Lidhja e gjakut me Musinenë dhe ndëshkimi që i dha diktatura Tajar Kokalarit! Kush ishte ikona e arsimit shqiptar dhe si mori fund dëshira e tij për t’u bërë jurist?

Historia

Lidhja e gjakut me Musinenë dhe ndëshkimi që i dha diktatura Tajar Kokalarit! Kush ishte ikona e arsimit shqiptar dhe si mori fund dëshira e tij për t’u bërë jurist?

Nga: ARJETA KOKALARI Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 17:12
Musine dhe Tajar Kokalari

Mes ditëve të dhjetorit, të ngarkuara me ngjarje aktuale, kaloi pothuajse pa vëmendje, largimi nga jeta i një ikone të arsimit shqiptar, “Mësuesit të Popullit” Tajar Kokalari.

Lindi në Gjirokastër, më 12 qershor 1937. Ishte fëmija i katërt i Qemal dhe Fatime Kokalarit. I ati, Qemali, mbarte ndjenjat kombëtare dhe arsimdashëse të frymëzuara nga Rilindja jonë kombëtare dhe të trashëguara nga familja, si nga i ati, Tahsini, të cilin e gjejmë të përmendur në kujtimet e Thoma Papapanos, si mbështetës dhe kontribues në hapjen e shkollës së parë shqipe në Gjirokastër “Liria”, ashtu edhe nga, Sabri Kallajxhiu, një pjesëmarrës aktiv i Rilindjes Kombëtare, dhe nga mësuesit e parë të gjuhës shqipe, që i kultivoi më tej në studimet në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, një nga shkollat civile më prestigjioze të kohës, ku kishin studiuar edhe vëllezërit Frashëri.

Në këtë frymë diturie dhe kulture, do të rriteshin të katër vëllezërit Kokalari, me synimin për të arritur gjithmonë maksimumin në studimet e tyre, Lidhja me arsimin, ishte në një mënyrë organike, me shkollën më të famshme në Gjirokastër dhe rajon, gjimnazin e sotëm, Liceun Francez të dikurshëm. Që në vegjëli, i ati do t’u mësonte përmendësh vjershat dhe poemat e Naim Frashërit, por edhe fabulat e La Fonten-it dhe vjersha të shkurtra në frëngjisht. Tajari, pati fatin të mësohej nga një brez i shkëlqyer arsimtarësh, shumica e të cilëve kishin studiuar në vendet perëndimore dhe përcillnin tek nxënësit, jo vetëm dije, por edhe kulturë e qytetari.

Ata do të ishin modeli i tij kur të niste rrugëtimin në mësimdhënie. Vera e vitit 1955, pas përfundimit të maturës, ishte e ankthshme, në pritje të të drejtave të studimit në universitet. Tajari mendonte se dega që i përshtatej më shumë ishte juridiku, por ai kishte listuar si mundësi tjetër mjekësinë, ose farmacinë. Shpallja e të drejtave të studimit ishte zhgënjyese për të, i kishin caktuar Kimi në Institutin 2- vjeçar të Tiranës, pra, jo studime universitare, ku ai shkoi vetëm një muaj dhe e braktisi. Ndërkohë kishte shumë nevojë për mësues dhe Tajarit iu ofrua mundësia të punonte si mësues në shkollën “Musa Fratari” të Këlcyrës, duke nisur një rrugëtim të gjatë, të cilit do t’i përkushtohej gjithë jetën.

Megjithëse pa përvojë dhe profilizim pedagogjik, Tajari arriti të krijojë një reputacion të mirë, si tek nxënësit, ashtu edhe tek trupa mësimore dhe kjo bëri që ajo pauzë e detyruar në vazhdimësinë e shkollimit të tij të zgjaste për tre vjet, në shkollat në Këlcyrë dhe Ballaban. Ende sot, pas 70 vjetësh, ish-nxënësit e tij e kujtojnë me respekt të veçantë për interesin që u ngjallte gjatë zhvillimit të orës së mësimit.

Në vitin akademik 1958- 1959, pas kapërcimit me këmbëngulje të shumë pengesave që i krijoheshin nga institucionet e kohës, Tajar Kokalari nisi studimet universitare në Degën Biologji-Kimi. Kështu u përcaktua përfundimisht e ardhmja e tij në arsim dhe mori fund dëshira për t’u bërë jurist. Kjo nuk e pengoi aspak që t’i përkushtohej studimeve me ambicien për të arritur rezultate të larta, të cilën e arriti duke punuar ngulshëm dhe sistematikisht, duke u diplomuar në vitin 1962.

Mund të shkruhet pafund për eksperiencën e tij në mësimdhënie, në të gjitha nivelet e arsimit, duke filluar nga ai më i ulët, deri në arsimin e lartë, por edhe në përvojën si metodist dhe përhapës i risive në metodikën e mësimdhënies. Filloi në gjimnazin e qytetit, i cili asokohe përfshin edhe ciklin e lartë të 8- vjeçares, Kam pasur fatin të jetoj e të rritem pranë tij dhe të shoh e të ndjej vlerësimin dhe respektin e pamasë që mësuesit jo vetëm të Gjirokastrës, kishin për profesionalizmin e tij, të dëgjoja historitë personale që tregonte, ku ngjarje të ndryshme të përjetuara në fushën profesionale, apo atë shoqërore e kishin vënë në pozitat e nxënësit, dhe e kishin ndihmuar të përsoste gjithnjë e më shumë rolin e mësuesit, artin e komunikimit dhe mësimdhënies.

Po përse ishte kaq i veçantë mësuesi Tajar Kokalari?

Nuk kam qenë nxënësja e tij në klasë, por kam qenë nxënësja e tij që kur kam lindur. Së pari, xhaxhai im Tajar Kokalari ishte shumë skrupoloz në përvetësimin personal të dijeve dhe e kishte të lindur aftësinë për t’i përcjellë dhe ndarë me ato me të tjerët. Tajari do të gjente mënyra për ta bërë sa më të dashur dhe interesante misionin e mësuesit për të përçuar dije shkencore jo vetëm tek nxënësit e zellshëm, por edhe tek ata që nuk ishin shumë të prirur për lëndët shkencore, duke mos u mjaftuar vetëm në tekstin e librit.

Gjatë viteve në gjimnaz, ai duke përfshirë gjithë nxënësit, do të krijonte një laborator të gjallë në ambientet e jashtme të shkollës, akuarium me peshq të ndryshëm, kafaze me lepuj, akuaterarium, terarium ku mbaheshin gjarpërinj, bretkosa, e zvarranikë të tjerë, kultivonin krimba toke, merimanga, material për njëqelizorë etj., vëzhgonin nga afër jetën e insekteve. Shumicën e tyre i grumbullonte duke organizuar ekskursione me nxënësit. Duke vënë re prirjen e nxënësve për të koleksionuar në mënyrë amatore pulla postare, ai do të krijonte një koleksion të mirëfilltë filatelie të botës bimore dhe shtazore, për ta paraqitur si ilustrim në orët e mësimit.

Gjithsesi talenti dhe risitë në mësimdhënie, nuk ishte i mjaftueshëm që Tajari të ishte i vlerësuar, përkundrazi. Ajo prirje e brendshme që e kishte shtyrë për t’u bërë jurist, drejtësia, bënte të mospajtohej me subjektivizma dhe të vinte në dukje të meta e dobësi që shfaqnin drejtuesit e trupës pedagogjike, apo edhe ata që përfaqësonin partinë, jo nga keqdashja, por duke menduar parimisht se ata duhet të ishin shembulli i patëmetë. Ky qëndrim ndonëse nuk kundërshtohej hapur, grumbullonte armiqësi të fshehur ndaj tij, e cila u materializua duke e transferuar në vitin 1966 mësues në shkollën 7- vjeçare të Poliçanit një fshat i largët malor, mes një komuniteti skeptik dhe të distancuar nga të huajt e rrallë që u binte rasti të shkelnin në fshat, ndaj mësues Tajari e kalonte kohën pas mësimit duke u kujdesur për një hapësirë që i ishte vënë në dispozicion të shkollës si kopsht eksperimental.

Duke vënë në shfrytëzim trashëgiminë e gjirokastritëve në punimet e gurit, ai ditë pas dite rrethoi me mure kopshtin, duke i dhënë një pamje estetike dhe vitin tjetër, së bashku me nxënësit krijuan një konvejer të gjelbër ku kultivonin farishte dhe fidanë për pemishte. Ky kopsht tërhiqte vëmendjen e gjithë atyre që jetonin apo kalonin nga Poliçani dhe bashkë me emrin e Tajar Kokalarit kujtohet edhe sot si legjendë në atë zonë. Më në fund i tërhoqi vëmendjen edhe të drejtuesve lokalë, që organizuan një seminar, por edhe të Ministrisë së Arsimit, që me ftesë personale i kërkuan mësuesit Tajar Kokalari të merrte pjesë në Konferencën e Parë Kombëtare të Arsimit.

Viti shkollor 1968-1969 e solli mësues Tajarin në Gjirokastër, shkollën 8- vjeçare “Urani Rumbo”, ku dëshironte të vazhdonte përvojën e kopshtit eksperimental të Poliçanit, por megjithëse nuk pati mundësinë e një terreni për ta ngritur, përdori fuçi me dhe për të kultivuar 15 rrënjë portokalle, të cilat qëndruan aty 15 vjet.

Në vitin akademik 1969- 1970, Tajari caktohet pedagog efektiv në Filialet që u hapën në Gjirokastër të Institutit Pedagogjik, Institutit Bujqësor dhe Fakultetit Ekonomik, duke punuar me mbingarkesë dhe shumë programe, por edhe një sforcim personal për të siguruar bazën materiale laboratorike, duke arritur të ngrejë një laborator të mirëpajisur. Për të realizuar konkretizimin material të herbarizuar, në vitet 1970-1976 iu vu punës për të grumbulluar e konservuar bimë të rajonit dhe kjo iu kthye në pasion, ku angazhoi edhe mësues të tjerë të biologjisë nga zona të ndryshme nëpërmjet ekspeditave në çdo krahinë të Gjirokastrës, duke u ngjitur nga Dhëmbeli e Nermçka deri në Bureto e Mal të Gjerë. Nuk hoqi dorë as nga kujdesi i gjithmonshëm për gjelbërimin e ambientit dhe së bashku me studentët mbollën në ambientet e jashtme të Institutit (sot Universiteti Eqerem Çabej) 17 drurë dekorativë, të cilët janë edhe sot, ndonëse askush që rri nën hijen e tyre nuk e di se janë mbjellë nën kujdesin e Tajar Kokalarit, një prej atyre që vunë gurët e parë në ndërtesën e dijes së atij institucioni.

Gjatë viteve të punës në Institut, Tajari mbajti një qëndrim të pavarur, duke mos u bërë pjesë e grupimeve karrieriste, apo servile, por si dhe më parë, qëndrimet që ai kishte mbajtur nëpër mbledhje, bazuar në mendimin e tij profesional, u gjykuan në momente konfliktesh mes dy grupimeve si mbajtje ane duke e sulmuar në çdo mbledhje e duke e çuar çështjen deri në Kom. Partisë. Vijuan paskëtaj veprimet ndëshkuese: E hoqën nga drejtimi i Filialeve, i hoqën fotografinë dhe vlerësimin si punonjës i dalluar, filluan t’i kujtojnë biografinë familjare (xhaxhai në Amerikë që mbante qëndrim armiqësor, kushërinjtë e pushkatuar e të dënuar, lidhja farefisnore me Musine Kokalarin etj.), i përgjysmuan ngarkesën në orë mësimi… më në fund karakteristika:

“Ka mbajtur qëndrim prej fodulli, me shpifje, thashetheme, i parregullt në zborin ushtarak, i është kundërvënë vendimeve të Partisë dhe drejtuesve.” Në mbledhjen e kolektivit u rrëzuan të gjitha cilësimet negative që i bëheshin, por jo armiqësia që kishte fituar nga drejtuesit. Dhe kështu, 1 shtatori 1976, fillimi i vitit shkollor, e gjeti mësuesin Tajar Kokalari jashtë sistemit arsimor, dhe të papunë, pa të ardhura ekonomike, në kohën kur individi dhe gjithçka varej nga shteti. U gjend pas disa muajsh një vend në Libohovë, që me transportin e atëhershëm do të thoshte që përveç punës me orët e mësimit, do të ishe gjithë kohën i larguar nga shtëpia.

Një ndryshim ndodhi në vitin 1978, ku filloi në kabinetin padagogjik si mësues në dispozicion e më pas si metodist. Ky pozicion e ndihmoi të njohë më thellë organizimin e strukturave arsimore, por nëpërmjet kontrolleve dhe inspektimeve të shtonte njohuritë nga eksperiencat dhe tashmë zotëronte me kompetencë punën e tij. Ishte viti 1982, kur pas një përvoje 27-vjeçare në arsim, ku kishte ndihmuar për përgatitjen e qindra mësuesve të rinj, i kërkohet të shkojë “mësues vullnetar” në rrethet e veriut e kur kjo nuk u realizua e dërguan në shkollën pedagogjike. Nuk mund të ishte i gëzuar për këtë lëvizje, por tani kishte mundësinë që të praktikonte atë që u udhëzonte mësuesve të tjerë, si inspektor dhe metodist. Një nga ishnxënëset e tij, sot mësuese, A.Qurku, do të më shkruante këto ditë zie: “Ia lakoj emrin në çdo klasë ku bëj mësim, si etalon dijesh, guximi, profesionalizmi e qytetarie. Lum kush e njohu e u formua prej tij! Brezi ynë ishte fatlum!”

Me mbështetjen e Seksionit të Arsimit, ngriti një kabinet të mirëpajisur dhe të modernizuar, si në paraqitje, ashtu edhe në funksionim. Për ta shpërndarë këtë përvojë, propozoi një takim me gjithë mësuesit e kimisë të rrethit, e cila mori përmasat e një seminari dhe shërbeu si pikënisje shpalljen e aksionit kombëtar për ngritjen e kabineteve të kimisë në të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë, ku Tajari do të angazhohej duke inspektuar çdo shkollë për të vlerësuar dhe dhënë rekomandime. Qindra mësues dhe punonjës të arsimit do të takonte në këto inspektime, me të cilët krijonte marrëdhënie respekti që i tejkalonin ato të detyrës.

Shtëpia e tij do të ishte gjithnjë një vend mikpritës për mësuesit dhe gjithë punonjësit e arsimit, që vinin të konsultoheshin me të. Përveçse një mësues që punonte me pasion, ai ishte një bashkëbisedues i këndshëm, që rrëfente bukur. Dhe ai kishte ç’të rrëfente, sepse asnjë herë s’ishte bërë pjesë e turmës, por edhe atë kohë të varfër e pasuronte me pasionet e tij. Të rrije pranë tij ishte si të dilje jashtë kohës së çdo kohe dhe pabesueshmërisht ai ndikonte tek të tjerët duke u imponuar me besueshmërinë dhe drejtësinë në çdo rrethanë. Ishte aftësia logjike për të mbrojtur të drejtën që e ndihmoi të dilte fitimtar në shumë momente kur fija e flokut e ndante nga rreziku, por edhe kur përballej nga provokatorë të lloj-llojshëm. Ishte guximi i tij për të bërë atë që mendonte të drejtë, që shkaktonte distancim, ashtu si në vitin 1993, kur përballë flamurit grek ngriti flamurin shqiptar në dyqanin e tij, në kohën kur nuk vendosej në asnjë institucion publik dhe e ruante me polici private.

Ashtu si gjatë gjithë historisë së tij, kur drejtuesit e sulmonin dhe intrigonin kundër tij me ndihmën e pushtetit, sepse nuk iu servilos kurrë, po ashtu ndodhi dhe në nderimet e fundit. Një nga të paktët “Mësues të Popullit” që e meri- “Qëndrimet që ai kishte mbajtur nëpër mbledhje, bazuar në mendimin e tij profesional, u gjykuan në momente konfliktesh mes dy grupimeve si mbajtje ane duke e sulmuar në çdo mbledhje e duke e çuar çështjen deri në Kom. Partisë.”  toi këtë titull që në ngjallje, që duhet të ishte i evidentuar si pasuri njerëzore nga Ministria e Arsimit, nuk pati asnjë nderim institucional, as qendror, as lokal, asnjë kurorë, a së paku një tufë me lule në nderim të kontributit të tij të përkushtuar dhe të pangjashëm në arsim. Por nderimi më i madh për çdo mësues është vlerësimi i nxënësve dhe këtë kënaqësi Mësuesi Tajar Kokalari arriti ta marrë që kur ishte në jetë. Një prej tyre është Aleksandër Cipa dhe dua ta mbyll këtë shkrim me fjalët e tij:

“Unë kam pasur një rast njeriu, kur titulli Mësues i Popullit në një kohë ideologjike fitonte kuptimin e plotë. Në rastin e Mësuesit të Popullit Tajar Kokalari, ishte guri në qoshen e vet. Mësues Tajari ishte një zotni me thellësi dijesh, qëndrueshmëri karakteri, atdhedashës i klasit të parë të përhershëm, dhe me një botë që fshihej në atë prudentizmin e vet zotnues, racionalitetin logjik të ligjërimit dhe sidomos në fisnikërinë e përherëshme këshilluese”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat