Kontradiktat Stalin-Tito dhe “vicklat” e “shqelmat” e Enver Hoxhës ndaj padronit të vjetër

Historia

Kontradiktat Stalin-Tito dhe “vicklat” e “shqelmat” e Enver Hoxhës ndaj padronit të vjetër

Nga: Prof. Dr. Elmas LECI Më: 21 janar 2025 Në ora: 12:10
Autori Prof.Dr.Elmas LECI

Në ditarin e tij, ambasadori sovjetik në Tiranë në vitin 1947 Çuvakin, shkruan se Enver Hoxha i ka thënë se “sipas njoftimeve të të dërguarit shqiptar në Beograd Tuk Jakova e të gjeneral-majorit Mehmet Shehu dhe të personave të tjerë, jugosllavët kudo përpiqen të theksojnë epërsinë e vet, se ata në çdo rast të përshtatshëm dhe pa rast, tallen haptazi me shqiptarët dhe i shikojnë ata, shqiptarët si “desh të egër”. 

Kjo e mësipërmja është një bisedë sekrete e datës 3 maji të vitit 1947 e bërë mes Enver Hoxhës me ambasadorin sovjetik në Tiranë, Çuvakin. Nga kjo bisedë del se mes tij dhe jugosllavëve kishte nisur edhe kontradikta e parë e Enver Hoxhës me Josif Broz Titon. Ja çfarë shkruan në ditarin e tij Çuvakini, për takimin me Enver Hoxhën, ku ky i fundit, Enver Hoxha, i shfaq atij pakënaqësitë “e para” për Titon dhe jugosllavët.

“Sot, më 3 maj 1947, në orën 11.00 u takova me kërkesën e tij me Enver Hoxhën”, shkruan Çuvakini. Ai më deklaroi se do të dëshironte të ndante me mua përshtypjet e veta nga ecuria e bisedimeve shqiptaro - jugosllave për disa çështje ekonomike. Kryeministri më tregoi sa vijon: "Siç dihet, rreth tri javë në parë, në Beograd shkoi një delegacion shqiptar i kryesuar nga ministri i Industrisë dhe Kryetari i Komisionit të Planit, Nako Spiru. Në delegacion bënin pjesë specialistë për çështjet e planit, të ekonomisë, tregëtisë dhe financave. Para delegacionit shqiptar qëndronte detyra që të arrinte marrëveshje me jugosllavët për një varg çështjesh konkrete, ndër të tjera edhe për çështjet e planit ekonomik përfundimtar të Shqipërisë për vitin 1947, mbi punën e shoqërive shqiptaro-jugosllave për krijimin e të cilave të dyja palët kanë nënshkruar dokumentet përkatëse, të cilat faktikisht deri tani nuk ekzistojnë, mbi kushtet e ndihmës financiare për Shqipërinë; për marrëveshjen tregtare mbi çmimet e mallrave dhe për një varg çështjesh të tjera. Nëse delegacioni shqiptar ka më se dy javë që ndodhet në Beograd, ai, për fat të keq nuk ka mundur të merret vesh me jugosllavët, praktikisht për asnjë nga çështjet e përmendura më lart. Zëvendëskryetari i Komisionit të Planit të Shtetit Kiço Ngjela, që mbërriti për nja dy ditë në Tiranë dhe që drejton delegacionin shqiptar pas vajtjes së Nako Spirut në Moskë, na njoftoi se gjatë diskutimit të të gjitha këtyre çështjeve, të dyja palët kanë ndeshur në një sërë vështirësish, kapërcimi i të cilave varet kryesisht nga fakti se çfarë qëndrimi do të mbajnë jugosllavët gjatë bisedave të mëtejshme. Jugosllavët qenë kryesisht të papërgatitur për diskutimin e çështjeve të shtruara, megjithëse delegacioni shqiptar shkoi në Beograd me kërkesën e tyre këmbëngulëse. Jugosllavët në asnjë mënyrë nuk mund të heqin dorë nga vija e tyre e vjetër, të cilën ata e kanë ndjekur gjatë bisedimeve të kaluara dhe gjatë takimeve me përfaqësuesit shqiptarë. Ata vazhdojnë të kenë një mendim jashtë mase të lartë për veten e tyre e në të njëjtën kohë u japin një vlerësim tepër të ulët cilësive të punonjësve shqiptarë në punë. Jugosllavët mendojnë se gjithçka që ata thonë, duhet të pranohet nga shqiptarët pa kundërshtim sepse çdo gjë që propozojnë përfaqësuesit jugosllavë, niset nga premisa që “vendet tona zhvillohen në drejtim socialist”, mirëpo pikërisht shqiptarët sipas mendimit të jugosllavëve, nuk kanë kurrfarë përvoje. Sipas fjalëve të Enver Hoxhës, jugosllavët edhe në çështje vogëlsirash me karakter thjesht komercial, shohin “socializmin” dhe kur shqiptarët i kundërshtojnë, ata fillojnë të operojnë me citate nga veprat përkatëse të Marksit dhe Engelsit, duke u përpjekur të tregojnë se sa të kënduar janë ata dhe sa “pa baza” janë kundërshtimet shqiptare. Sipas mendimit të jugosllavëve, shqiptarët gjatë bisedimeve me jugosllavët duhet të kenë kurdoherë parasysh perspektivën e “zhvillimit të vendeve tona drejt socializmit”. 

Dhe duke u nisur nga kjo, "shqiptarët kanë për detyrë të pranojnë në mënyrë kategorike çdo gjë që u propozojnë ose u thonë jugosllavët. Mirëpo megjithëkëtë “socializëm” dhe me gjithë citatet nga veprat e Marksit e të Engëlsit, -më theksoi Enver Hoxha,- jugosllavët nuk i harrojnë interesat e tyre shtetërore dhe nuk i marrin fare parasysh interesat e popullit shqiptar”.

Dhe pas kësaj bisede, vazhdon pjesa e dytë e dokumentit të gjetur në arkivat ruse për zanafillën e prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë.

Duke u mbështetur në deklaratën e Enver Hoxhës, raporton ambasadori sovjetik në Tiranë Çuvakin, “jugosllavët kishin shtruar çështjen që e gjithë valuta e lirë shqiptare të kalonte në Bankën Shtetërore të Jugosllavisë. Kjo, sipas tyre, që qeveria jugosllave të mund të siguronte me këtë valutë në vende të tjera pajisje dhe mallra që i nevojiteshin Shqipërisë.” 

Pra raporti-ditar i ambasadorit sovjetik, tregon qartë se çfarë synonte të realizonte udhëheqja jugosllave në drejtim të Shqipërisë si në planin ekonomik ashtu edhel në planin politik.

Fqinji jugosllav përpiqej të shfrytëzonte me çdo kusht vështirësitë e popullit shqiptar, që sapo kishte dalë nga lufta. Dokumenti, siç theksuam në fillim, mban datën 3 maj 1947, pra ngjarjet zhvillohen dhjetë muaj pas nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë Shqiptaro-Jugosllave dhe një vit përpara se të shpërthente hapur grindja sovjeto-jugosllave. Dokumenti është botuar nga Akademia e Shkencave të Rusisë bashkë me shumë dokumente të tjera nën titullin e përbashkët: “Faktori sovjetik në Evropën Lindore, 1944-1953, dokumente”.

"Gjatë bisedimeve shqiptaro-jugosllave në maj të vitit 1947 në Beograd, - shkruan në Ditarin e tij Çuvakin dhe këtë e raporton edhe në Moskë se:

1.Dy miliardë dinarë që Jugosllavia ia ka premtuar Qeverisë shqiptare dhe të cilat, sipas deklaratës së jugosllavëve, duhet të përfshihen në buxhetin shtetëror të Shqipërisë për vitin 1947, jepen nga Jugosllavia jop thjesht në formë ndihme, siç kanë deklaruar më se një herë dhe te të cilat, duke u bazuar në këto deklarata, shqiptarët kishin shpresuar seriozisht por në formë kredie me të cilat Shqipëria duhet të blejë mallra jugosllave. Çfarë kumtesh! Për çfarë afati jepet kjo kredi, si duhet të shlyhet ajo etj...? Për këto, as njëra palë as tjetra, hëpërhë nuk thonë asgjë. Ç’është e vërteta, jugosllavët kanë deklaruar që kjo kredi duhet formësuar me anën e një marrëveshjeje të posaçme, me të gjitha premtimet e herëpashershme për ta paraqitur projektin e kësaj marrëveshjeje. Deri tani jugosllavët nuk e kanë paraqitur këtë projekt. Jugosllavët mendojnë se me nënshkrimin e marrëveshjes për kredinë, mund edhe të mos nxitohemi. Siç deklaroi Enver Hoxha, jugosllavët u zemëruan tmerrësisht kur delegacioni shqiptar, pasi mori vesh se 2 miliardat e premtuara Shqipërisë nuk janë dhuratë por kredi, deklaroi se në këtë rast ai nuk do të donte të diskutonte me jugosllavët mënyrën e përdorimit të kredisë në fjalë, meqë kjo është punë e vetë qeverisë shqiptare.  

2. Jugosllavët u ngatërruan përfundimisht me çështjen se si dhe në çfarë forme ata duhet të derdhin pjesën e tyre të kapitalit themelor në shoqëritë shqiptaro-jugosllave që po krijohen. Nëse me parë fjala ishte se ata vetë derdhnin pjesën e tyre të kapitalit themelor (në formë lëvrimi mallrash Shqipërisë, të cilat duhet të shiteshin nga Qeveria shqiptare, kurse paratë e mbledhura nga shitja e këtyre mallrave duhet të përdoreshin për shlyerjen e kuotës jugosllave në llogari të kapitalit themelor), tani jugosllavët i propozojnë Qeverisë shqiptare të derdhë pjesën e tyre, të kapitalit themelor nga shuma prej 2 miliardësh, e cila do të jepet siç është bërë e qartë tani, në formë kredie. Lidhur me këtë, përsëri lindi një konflikt. Po qe se jugosllavët do t’u llogarisin shqiptarëve pjesën e vet të kapitalit themelor në llogari të shumës së kredisë që po japin, shqiptarët ngulin këmbë në domosdoshmërinë për ta pakësuar shumën e kësaj kredie. Me fjalë të tjera, shqiptarët nuk duan të derdhin në këto shoqëri atë pjesë të kapitalit themelor, të cilin duhet ta derdhë Qeveria jugosllave. 

3.Përderisa 2 miliardat për të cilët flitet më sipër, i jepen Shqipërisë për blerje mallrash jugosllave, sipas mendimit të jugosllavëve, taksa mbi xhiron (deri 400 milionë dinarë) gjithashtu duhet të përfshihet në shumën 2 miliardë. Kjo çështje ngjalli mosmarrëveshje serioze dhe i habiti jo pak shqiptarët, të cilët mendojnë se taksa mbi xhiron nuk mund dhe nuk duhet të përfshihet në shumën e përgjithshme të kredisë që jepet.  

4. Delegacioni jugosllav propozoi që “komisionerët” e shoqërisë shqiptaro-jugosllave të eksport-importit t’i paguajë Qeveria shqiptare, pavarësisht nëse ajo i kryen operacionet e veta sipas porosive shqiptare apo jugosllave. Këtë propozim të vetin pala jugosllave e argumenton me faktin që shoqëria e importt - eksportit është krijuar vetëm për nevojat e Shqipërisë dhe se ata, jugosllavët, nuk do të kundërshtojnë po qe se në të ardhmen kjo shoqëri do të quhej jo shqiptaro-jugosllave, por thjesht shqiptare. Hëpërhë, edhe kjo çështje ka mbetur e hapur.  

5.Mbi lidhjen doganore dhe çeljen e kufirit shqiptaro-jugosllav për qytetarët e të dyja vendeve, delegacioni jugosllav deklaroi se, sipas mendimit të Qeverisë jugosllave kufiri shqiptaro-jugosllav duhet hapur pa shtyrje të mëtejshme. Jo vetëm kaq, jugosllavët kanë deklaruar në mënyrë kategorike që, nëse shqiptarët nuk duan ta hapin kufirin e tyre, ata mund të mos e bëjnë këtë, por në çdo rast, për qytetarët shqiptarë rruga për në Jugosllavi do të jetë e hapur dhe se Qeveria jugosllave nuk do të nxjerrë pengesa për ata qytetarë apo firma shqiptare që do dëshirojnë të hyjnë në bisedime komerciale me qytetarë dhe firmat jugosllave. Me fjalë të tjera, jugosllavët po e hapin kufirin e tyre, pavarësisht nëse u intereson ky vendim i tyre shqiptarëve apo jo. 

Çështjes së heqjes së taksave doganore dhe të hapjes së kufirit, shqiptarët i japin rëndësi të madhe. Ata druhen se mos gjatë kalimit të lirë të kufirit dhe në rastin e heqjes së taksave doganore, jugosllavët do të vërshojnë në Shqipëri dhe do të blejnë ato mallra që në Jugosllavi janë deficitare. Përveç kësaj, shqiptarët, jo pa arsye, kanë frikë nga zhvillimi i spekulimit dhe i tregut të zi, mbasi çmimet e shumë mallrave janë të ndryshme. Hëpërhë, shqiptarët ende nuk kanë vendosur se çfarë do të bëjnë në rast se jugosllavët do ta vënë në jetë “kërcënimin” e tyre.  

6.Jugosllavët, në kundërshtim me mendimin e tyre të mëparshëm, e vënë në kundërshtim mundësinë e unifikimit të çmimeve të mallrave në të dy vendet. Sipas mendimit të tyre, në kushtet e mungesës së shumë mallrave si në Jugosllavi edhe në Shqipëri, unifikimi tani zor se mund të kryhet. 

7.Shqiptarët u bindën përfundimisht në Beograd për paaftësinë e jugosllavëve për të filluar ndonjë ndërtim elektrifikimi sivjet në Shqipëri. Atyre u qëlloi të jenë të pranishëm gjatë bisedave të delegacionit jugosllav me përfaqësuesit e industrisë jugosllave të ndërtimeve elektrike. Doli që të gjithë përfaqësuesit jugosllavë, që drejtojnë ndërtimet në fushën e elektrifikimit, deklaruan kategorikisht pamundësinë e fillimit të ndonjë ndërtimi, për shkak të mungesës së përvojës njerëzore, pajisjeve etj. Lidhur me këtë, në Beograd u shtrua çështja e mundësisë së “likuidimit” të shoqërisë inekzistuese shqiptaro-jugosllave të ndërtimit të centraleve elektrike dhe të elektrifikimit.  

8. Sipas deklaratës së Enver Hoxhës, jugosllavët kanë shtruar çështjen që e gjithë valuta e lirë shqiptare të kalojë në Bankën Shtetërore të Jugosllavisë, në mënyrë që Qeveria jugosllave, e cila ka më tepër mundësi, të mund të sigurojë me këtë valutë në vende të tjera pajisje dhe mallra që i nevojiten Shqipërisë. 

Duke më i numëruar të gjitha këto fakte, Enver Hoxha më tha -shkruan Çuvakini -se një qëndrim i tillë i jugosllavëve ndaj Shqipërisë, zor se mund t’i shërbejë çështjes së forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Kuptohet se Shqipëria -vazhdoi ai,- ka nevojë për ndihmë të huaj, ndër të tjera edhe nga ana e Jugosllavisë, por ne do të dëshironim që mendimi ynë të merret parasysh, që përfaqësuesit tanë të respektohen.

Në përfundim, Enver Hoxha më njoftoi, vijon të shkruajë Çuvakin “se të gjithë kompleksin e çështjeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ekonomike e financiare me Jugosllavinë, ai ka ndërmend ta diskutojë në Byronë Politike më 4 maj, në mënyrë që t’i japë udhëzime të qarta delegacionit shqiptar në Beograd, se çfarë qëndrimi duhet të mbajë në bisedimet e mëtejshme. Përveç kësaj, ai ka ndërmend t’i shkruajë një letër personale Titos, ku t’i parashtrojë të gjitha çështjet më të rëndësishme dhe pikëpamjet e qeverisë shqiptare lidhur me këto probleme”. D. Çuvakin, i dërguari i B.R.S.S -së në Shqipëri.

Nga të gjitha këto, që janë edhe fokusim i kontradiktave të para të Enver Hoxhës me Titon, duket se Enver Hoxha i kishte “nuhatur” disi marrëdhënien e tensionuar të Stalinit me Titon, ndaj po përgatiste edhe ai shkelmimin ndaj padronit të tij të vjetër, për t’ja dhënë të “fuqishëm” siç ja dha pas prishjes së J.V.Stalinit me J.B.Titon.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat