Përse nuk u bë “rimiqësimi”me jugosllavët, kur atë e kërkonin sovjetikët e rinj hrushovianë?!

Historia

Përse nuk u bë “rimiqësimi”me jugosllavët, kur atë e kërkonin sovjetikët e rinj hrushovianë?!

Nga: Prof. Dr. Elmas Leci Më: 31 janar 2025 Në ora: 13:10
Autori Prof. Dr. Elmas Leci, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes Tiranë

Ambasadori i Jugosllavisë në Tiranë Milatoviç, më 4 gusht të vitit 1956, i kërkoi Enver Hoxhës që në frymën e Kongresit të 20 -të, udhëheqja komuniste shqiptare të dilte me një komunikatë, ku të deklaronte se "çdo e thënë kundër Jugosllavisë duhej hedhur poshtë, siç kishin bërë edhe vendet e tjera lindore”.

Ishte koha më e volitshme kur sovjetikët e rinj kishin ndërmarrë një fushatë të gjerë për rehabilitimin e jugosllavëve sa që edhe për ngjarjet në Hungari, Hrushovi preferoi të konsultohej me Titon, duke i shpërfillur të tjerët europiano

-lindorë. Kështu, më 2 nëntor 1956, Hrushovi së bashku me Malenkovin shkuan në Jugosllavi për bisedime me Titon për çështjen hungareze.Të dy së bashku morën vendimin se kush duhej emëruar Sekretar i Parë i KQ i Partisë në Hungari”, megjithëse Nikita Hrushovi përpiqej t’i vinte një tis çështjes së ndërhyrjes së Tito në ngjarjet hungareze. Më vonë, dolën në dritë edhe shumë fakte, që provonin jo vetëm rolin nxitës të Titos në ngjarjet hungareze por edhe bashkëfajësinë e udhëheqësve sovjetikë. Pavarësisht se jugosllavët dhe sovjetikët në “analizën” e përfundimit të ngjarjeve ia hidhnin fajin gabimeve të udhëheqjes së Rakoshit, faktet provonin konkluzionin se ngjarjet në Hungari ishin preludi i një “reaksioni zinxhir” për përmbysjen e udhëheqësve stalinistë dhe fitoren e “kursit të ri” sovjetik. Vetë nënsekretari i Shtetit për Punët e Jashtme i RF të Jugosllavisë Dobrivoje Vidiç, u deklaronte atasheve të shtypit të Bullgarisë, Çekosllovakisë, Shqipërisë etj., në kohën e zhvillimit të ngjarjeve se “ato që ndodhën në Hungari do të ndodhin patjetër edhe në vendet e tjera socialiste”.

Përsa i përket Shqipërisë shpresat e tyre nuk u realizuan sepse Enver Hoxha, pas dilemave dhe kur pa se çfar u ndodhi kolegëve në vendet Evropiano-Lindore, qëndroi e kundërshtoi “rimiqësimin” me Jugosllavinë dhe mbrojti “kultin e individit” duke u kapur fort pas Mao Ce Dunit. Prishja e marrëdhënieve diplomatike, ose më saktë ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik dhe roli i marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, patën vetëm ndikim propagandistik. Themi vetëm ndikim propagandistik, sepse në fushën e propagandës u ngritën boritë dhe u amplifikuan më shumë akuzat e kohës së Informbyrosë për regjimin e Titos. Pasojat e një propagande të tillë duhet thënë se rëndonin më shumë mbi shqiptarët e Kosovës dhe mbi ato në trojet e veta në Mal të Zi e në Maqedoni. Por përse iu dha kaq rëndësi aspektit propagandistik?! Së pari, për vetë faktin se në regjimin komunist propaganda i paraprin agresionit ushtarak me atë ideologjik. Së dyti, sepse me propagandë synohet mbulimi i të vërtetave, duke zbatuar teorinë “shpif shpif se diçka do të mbetet”. Së treti, me propagandën tregohet besnikëria e pandryshuar e regjimit. Së katërti, synohej të krijohej bindja te shqiptarët se regjimi komunist në Shqipëri ishte mbrojtësi i çështjes së bashkuar shqiptare.

Po ndikimi, ose më saktë përpjekja e Bashkimit Sovjetik, cili ishte në atë kohë? Ky është një problem që kërkon argumentim por të bazuar në fakte. E vërteta është se Moska, me shtrimin e tezës për ripërfshirjen e Beogradit në sistemin e vendeve komuniste, diskutoi edhe reagimin e Enver Hoxhës, me pluset e minuset e mundshme, diskutoi edhe qëndrimin jugosllav, por edhe qëndrimin e vet. Duhet thënë, siç e tregojnë edhe faktet historike, se Hrushovi dhe grupi i tij, bëri shumë për të mos vazhduar e çara në mes Moskës dhe Tiranës.

“Në kohën kur ekzistonin marrëdhënie shumë të mira midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë dhe Titoja gëzonte te Stalini një besim absolut, shkruan në “Kujtimet” e tij Nikita Hrushovi, “më kujtohet se si Stalini në prezencën time formuloi dhe diktoi një telegram për Titon, ku bëhej fjalë se këtej e tutje marrëdhëniet me Shqipërinë duhej të bazoheshin në faktin se Shqipëria do të përfshihej në përbërjen e Federatës Ballkanike”. Telegrami siç rezulton i u dërgua Titos. Natyrisht, për përmbajtjen e një telegrami të tillë, në Shqipëri nuk dinin gjë. Stalini, siç kanë shkruar bashkohësit e tij, shpesh e evidentonte idenë e krijimit të Federatës Ballkanike. Madje në Beograd, filluan edhe punimet për ndërtimin e një pallati, ku do të ishte rezidenca e qeverisë së kësaj Federate apo Konfederate. “Kur isha në Jugosllavi, unë e kam parë atë vend -shkruante Hrushovi. Atje ishin ndërtuar shumë konstruksione hekurbetoni, por më pas gjithçka qe braktisur. Përfshirja e Shqipërisë në përbërjen e shtetit jugosllav nuk binte në kundërshtim me idenë e Stalinit për krijimin e Federatës së shteteve të Ballkanit. Kur u ndërprenë marrëdhëniet miqësore me Jugosllavinë dhe Stalini filloi ta urrejë Titon, ideja e Federatës Ballkanike u varros përfundimisht”.

Në kohën e Hrushovit nuk bëhej më fjalë për Fedratën por për “rimiqësimin” e Jugosllavisë, që me udhëheqjet socialiste ai e kishte bërë. Problem pas disa luhatjeve kishte mbetur Shqipëria, Enver Hoxha, të cilin Nikita Hrushovi për problemin e “rimiqësimit” e kishte thirrur disa herë në Moskë.

Për këtë ishin bërë shumë e shumë tentativa. Edhe misioni i Hrushovit që erdhi në vitin 1959 në Shqipëri,qëllimi i fshehtë ishte heqja e Enver Hoxhës. Për këtë çoi më pas edhe ministrin e Mbrojtjes, Mareshalin Zhukov dhe bëri edhe të tjera përpjekje që kishin si objekt të parë normalizimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë. Po të ndodhte kjo, ishte brenda edhe “kulti i individit” dhe Enver Hoxha po t’i kishte pranuar do e kishte pësuar si Rakoshi e të tjerët. Ndonëse gjithnjë, që pas 1948-ës Shqipëria nuk ka pasur ndonjë nivel marrëdhëniesh me Jugosllavinë, pavarësisht se ambasadat gjithnjë kanë qenë në nivele të ndryshme, Enver Hoxha për çdo raste festash i “çonte falënderime e të fala Titos”.

Sido që zhvilloheshin ngjarjet e sido që mbaheshin qëndrimet, fryma e Kongresit të 20 -të depërtoi edhe në Shqipëri. Vetë Enver Hoxha në prag të Konferencës së Tiranës të vitit 1956, që u mbajt fill pas Kongresit të 20-të, shkroi në gazetën “Zëri i Popullit” një artikull ku theksonte demokratizimin e vijës së partisë dhe mbështetjen e vendimeve liberalizuese sovjetike, artikull që ishte mes dyzimit të tij për luftimin e kultit të individit apo për mbrojtjen e kultit të individit! Dy ditë më pas, Enver Hoxha për artikullin që e kishte botuar më shumë për tatim pusi, u ndesh me frymën prosovjetike të Konferencës së Tiranës, ku pjesëmarrësit kërkuan te ai eliminimin e kultit të individit dhe për këtë padiskutim që i drejtoheshin pushtetit të tij personal. Delegatët që i u kundërvunë për aplikim nga ai të “kultit të individit”, e pësuan keq me persekutime e dënime, ndërsa ai vetë shpëtoi si i thonë “për qime”.

Si manipulator që ishte Enver Hoxha, u deklaroi delegatëve se kjo që ndodhi në Konferencë ishte një përpjekje tjetër e Jugosllavisë për ta rrëzuar udhëheqjen komuniste të Shqipërisë. Faktikisht “incidentet” nga Konferenca e Tiranës e konsoliduan pushtetin diktatorial të Enver Hoxhës edhe më shumë, duke i bërë kështu të pamundshme reformat liberalizuese të tipit hrushovian.

Po atë vit Enver Hoxha vizitoi Kinën, e cila kishte nisur krisjen me Bashkimin Sovjetik. Ishte pikërisht vizita që Enver Hoxha bëri te Mao Ce Duni, e cila ishte edhe “shtrimi i rrugës” së marrëdhënieve në ngjitje me Kinën. Kjo dëshmohet edhe nga rritja e ndihmave kineze, të cilat nga 4.2% shkuan në 21.6%. Por Enver Hoxha tashmë e kishte vendosur, mbi të gjitha ruajtja e pushtetit personal e mbrojtja e “kultit të individit”, këtë sovjetikët nuk ja siguronin, kinezët po. Po ta lëshonte mbrojtjen e “kultit të individit”, Enver Hoxha do ta humbiste pushtetin personal dhe këtë udhëheqja e re sovjetike nuk ja garantonte, përkundrazi. Kurse Mao Ce Duni dukej ose i u duk Enver Hoxhës në atë kohë që e vizitoi, se ishte në pozita të forta në mbrojtje të kultit të individit e të pushtetit personal. Kjo ishte e rëndësishme për Enver Hoxhën dhe karrierën e tij politike dhe këtë e tregonte përgjigja pozitive e Kinës në dhënien e ndihmave. Arsyet se përse Enver Hoxha gjeti në këtë rast mbështetjen e Kinës, janë një objeksion tjetër studimi.

Mirëpo Nikita Hrushovi, e vijoi misionin e tij për “rimiqësimin” me Jugosllavinë, gjë e cilave sipas analizave të tij do ta çonte edhe udhëheqjen e Enver Hoxhës si të gjitha ato të vendeve të Europës Lindore, që i kishte larguar nga pushteti me motivacionin si staliniste.Në këtë kuadër, për ta mbajtur Enver Hoxhën dhe udhëheqjen shqiptare në linjën e interesave me udhëheqjen e re sovjetike, Nikita Hrushovi hodhi në tavolinë edhe idenë e vdekur për autonominë e Vorio Epirit dhe shpresonte t’i shfrytëzonte pretendimet greke dhe deklarimin e tij, për ta mbajtur Enver Hoxhën nën presion. Këto e të tjera u shfrytëzuan ethshëm nga Nikita Hrushovi, i cili shpresonte shumë në ndryshimin e udhëheqjes shqiptare, por jo te Enver Hoxha, te i cili ishte shumë dyshimtar. Erdhi Bukureshti dhe Enver Hoxha nuk vajti në atë mbledhje, ku patjetër si Sekretar i parë duhej të shkonte vetë, por çoi Hysni Kapon. Në këtë mbledhje nuk kishte më bashkohës apo adashë të Enver Hoxhës, pasi Sekretarët e parë të të gjitha partive të Europës Lindore, fryma e Kongresit të 20 -të i kishte shkarkuar dhe eliminuar. Kishte mbetur nga stalinistët vetëm Enver Hoxha, që Nikita Hrushovi po i vinte rrotull për ta hequr. Gjatë fjalimit të tij në mbledhje, Nikita Hrushovi nuk kurseu jo vetëm fjalorin kërcënues e demaskues për Enver Hoxhën, por arriti deri atje sa të deklaronte se është “ e pafytyrë sjellja e agjentit të Mao Ce Dunit, Enver Hoxhës” ndaj reformave demokratizuese sovjetike, që ai jo vetëm nuk i përkrah por edhe i stigmatizon, duke sjellë një pengesë të madhe në kuadrin e kampit socialist.134) Në këtë rast Nikita Hrushovi tregoi dhëmbët dhe u pasua po kërcënueshëm më pas në Konferencën e 81 partive, ku si shumë të tjerë, Dolorz Ibaruri mbështeti Nikita Hrushovin dhe u tha korifenjve të Konferencës se Enver Hoxha është si “qeni, i cili kafshon dorën që i jep bukë”. 

Që pas momentit të mësipërm, marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik vazhduan të keqësoheshin me shpejtësi. Sovjetikët aplikuan ndryshimin ndaj qëndrimit ndaj Enver Hoxhës dhe kaluan në një politikë të vijës së ashpër duke reduktuar në fillim ndihmat, në veçanti drithin, në një kohë kur Shqipëria po përballej me mundësinë e zisë së bukës. Tri, ishin gjërat që duhej të kishte pranuar Enver Hoxha, që të mos ishte prishur me sovjetikët e rinj. - E para, të bashkohej në autokritikën për trajtimin e Jugosllavisë së Titos si vend socialist, pra të pranonte “rimiqësimin” me Jugosllavinë. - E dyta, të bashkohej në luftën kundër kultit të individit. Dhe e treta, - të pranonte teorinë e “bashkekzistencës paqësore”. Por, po t’i kishte pranuar këto tri gjëra, ai me siguri nuk do të kishte qenë më në pushtet vetë, ama do t’i kishte bërë një shërbim të vlersuar çështjes së Shqipërisë falë atij pak demokratizimi alla sovjetikshe që po ndodhte në kampin socialist.

Në fakt, qoftë marrdhëniet e Enver Hoxhës para vitit 1948 apo ato pas këtij viti me Jugosllavinë janë përgjegjësi direkte e Enver Hoxhës, sepse ai njëherë për pushtetin e tij persoanl e vuri Shqipërinë plotësisht nën Jugosllavinë dhe herën tjetër përsëri po për ruajtjen e pushtetit të tij personal nuk pranonte në kushtet e reja “rimiqësimin” me Jugosllavinë se përsëri llogariste se e humbiste pushtin e tij. Ndaj edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë ishin në nivelin më të ulët, nivel, që ishte rezultat i shkakut se kërkohej zëvendësimi i Enver Hoxhës, synim që pati reperkusione të mëdha jo vetëm në planin ndërshtetëror, por edhe në planin kombëtar shqiptar. Le të kalojmë pak në digresion, me qëllim që të argumentojmë ndikimin e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, te shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Mal të Zi e Maqedoni.

Lëvizja dhe Lufta Antifashiste e popullit shqiptar siç e kemi thënë e gjetën Kosovën të bashkuar me Shqipërinë, ose më saktë do të ishte të shpreheshim, e gjeti pjesën më të madhe të popullsisë dhe të trojeve shqiptare të bashkuara. Nuk po analizojmë se si e qysh u bë ai bashkim, sepse janë çështje të një studimi tjetër, por fakt është se ai bashkim u realizua. Jo vetëm gjeografikisht u fshi kufiri padrejtësisht ndarës mes shqiptarëve e mes trojeve të tyre, por bashkimi rroku një aspekt më të gjerë e në shumë fusha të jetës shoqërore si arsimin, financën, mjekësinë, agronominë, administratën etj., pra ai bashkim, shënoi një integrim e bashkëpunim të shumanshëm, madje mund të thuhet edhe të frytshëm. Parë në këtë këndvështrim dhe që është edhe një qëndrim i drejtë, bashkimi sido që u bë, ishte një fakt realist historik, ishte një ndreqje padrejtësie ndaj kombit shqiptar për ruajtjen e të cilit udhëheqësit e mëvonshëm shqiptarë, vetë Enver Hoxha mbajnë përgjegjësi historike e të pajustifikuar. Nga dokumentacionet rezulton se ai, për të marrë pushtetin ja “dhuroi” apo ja “shiti” Kosovën Jugosllavisë se re, ndërsa Shtabi Ushtarak i Titos me kohë, politikisht dhe ushtarakisht që gjatë Luftës e futën Kosovën me Serbinë e Jugosllavinë. Përse Tito nuk e la Kosovën siç ishte me Shqipërinë dhe t’ju thoshte të dërguarve të tyre për “ndihmë” pranë shtabit të Enver Hoxhës, Popoviçit, Jovanoviçit, Tempos, Mugoshës, Stojniçit apo Dizdareviçit që edhe Kosova të përfshihej në programin e luftës shqiptare për Çlirim?! Edhe përpjekjet e patriotëve shqiptarë nacionalistë, që organizuan Mukjen e Bujanin, konferenca ku çështja e organizimit të Luftës dhe çlirimi në kuptimin nacionalist shqiptar, u vu në rend të ditës, këto u siluruan nga Tito dhe me vendimin e tij për pushtetin personal u solidarizua edhe Enver Hoxha, i cili i demaskoi ato si forume vendimarrëse dhe pjesmarësit firmëtarë të tyre i dënoi . Edhe më pas, ka plot bëma të Enver Hoxhës, me të cilat ai “mori në qafë” çështjen shqiptare si me dërgimin e Brigadave e të Divizioneve partizane për të nënshtruar Kosovën e kosovarët dhe për tu a dorëzuar ato siç i dorëzoi “raja” regjimit të Titos, apo Masakra e Tivarit, ku përsëri Enver Hoxha është përgjegjësi kryesor, pasi ai miratoi sipas kërkesës jugosllave vrasjen e mijra kosovarëve. Për të gjitha këto, e sa e sa bëma të tjera antikombëtare të Enver Hoxhës, para e pas prishjes me jugosllavët, atë vetë asnjëherë nuk e shqetësuan. Po, atë e shqetësonte fryma e liberalizmit sovjetik, kërkesat e Nikita Hrushovit për “rimiqësimin” me Jugosllavinë, pasi sipas tezës hrushoviane, “Tito dhe komunistët jugosllavë nuk kishin gabuar”. Kush kishte gabuar?! Analiza do të bëhej më pas dhe Enver Hoxha e dinte se sipas saj ai do të jepte llogari. Ndaj pas një periudhe disa vjeçare oshilacionesh me sovjetikët deri në prag të Bukureshtit, Enver Hoxha u përpoq të luante me dy porta, edhe me tezën e sovjetikëve të rinj, edhe kundër tyre. “Dhe çarja, e cila erdhi duke u thelluar midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë -shkruan Jon Holliday në librin e tij “Shqiptari dinak Enver Hoxha” -lindi kryesisht ngaqë Enver Hoxha i trembej demokratizimit”.

Të gjitha përpjekjet e Hrushovit për rimiqësimin e Enver Hoxhës me Titon, ndiqnin qëllimin që të rishikohej fillimisht periudha historike e ngjarjeve dhe e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, dhe pas rehabilitimit, patjetër radhën e eliminimit nga pushteti e kishte Enver Hoxha si përgjegjësi kryesor i të gjithë kalvarit të ekzekutimeve që ai kishte bërë vetë në Shqipëri me devizën se ky apo ai është “pro jugosllav dhe eliminoje”! Kjo ishte ajo që e frikësonte për vdekje Enver Hoxhën, ndaj më në fund, kur siguroi krahët nga Kina, qëndroi fort kundër udhëheqjes së re sovjetike, duke dhënë aparencën e mbrojtës së “parimeve marksiste-leniniste që po shkileshin nga Nikita Hrushovi”, parime që ai as nuk i njihte por që i shpiku e propagandoi për mbrojtjen e pushtetit të tij. Kujtojmë një moment nga presionet sovjetike për ta eliminuar nga pushteti Enver Hoxhën, moment që e kaloi me dredhi në vitin 1955, kur Mehmet Shehun e ngriti “në detyrë në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Këtë post bashkë me disa poste të tjera të larta si atë të Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste apo të Punës, të Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, të Kryetarit të Frontit Demokratik dhe të Ministrit të Jashtëm, i pati mbajtur të gjitha postet vetë ekskluzivisht e pa diskutim, Enver Hoxha”. Lënia e postit të Kryeministrit nga Enver Hoxha, ka të ngjarë të ketë qenë i detyruar nga Nikita Hrushovi fill pas vdekjes së Stalinit në kuadrin e luftës kundër “kultit të individit” dhe për ndryshime në udhëheqjet e larta të “partive motra” komuniste. Njihet tashmë nga historia se si Nikita Hrushovi, nisi dhe i spastroi të gjitha udhëheqjet e partive nga Sekretarët e parë të kohës së Stalinit.

Pas fushatës anti staliniste të Hrushovit edhe në Shqipëri, pritej që Mehmet Shehu si më i preferuari i sovjetikëve, të zëvendësonte Enver Hoxhën në krye të partisë. Ky i fundit qe thënë deri në opinion se mund të përfundonte përkohësisht Ministër Bujqësie. Por, ai parashikon gjithashtu ta fajësojë më pas Enver Hoxhën edhe për gjendjen katastrofike të bujqësisë dhe ta shkarkojë edhe nga posti i Ministrit të Bujqësisë. Ky është një dokument i CIA-s, që ka një përmbajtje të madhe lidhur me 8përpjekjet e sovjetikëve për spostimin e Enver Hoxhës nga pushteti. Mirëpo Enver Hoxha e parandjeu rrezikun dhe në vitin 1955 bëri një udhëtim të papritur, i vetëm për në Moskë, ku atje bëri vizita dhe takime konfidenciale me disa personalitete të Bashkimit Sovjetik. Thuhet se kur u kthye prej andej, Mehmet Shehu disi i fryrë tashmë dhe i përkëdhelur thuajse hapur prej sovjetikëve hrushovianë, as që e priti Enver Hoxhën në aeroport. Madje me pretekstin e luftës ndaj privilegjeve, i pati hequr Enver Hoxhës në mungesë të tij edhe makinën e truprojën personale. Kurse Nexhmije Hoxhën e pati shkarkuar nga posti i kryetares së Bashkimit të Grave të Shqipërisë. Në kuadrin e reformimeve, kur Enver Hoxha nuk ishte në Shqipëri, ai vuri në gjendje alarmi Ushtrinë dhe Sigurimin, dhe ndërmori hapin e mëtejshëm, mbledhjen e zyrtarëve të partisë dhe të Qeverisë në një “referendum” me “po” ose” jo” për rinovimin e akordit të miqësisë reciproke me Jugosllavinë. Kur me 3 shtator Enver Hoxha u kthye në Shqipëri bashkë me dy gjeneralë sovjetikë, thonë se ai nuk u prit si më parë, madje masat ishin marrë që ai të kontrollohej para se të lejohej të hynte në zyrën e tij. Mirëpo rezultoi se Mehmet Shehu me vendimet e tij në mungesë, të tij ishte nxituar me “masat” për Enver Hoxhën.

Për zgjidhjen e situatës në lidhje me largimin e Enver Hoxhës, Nikita Hrushovi në shtator të vitit 1955 dërgoi edhe një personalitet të lartë nën maskën për të marrë pjesë në punimet e Kongresit të III-të të Sindikatës së Grave të Shqipërisë, por në fakt ai ishte përfaqësues për zgjidhjen e konfrontimin Enver Hoxha-Mehmet Shehu, i cili i kishte kaluar hë për hë “limitet”, pasi siç u tha kjo “po dëmtonte situatën dhe marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike”.

Gjatë vizitës në Moskë, duke u bërë sovjetikët e rinj “dorzanë”, Enver Hoxha rezultoi se i pati fituar përkohësisht të gjitha postet që donte t’i mbante për vete, si dhe ato, siç thotë populli “me dëshirë nga poshtë e me vendim nga lart”, do t’i ndante me të tjerët. Ai ruajti për vete postin e Sekretarit të Parë të Partisë dhe ndau pushtetin qeveritar me Mehmet Shehun, duke e emëruar atë Kryeministër të Shqipërisë. Njëri do të kryesonte Partinë dhe tjetri si pasardhës potencial i tij, Qeverinë. Ky kompromis u ruajt heshturazi e i fshehtë, madje i paprekur nga të dy, deri në vitin tragjik 1981. Për “veprat anti Enverit”, Enver Hoxha përçudi asnjëherë nuk kërkoi llogari, as edhe autori i tyre Mehmet Shehu nuk dha ndonjëherë llogari. Sovjetikët e rinj kishin marrë nga Enver Hoxha sigurime për statukonë, njëri Partinë – e tjetri Pushtetin, madje në atë kohë edhe fotot zyrtare nëpër institucione nëpër Shqipëri vendoseshin ngjitur njëra tjetrës, madje edhe të së njëjtës madhësi, foto e Enver Hoxhës dhe foto e Mehmet Shehut.

Në atë vizitë gjysmë ilegale që përmendëm dhe në ato takime e biseda diskrete, që bëri Enver Hoxha në Moskë, thuajse bënë të mundur që ai të “kthehej triumfator”, por që mbështetja deri diku që kishte marrë nga sovjetikët e rinj, lidhej edhe me një koendicinim tjetër ndaj tij, që ishte qëndrimi i zbutur që ai duhej të mbante ndaj Titos e Jugosllavisë. Ishte viti kur vetë Nikita Hrushovi me Bulganinin dhe Malenkovin shkuan në Beograd, ku sapo zbritën nga avioni i deklaruan Titos se “ndjejmë keqardhjen tonë të sinqertë për atë që ka ndodhur me ju e Jugosllavinë”. Nga kjo Tito mori krahë dhe të dy palët në përgjithësi pohuan mirkuptimin e tyre të plotë në politikat e jashtme, të paktën formalisht si me respektimin e sovranitetit dhe barazisë midis shteteve, pranimin e “bashkë ekzistencës paqësore” midis kombeve pavarësisht nga ndryshimet ideologjike, pranimin e parimit sipas të cilit politika e blloqeve ushtarake rrit tensionin ndërkombëtar, gjëra këto që edhe në opinionin ndërkombëtar u pritën mirë. Thelbësorja që u diskutua dhe ju dha vistoja nga Nikita Hrushovi me Titon, ishte deviza e “rimiqësimit” me Jugosllavinë duke kërkuar falje për ato që kishin ndodhur në trajtimin ndaj saj, që ne udhëheqësit e rinj të Bashkimit Sovjetik “i hedhim poshtë me neveri”.

U duk se Enver Hoxha u ingranua mirë në këtë miqësi të re me Jugosllavët. Bëjnë pjesë shumë gjëra dhe veprimtari në këtë suazë si bisedimet, që i kemi përmendur më sipër mes ambasadorëve atij jugosllav dhe sovjetik me Enver Hoxhën. Në to, sipas dokumentacioneve e dëshmitarëve, rezulton se Enver Hoxha manifestoi në vitet e më pastajme 1956 e 1957, një paraqitje të zbutur dhe një farë mirëkuptimi për tu shtruar e zgjidhur ndofta edhe problemet. Mirpo ngjarjet ecin dhe në vendet Evropianolindore ndodhin ngjarje jo vetëm të shpejta por edhe të habitshme se si shkarkohen njëri pas tjetrit personalitetet, veçanërisht Sekretarët e Parë dhe ku dënohen me burgime të rënda nën “shembullin e Berias” të gjithë ministrat e Brendshëm. Këto sipas analistëve ishin rezultat i Nikita Hrushovit dhe i politikës së tij, i frymës së Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste Sovjetike. Mirpo një situatë e tillë e kishte tmerruar Enver Hoxhën, pasi krimet për të cilën akuzoheshin homologët nëpër Europën Lindore, krahësuar me ato të tijat ishin si pika uji. “Rimiqsimi” me Jugosllavinë ishte frika e madhe e humbjes së pushteti që kishte Enver Hoxha dhe që u shfaq ethshëm në marrëdhëniet me Nikita Hrushovin e sovjetikët e rinj.

 

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat