Data 3 shkurt shënjon 8-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të Dritëro Agolli. Kolosi i letërsisë shqiptare u shua në moshën 85-vjeçare ndërsa trashëgimi la një krijimtari të pasur me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash, etj.
Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në Menkulas të Devollit. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet në Fakultetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë si gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit” dhe për shumë vjet ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për 30 vite me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash, etj. Vepra e tij poetike më e shquar është “Nënë Shqipëri” (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik.
Në një sërë vjershash dhe poemash, Dritëro Agolli pasqyron frymën e Luftës Nacionalçlirimtare. Në prozë, bëri emër sidomos me romanin “Komisari Memo”, si dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Disa prej veprave të tij janë ekranizuar. Vepra e fundit e Dritëro Agollit është libri me poezi “Prit edhe pak”, kushtuar bashkëshortes Sadije. Dritëro Agolli cilësohet si një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave në letërsinë shqipe. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në vitin 2003. Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. U pranua anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” (Itali). Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës e Gjirokastrës. U nda nga jeta më 3 shkurt 2017, në Tiranë.
Krijimtaria
Rruga krijuese e Dritëro Agollit nis në bankat e gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ku boton në shtypin e kohës poezitë e para të ndikuara nga autorët e Rilindjes dhe folklori shqiptar. Veprën e parë, Agolli e botoi në vitin 1958. Është vëllimi i parë me vjersha “Në rrugë dolla”, i cili u prit mirë nga kritika e kohës. Më pas, sprova e dytë letrare është përsëri me poezi, vëllimi “Hapat e mia në asfalt”. Pas përfundimit të gjimnazit në Gjirokastër, Agolli bëri kërkesë për të vazhduar shkollën e lartë për Zooteknikë. Siç thotë vet Agolli, edhe pse kishte botuar poezitë e para, mendonte se letërsia mund të zhvillohej vetë dhe duke ndjekur rrugë të tjera në jetë. Kërkesa për të ndjekur studimet për Veterinari i dërgohet ministrit të Arsimit, Karahman Ylli, i cili e kishte fiksuar emrin e poetit të ri. “Ky djalë ka botuar vjersha, ndaj nuk ka për të studiuar për Veterinari, por të shkojë me studime për Letërsi”, kanë qenë fjalët e ministrit që i ndryshuan rrjedhën e jetës Agollit.
“Para se të bëhesha student, kur isha nxënës, ëndërroja të bëhesha veteriner, sepse më pëlqenin shumë kafshët. Unë mbaja një manar, një sheleg manar dhe ai flinte me mua, unë flija në atë shtrojën me dërrasa, ndërsa ai flinte poshtë nën mua. Nuk më ndahej kudo që shkoja. Më kujtohet, kisha një kalë në shtëpi, shumë të mirë. Edhe në dasma shkoja me të; ne djemtë shkonim në to se kush do t’ia çonte shaminë e nuses i pari në vatrën ku martohej dhe këtë punë bënim me kalin e shpejtë. Një mbrëmje kali ishte shtrirë në haur. Mua më dukej sikur qante, dhe qante vërtet. Vete në shtëpi dhe them se kali po qan. “Jo mor, – më thanë, – se nuk shtrihet kali, ai edhe kur fle, fle në këmbë”. Vajtëm të gjithë dhe vërtet kali ishte shtrirë, na pa një herë të fundit dhe vdiq. Kjo më ka mbetur merak dhe prandaj kërkova të bëhem veteriner kur mbarova gjimnazin”, ka thënë Agolli në një intervistë për dëshirën e tij për t’u bërë veteriner.
Kërcënimet
Momentet më të hidhura të jetës së tij, Agolli i kujton me shkrimet që ka lexuar nga autorë të ndryshëm pas viteve 1990 në adresë të tij. Por hidhërimi ka qenë më i madh kur autorët janë miqtë e tij të dikurshëm apo njerëz që i ka ndihmuar në krijimtarinë letrare. Në Kongresin IV të Komitetit Qendror, Agolli kalon një nga momentet më kritike. I duhej të bënte autokritikë si kryetar i Lidhjes dhe të sqaronte arsyet se përse pinte dhe ndonjëherë fliste “pa menduar”. Një pozitë jo e këndshme kjo për shkrimtarin që njihej si një karakter rebel. Në Kongresin X të Partisë së Punës, Agolli bëri dhe kthesën më të madhe të karrierës së tij politike teksa u rreshtua në forcat progresiste. Një veprim që i kushtoi shumë në sytë e komunistëve që kërkonin të mbanin me fanatizëm sistemin. Dritëro Agolli ka marrë dhe kërcënime me vdekje pas vitit 1991. Ishte pikërisht fjalimi i Kongresit X të PP-së që solli mërinë e komunisteve ndaj shkrimtarit. Në adresë të tij u dërguan letra kërcënuese për të personalisht dhe familjen e tij. Në vitin 1991, Agolli ka ndenjur i izoluar tre muaj në shtëpinë e tij në Rrugën e Dibrës, për arsye sigurie. Ministria e Brendshme vuri roje në pallatin e tij pas sinjalizimeve për ndonjë sulm të mundshëm nga huliganë.
Angazhimet
Dritëro Agolli ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. Ai u emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992. Gjatë kohës së komunizmit, Agolli ka mbajtur këto detyra, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe deputet në disa legjislatura. Dritëro Agolli ka qenë që në vitet ‘90 anëtar i PS-së, duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin e kësaj partie. Agolli ka qenë deputet i Partisë Socialiste që nga viti 1992 deri në vitin 2001. Ai ka qenë, gjithashtu, edhe anëtar i kryesisë së kësaj partie për vite më radhë. Për herë të fundit Agolli ka qenë deputet i Parlamentit për gjashtë muaj në vitin 2005. Pas largimit të deputetit të PS-së, Bardhyl Agasi, Agolli zëvendësoi atë.
Agolli kujton si momentet më të lumtura të jetës së tij studimet në Rusi, daljen e librit të parë në botim më 1958, martesën me Sadijen në 4 tetor 1963, si dhe botimin e veprave të tij në gjuhë të huaja. Agolli është zgjedhur deputet për 30 vjet me radhë edhe në kohën e diktaturës, edhe dhjetë vjet në kohën e tranzicionit. Në Parlament mbahet mend për urtësinë dhe fjalimet brilante në podiumin e Kuvendit. Romani “Komisari Memo” është një nga librat e Agollit që është bërë film me titullin “I teti në bronz”. Ky film është shfaqur edhe në Kinë, ku është pritur mjaft mirë nga publiku kinez. Dritëro Agolli ka thyer edhe parimin se vetëm pas vdekjes bëhesh legjendë. Dritëro Agolli ka shkruar edhe tekste këngësh, madje duke marrë edhe çmime.
Një ndër çmimet ishte ai i vitit 1971, kur këngëtarja Alida Hisku, 14 vjeçe, në festivalin e 10-të merr çmimin e dytë me tekstin e Dritëro Agolli “E Paharruara”. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”. Shkrimtari i njohur shqiptar, Dritëro Agolli, është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në vitin 2003. Ceremonia është zhvilluar me rastin e përvjetorit të ngritjes së flamurit në Tiranë dhe çmimi iu dorëzua nga kryebashkiaku Edi Rama.
Çmimet
Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. Dritëro Agolli është anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës, Gjirokastrës etj. Nuk numërohen vlerësimet që i janë bërë legjendës së letrave shqipe. Ndër më të qëlluarit është vlerësimi i Fransua Nurisjes, i cili ka thënë se, “Agolli është Kafka, me pak më shumë diell”. Ndërsa Alen Boske shkruan për të se, “Shqipëria na zbulon një autor me përmasa të mëdha… Dhe dinamiti mbulohet me petale. Një autor që meriton famë evropiane”.
Dritëro Agolli e Ismail Kadare kanë qenë të përfshirë në Fjalorin Enciklopedik që në vitin 1985. Por ata ishin një përjashtim i jashtëzakonshëm në vitin e hershëm 1985! Pasi që të përfshiheshe në Fjalorin Enciklopedik, në ato vite duhej të mos ishe më në jetë. Dritëro Agolli cilësohet si një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave në letërsinë shqipe. Jo vetëm në antologjinë shqiptare, por ai tashmë është i përfshirë në antologjitë e disa vendeve të botës. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Është i pari që krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej në atë kohë “për të bashkuar masat”.
Propozimi
Në vitin 2005 ai është propozuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve për të qenë kandidat për çmimin “Nobel”. Por nuk ka pranuar të jetë kandidat. Sipas tij, Ismail Kadare është i vetmi shqiptar që duhet të jetë kandidat dhe që duhet ta fitojë këtë çmim prestigjioz. Agolli apo Kadare? Porse, siç thoshte vetë Agolli, asnjëri nuk mund të ndahet dot nga tjetri. Sipas tij, nuk duhet të ketë më pyetje kush është më i madh e kush më i vogël, kush ka qenë më i përkrahur e më pak i përkrahur. Agolli ka treguar në një intervistë se kryeministri Mehmet Shehu u është drejtuar të dyve: “Ju jeni dy shkrimtarët kryesorë të vendit dhe jeni si dy qe që lëroni tokën. Ne, herë ngacmojmë njërin e herë tjetrin me hosten, në mënyrë që puna të shkojë mbarë”. Miqësia e dy korifenjve të letërsisë shqipe, Dritëro Agollit dhe Ismail Kadares, zë fill në gjimnazin e Gjirokastrës në vitet 1950. Agolli ishte dy vite shkollore më i madh se Kadare, por bashkë bënin pjesë në rrethin letrar të shkollës, ku dhe i recitonin vjershat njëri-tjetrit. Agolli së bashku me Kadarenë janë dy krijuesit që e ngritën letërsinë në nivelin e asaj ndërkombëtare. I përkasin brezit të shkrimtarëve të viteve 1960, që shpëtuan letërsinë nga dogmatizmi i realizmit socialist.
Veprat kryesore të Dritëro Agollit janë shkruar gjatë viteve të diktaturës. Megjithatë, edhe pse nën skematizmin e kohës, romanet tij kapin tema universale dhe janë të vlefshëm për të gjitha sistemet dhe të gjitha kohërat. Dritëro Agolli është ndër të paktët krijues dhe njerëz të artit që e ka të qetë ndërgjegjen me të kaluarën e tij. Është i vetmi që pas rënies së komunizmit, e pranon se ka qenë komunist dhe ka punuar për komunizmin. Karakteristika më e veçantë e Dritëro Agollit është thjeshtësia me të cilën komunikon, ulja në tavolinë, biseda e thjeshtë dhe mikpritja në shtëpi. Dhoma e ndenjes së tij është kthyer shpesh në dhomë bisedash mes miqsh, dashamirës, gazetarësh, por edhe njerëz të thjeshtë që kanë dashur vetëm ta takojnë.
Personazhet
Dritëro Agolli është i vetmi shkrimtar që pas vitit 1990 e ka takuar një personazh real, të cilin e ka pasur personazh në libra dhe në filma. Bëhet fjalë për Sejfi Protopapën, i cili është personazhi real i Sali Protopapës në romanin “Komisari Memo” dhe në filmin “I teti në bronz”. Dritëro Agolli ka marrë cilësime të tilla nga politikanë, analistë dhe gazetarë: Patriarku i PS-së, mendimtari i të majtës, shkrimtari politikan. Për kritikën letrare, Agolli renditet në panteonin e letërsisë shqipe. Nëse në poezi Kadareja krijoi “Shqipërinë tjetër” që vinte nga lashtësia. Agolli gjatë viteve të diktaturës tregoi “Shqipërinë alternative”. Në krijimtari epiko-lirike që dallon nga pjesa tjetër e letërsisë së realizimit socialist. Gjatë krijimtarisë letrare, në të gjithë veprën e Agollit vihen re shtatë tipare kryesore në të cilat mbështetet arti i tij. Kulti i tokës dhe i bukës, shenjtërimi i njeriut dhe natyrës, raporti personal me botën, miti i atdheut, historia e të parëve, zhgënjim për kohën dhe humbjen e saj, dhe e ardhmja optimiste. Agollit nga censura komuniste i janë ndaluar tre libra.
I pari ka qenë “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitet 1960, drama “Mosha e bardhë” në vitet 1980 dhe një seri tregimesh në revistën “Nëntori”. Dy të fundit janë ndaluar gjatë kohës që ishte kryetar i Lidhjes. Ai e botoi librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitin 1964, por vetëm një vit më pas ky libër u hoq nga qarkullimi dhe Agolli u kritikua, pasi me këtë libër e paraqiste me pesimizëm realitetin komunist. Në një intervistë të dhënë për median shqiptare, Agolli ka thënë që nga librat që ai nuk do t’i harrojë kurrë janë “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe librat me poezi “Pelegrini i vonuar”, “Në mesditë”, “Udhëtoj i menduar”, etj.
Filmi
Shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli, veç poezive, romaneve, tregimeve, ka shkruar edhe skenarë filmash. Filmi i parë për të cilin ai përgatiti një skenar dhe nuk shndërroi një krijim letrar në skenar ishte “Horizonte të hapura”.
Agolli, i cili është edhe autor i një sërë skenarëve për dokumentarë, ka megjithatë edhe një poemë që ka shërbyer si skenar për një dokumentar shqiptar me regji të Endri Kekos. Bëhet fjalë për “Partizanin Meke”, i punuar në një formë të cilën Dritëroi e quan origjinale dhe që ishte gjysmë film artistik dhe gjysmë dokumentar. Librat me poezi dhe poemat më të njohura të Agollit janë: “Në rrugë dola”, “Hapat e mia në asfalt”, “Shtigje malesh dhe trotuare”, “Devoll-Devoll”, “Mesditë”, “Baballarët”, “Nënë Shqipëri”, “Fjala gdhend gurin”, “Udhëtoj i menduar”. Pas 1990-s “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Njerëz të krisur”, “Vjen njeriu i çuditshëm”, “Lutjet e kambanës”, “Fletorkat e mesnatës”, etj. Dy janë dramat më të njohura të Dritëro Agollit. “Mosha e bardhë”, e cila u ndalua nga botimi gjatë diktaturës, si dhe drama “Fytyra e dytë”. Dritëro Agolli është i njohur dhe si përkthyes. Ka përkthyer nga anglishtja poezitë e poetit Robert Bërns dhe nga frëngjishtja poezitë e poetit Pol Elyear, i cili ka dhe disa poezi për Shqipërinë. Ndërsa veprën më të madhe në përkthim Agolli e ka nga rusishtja. Botimi voluminoz, “Shekulli i artë”, është një nga më të arrirët artistikisht.
Agolli ka përkthyer poetët më në zë të shekullit të 19-të në Rusi, si Pushkin, Ahmatova, Bllok, Lermontov dhe shumë të tjerë. Një vit më parë u botua libri “I përndjekuri i dashurisë”, një përmbledhje e poezive më të bukura të dashurisë, të shkruara që nga viti 1960 e në vijim nga shkrimtari Dritëro Agolli. Ky libër erdhi jo vetëm si mungesë e një përmbledhje të tillë, por si një dëshmi se poeti i madh Dritëro Agolli ka shkruar më shumë poezi dashuri se cilido tjetër poet bashkëkohor shqiptar. Në poezitë e dashurisë së Dritëro Agolli gjen të ndërthurura: përmasat e emocionit; dashurinë e pafat që përjeton drama dhimbjesh; zbërthimin e gjendjes shpirtërore; përplasje emocionesh në momente të kundërta; gjuhën e ironisë në përshkrimin emocionues të dashurisë e mbi të gjitha, ndërthurjen e dhembshurisë dhe himnizimit të figurës së femrës, si qenia më hyjnore në këtë botë.