr me flakë e barot forcat serbe, jashtë Kosovës.
Kjo ishte një nga fitoret më të ndritshme të ushtrisë së rregullt shqiptare, e cila përveçse i shkaktoi disfatë të rëndë Ushtrisë serbo-jugosllave, vlerësohet se u bë edhe faktori kryesor, që shpëtoi Kosovën dhe trojet tjera etnike shqiptare, nga shfarosja e plotë e shqiptarëve, prej çetnikëve serbo-malazez!
Madje me vlerësimet largpamëse të tij, nga gjendja e krijuar pas luftimeve në kufi, si dhe veprimeve luftarake në terren, gjeneral Qazim Komani vendosi që forcat kryesore ushtarake shqiptare të përqendroheshin në Drenicë.
Vendim i historik ky, i gjeneralit Qazim Komani, i cili i krijoi bazën në vitin 1945, si dhe i dha forcën kryesore shtytëse edhe rezistencës heroike të forcave të Shaban Polluzhës kundër ushtrisë partizano-çetnike serbo-jugosllave, që kishin mësy ta pushtonin Kosovën.
Por pas fitoreve të shkëlqyera që gjeneral Komani realizoi gjithandej në frontin e luftës kundër okupatorëve serb, ai papritur u ftua me urgjencë nga komanda sipërore në Tiranë dhe vetëm pak kohë, pas arritjes atje, për fat të keq të shqiptarëve dhe mbarë Kosovës, me 17 nëntor të vitit 1944, do të arrestohej nga komunistët "shqipfolës" në kryeqytetin shqiptar, i cili do të mbahej në burg deri në muajt mars dhe prill të vitit 1945 kur dhe iu organizua gjykimi i stisur dhe fiktiv komunist.
Dorëzimi i gjeneral Qazim Komanit, te serbo-sllavët
Gjyqi Special i komunistëve shqiptar, në rastin që gjykohej edhe kolonel Qazim Komani, ishte një nga gjyqet më të rrepta dhe më të rënda ndëshkuese, të asaj kohe, i cili siç dëshmohet nga dokumentet e gjetura, dënoi me pushkatim 17 personalitete të larta dhe dënoi me burgime të gjata 60 të tjerë.
Megjithatë biografia e ndritur e atdhetarit të shquar gjeneral Qazim Komani, ishte aq e pastër dhe e niveleve të tilla, të larta patriotike, sa që as në të ashtuquajturin “gjyq special” të organizuar nga komunistët në Tiranë, nuk u dëshmua asnjë fakt për krime, nuk u vërtetua kurrë bashkëpunimi i tij me pushtuesin dhe nuk u faktua në asnjë moment, ndonjë veprim i vetëm kundër partizano-komunistëve shqipfolës.
Por me gjithë premtimet dhe garancitë që komunistët kuqalosh i kishin dhënë edhe familjes, për lirimin e tij, ata duke mos gjetur argumente ta dënonin me vdekje, siç vepruan me të tjerët, gjeneral Qazim Komanin e ekstraduan nëpër terrin e natës, në mënyrë tinëzare në duart e gjakpirësve të UDB-së në Prizren, që të mbytej nga çetnikët serbë.
Kërkohet kujdes që tradhtia të mos përsëritet
Terroristë kuqalosh shqipfolës, të cilët terrorizuan deri në ato përmasa makabër edhe Kosovën, sa që mese 5-6 mijë burra e djem dhe ushtar që luftuan me heroizëm për mbrojtjen e Kosovës, nga çetnikët serbo-malazez, i dërguan me mashtrimin për mobilizim, përmes Kukësit, Pukës dhe Shkodrës, për ti pushkatuar serbo-malazezët në Tivar, histori e cila nuk guxon të heshtet as të harrohet, përndryshe në momentin e parë, që mund tu ofrohet, njëjtë ka mundësi të veprojnë edhe pasardhësit e pabesë...
Në fakt, edhe dorëzimi i gjeneral Qazim Komanit te serbët, ishte veprim i kundërligjshëm dhe tërësisht ilegal, madje sot e asaj dite, nuk ekziston asnjë dokument i vetëm zyrtar, për ekstradimin e tij, nga komunistët shqipfolës të Tiranës, në duart e UDB-s serbo-jugosllave.
Për aq më tepër, sipas shënimeve të Dr, Sabile Bashës, kuçaloshët serbofil të Tiranës dorëzuan te serbët edhe shtetasit e Shqipërisë si gjeneral major Fuad Dibrën dhe profesor Kol Margjinin, Fuadi u pushkatua më 1946 në afërsi të Prizrenit kurse Margjini u mbyt më 1949 në burgun e Mitrovicës së Sremit nga çetnikët serb.
Pas dorëzimit nga serbofilët e Enver Hoxhës, në duart e xhelatit serb Spasoje Gjakoviç, edhe kundër heroit tonë të mirënjohur, gjeneralit Qazim Komani do të organizohej një proces tjetër farsë, tani në gjyqin serbo-çetnik në Prizren me aktakuzën se kishte organizuar mbrojtjen e trojeve shqiptare të Rozhajës, Bihorit, Plavës, Gucisë, Medvegjës, Bujanocit,Prershevës, Llapit, Gjilanit dhe tërë Kosovës, nga okupimi i forcave serbo çetnike.
Dënimi me vdekje i kolonelit hero Qazim Komoni nga gjykata serbo-çetnike
Akuzave se gjenerali Qazim Komani kishte udhëhequr luftën kombëtare, kundër forcave serbo-jugosllave, në një proces të ngritur nga një gjykatë serbo-çetnike në Prizren, sipas historianit Hakif Bajrami, gjenerali u ishte përgjigjur se si nëpunës dhe oficer i lartë i Ushtrisë Shqiptare, ai e kishte obligim ligjor dhe ishte i detyruar moralisht dhe kombëtarisht për ti shërbyer atdheut, atje ku e kërkonte populli i tij, ndaj dhe jam krenar që mua më solli fati në Kosovë, për ti shërbyer vendit tim me nder.
Në të njëjtin gjyq, u gjykua edhe gjeneral major Fuad Dibra komandant i batalionit IV të Gjilanit, i cili po ashtu u dënua me vdekje dhe me 9 tetor të vitit 1946, sipas shkrimeve të dr. Sabile Bashës, u ekzekutua në Korishë të Prizrenit, por trupi i tij u zhduk përgjithmonë nga forcat serbo-çetnike dhe sot e atëherë, nuk i dihet as varri.
Gjeneral Qazim Komani do të akuzohej gjithashtu, se në fshatin Rogovë, më 15 mars të vitit 1944 kishte organizuar themelimin e Ushtrisë Kombëtare, për mbrojtjen e Kosovës dhe trojeve tjera etnike shqiptare, e cila cilësohej si veprimtari anti-serbe dhe anti-jugosllave
Dhe me aktakuza të tilla farsë, me 15 maj të vitit 1946 gjykata e okupatorëve serbo-çetnikë, në Prizren, e dënoi me vdekje, gjeneralin hero Qazim Komani, këtë burrë të pamposhtur nga asnjë stuhi dhe gjyq barbar i okupatorit, të cilin edhe Gjykata e Lartë e Serbisë, me gjithë apelimin e argumentuar me fakte, nuk e shfuqizoi.
Dënim që vetëm pas ankesave të vazhdueshme të familjarëve drejtuar organeve më të larta të pushtetit ish jugosllav, si dhe trysnisë ndërkombëtare, bënë që më në fund, jo gjykatat serbo-çetnike, por kryesia e Kuvendit Popullor të RFPJ, me në krye kroatin Dr. Ivan Ribar, pas më tepër se 4 muajsh, më 2 tetor të vitit 1946, ta ndryshoi masën, ndaj gjeneralit Qazim Komani dhe dënimin me vdekje, e shndërroi në burgim 20-vjeçar, me punë të detyrueshme, humbjen e të drejtave politike e qytetare, por edhe atyre prindërore në afat prej pesë vitesh.
Vdekja e heroit tonë në burgun e Serbisë çetnike
Pas zëvendësimit të dënimit me vdekje, në dënim me 20 vite burg, gjeneral Qazim Komanin e dërguan ta vuante dënimin në kampin e Mitrovicës së Sremit në Serbi, ku sipas Raif Halimit, një i dënuar tjetër shqiptar me vuajtje në të njëjtin burg, merrnin vetëm nga 200 gr. bukë misri në ditë.
Uria ishte bërë shkak që në burgun e Mitrovicës së Sremit, të vdisnin shumë të dënuar shqiptar, vend në të cilin qindra burra, u shuan dalëngadalë nga vdekja, me ç`rast ai përmend vetëm disa emra shqiptarësh të vdekur në atë kamp famëkeq serb, si: Haki Taipin nga Prizreni, Idriz Hogoshtin, prof.Kolë Margjinin, gjeneral Qazim Komanin nga Gjakova, Njazi Çarkaxhiun nga Ferizaj, e shumë të tjerë.”!
Pra, ani pse më 1946, të detyruar nga presioni ndërkombëtar, formalisht ia zbritën dënimin, vetëm katër vite më vonë, ishte muaji gusht i vitit 1950,kur heroin tonë, serbo-çetnikët e likuiduan me uri, tortura dhe keqtrajtime të vazhdueshme fizike në burgun e Mitrovicës së Sremit, ku përveç gjeneralit Qazim Komani, në këtë burg famëkeq serb, vuante dënimin edhe Ismet Boletini, nipi i heroit kombëtar Isa Boletinit.
Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, trupi i tij, i shkatërruar tërësisht nga torturat e pashembullta ç ‘njerëzore serbo-çetnike në burgun e Mitrovicës së Sremit, deri pak para vdekjes, nuk do të lejohej as të kontrollohej nga mjekët ndërkombëtar.
Kurse kontrolli i vetëm dhe i fundit, atij do ti lejohej, qëllimisht me shumë vonesë dhe në momentet që serbo-çetnikët tanimë ishin të sigurt se heroi ynë kombëtar, kolonel Qazim Komani gjendej pak para vdekjes.
Ndaj faktikisht mjekët e Kryqit të Kuq ndërkombëtar nga Gjermania, Zvicra dhe Hollanda "dr.Ridell, dr. Franz, dr. Llang (Ref. Dr. Hakif Bajrami), vetëm sa konstatuan se gjeneralin tonë hero Qazim Komanin, së shpejti e priste vdekja.
Zhdukja e trupit të heroit Qazim Komani
Pra 4 vite pas dënimit, gjeneral Qazim Komani u mbyt me uri dhe tortura të pandërprera në Burgun e Mitrovicës së Sremit në Serbi dhe sikur mos të mjaftonte as vdekja, serbo-çetnikët, shkuan deri atje me barbaritë e tyre meskine, sa zhdukën përgjithmonë edhe trupin e heroit tonë dhe nga atëherë e sot, nuk dihet shenjë as varr, duke mos lënë qëllimisht mundësi, që të paktën, pas vdekjes heroi ynë i ndritshëm të amëtohej e pushonte në vendin e lindjes dhe atdheun e tij të dashur, për mbrojtjen e të cilit ai flijoi rinin dhe jetën e vet, pa asnjë hezitim.
Letra e fundit e heroit Qazim Komani
I vetëdijshëm, për atë që do ti ndodhte në burgun e Serbisë, e që në fakt, ai e kishte kuptuar paraprakisht, se serbo-çetnikët, nuk do ta lejonin më, të dilte nga atje, i gjallë, ku morti po i përgatitej, që ti vinte, edhe më me shpejtësi, gjeneral Qazim Komani do ti dërgonte për herë të fundit edhe një letër “lamtumirë-se” bashkëshortes së tij të dashur dhe besnike, e cila e kishte pritur gjithë jetën, me shpresën e pashuar deri atë moment, se do të shiheshin edhe njëherë për së gjalli bashkë!
"Unë ka tre muaj që jam në spital dhe përveç fatkeqësive tjera, gjendja ime, po bëhet çdo ditë e më keq, andaj duke pasur parasysh se ka kohë që, nuk jam më pranë jush, bëhu e fortë, që edhe ndonjë lajm tragjik për mua, mos t`u kap në befasi.
E di se nuk kam arrit, të të lë, asnjë pasuri, por në botën tjetër, do shkojë më i qetë, se nuk të kam lënë as borxhe për të larë, ndaj për fund, nga gjendja që unë jam, urojë të jeni në mëshirën e Zotit të madh!
Nxjerrja e gruas dhe fëmijëve të heroit nga enveristët në rrugë
Në fakt, ndoshta vërtetë Zoti u tregua i mëshirshëm me familjen e këtij burri të shquar atdhetar, por jo edhe regjimi komunist i kriminelit Enver Hoxha, i cili nxori gruan e ushtarakut patriot Qazim Komani, me 6 fëmijë të mitur në mes të rrugës.
Dhe me këtë veprim kobzi të Enver Hoxhës dhe regjimit serbofil në Tiranë, dënimi serbo-sllav ndaj gjeneral Qazim Komanit, përveç rigorozitetit të pashembullt, fatkeqësisht do të merrte epilog katastrofal edhe për gruan dhe fëmijët e pafajshëm të heroit, edhe nga shteti shqiptarë, ndoshta njëjtë, apo edhe më keq, se për qindra e mijëra familje të tjera shqiptare, viktima të terrorit të kuq komunist.
Kënga e fundit, apo epitafi i heroit në pragvdekjen e tij
Përkundër të gjitha vuajtjeve dhe katrahurave të kaluara nga persekutimet dhe mundimet e pashpjeguara ndër vitet që i kaloi në burgjet komunisto-çetnike të Serbisë, krenaria kombëtare e gjeneral Qazim Komanit, mbeti e pathyeshme dhe nuk kishte rënë asnjëherë, madje edhe jeta e heroit gjakovar, thuhet se mbarojë duke kënduar me zemër dhe krenari të palëkundur, rreshtat e preferuar të poezisë që ai adhuronte aq shumë, në minutat e fundit të energjisë, së mbetur në shpirtin e tij atdhetar:
O Kosovë, o tokë bekue
Gjithë për ty gjaku m’gufon
S’ka shqyptar kush TY t’harron.
Ndoshta pikërisht kjo është, vet natyra e heronjve të vërtet dhe mënyra e veçantë, se si ata kalojnë në jetën tjetër dhe amshim, për tu kujtuar gjithmonë e përjetësisht, me krenari e pietet dhe mos u harruar kurrë nga bashkëkombësit dhe atdheu.
Nderimet shtetërore ndaj gjeneral Qazim Komanit
Sipas dëshmisë së familjarëve gjenerali në kohën kur u arrestua, ishte i martuar dhe kishte 6 fëmijë të vegjël, një djalë dhe pesë vajza.
Por edhe pas vdekjes së heroit Qazim Komani, emrin dhe veprën e tij, për kohë të gjatë nuk guxonte kush ta përmend, nderojë, as kujtojë publikisht, madje edhe familja e ngushtë, e kishte të ndaluar ta zinte në gojë emrin e heroit, të cilin komunistët në të dy anët, ata të Enver Hoxhës në Shqipëri dhe të tjerët në Kosovën e okupuar nga serbo-sllavët, e kishin shpallur armik të përjetshëm të komunizmit dhe Serbisë okupatore.
Ishte viti 1937 kur për merita të veçanta në detyrë dhe angazhim shembullor me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, për herë të parë dhe të fundit, nga mbreti Zog, Qazim Komani u dekorua me "Urdhrin Skënderbeg"!
Dekorimin i radhës, heroit iu nda vetëm pas ndryshimit të sistemit stalinisto-komunist dhe vendosjes së Demokracisë në Shqipëri, nga ish presidenti demokrat Sali Berisha me dekretin nr. 547, të datës 3 qershor të vitit 1993, dekoroi gjeneralin Qazim Komani, me urdhrin “Për veprimtari Patriotike të Klasit të I-re” me motivacion:“Udhëheqës, organizator i penës dhe pushkës për realizimin e programit të Komitetit Kombëtar të Mbrojtjes së Kosovës!
Ndërsa këtë vit me rastin e shënimit të 130 vjetorit të ardhjes në jetë të heroit, sipas familjarëve, është propozuar që edhe Gjakova, vendlindja e heroit famëmadh, ta shpallë birin e vet të shtrenjtë, gjeneral Qazim Komani qytetar nderi të Gjakovës!
Historia e tij dëshmon se sa dhembshëm nisi, me sa vuajtje e mundime vazhdoi dhe në ç‘mënyrë tragjike përfundoi edhe jeta e një patrioti të shquar të kombit, histori e trisht e cila fatkeqësisht nuk ishte e vetmja as e fundit, por sakrificë që do të përsëritej edhe disa herë pas shuarjes misterioze të tij, duke marrë para kohe në amshim edhe figura tjera të spikatura të heronjve tanë, më të shquar kombëtar.
Lavdi e përjetshme heroit të ndritur e të paharruar mbarëshqiptar, shkëlqesisë së tij, gjeneral Qazim Komani!
Gani Qarri më 17 janar 2025, Cyrih.