Sevasti Qiriazi, një jetë për emancipimin shoqëror të gruas shqiptare! Patriotja që organizoi arsimimin e vajzave në gjuhën shqipe

Historia

Sevasti Qiriazi, një jetë për emancipimin shoqëror të gruas shqiptare! Patriotja që organizoi arsimimin e vajzave në gjuhën shqipe

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 10:22
Sevasti Qiriazi Dako

Më 24 shkurt të vitit 1871, lindi në Manastir, atdhetarja Sevasti Qiriazi Dako, e cila luajti një rol të madh në arsimimin e vajzave në gjuhën shqipe.

Në rininë e saj ajo mësoi disa gjuhë (greqisht, bullgarisht, vllahisht, turqisht, anglisht), por në shtëpi flisnin vetëm shqip. Sevastia dhe familja e saj ranë në kontakt të ngushtë me patriotët shqiptarë, si dhe me misionarët protestantë amerikanë, të cilët drejtonin një shkollë dhe kryenin shërbesa fetare pranë shtëpisë së tyre në Manastir. Sevastia u regjistrua në shkollën e amerikanëve dhe u diplomua me ekuivalentin e një diplome të shkollës së mesme, më korrik 1888. Sevastia ishte gruaja e parë shqiptare që ndoqi studimet e larta në auditorin e “Robert College” në Stamboll. Ishte Naim Frashëri ai që i dha mundësi Sevasti Qiriazit të studionte në kolegjin me emër “Robert Kolegj” në Stamboll e të luante një rol aktiv në arsimimin e grave. Ajo qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor 1891. Sevasti Qiriazi u bë gruaja e parë shqiptare që të përfundonte një arsim të lartë. Qëllimi i saj për të ndjekur kolegj ishte të përgatitej për të ndihmuar vëllain e saj Gjerasim të themelonte një shkollë për vajza në Shqipëri. Sevasti identifikoi ndikuesit e saj kryesorë në kolegj si: Clara Hamlin (drejtoresha e kolegjit dhe vajza e Cyrus Hamlinit), Florence Fensham, Mary Mills Patrick, Ida Prime, Caroline Borden dhe familja bullgare Grandinaroff. Gjerasim Qiriazi ftoi vëllezërit Frashëri (Abdyl Frashëri, Sami Frashëri dhe Naim Frashëri) për të marrë pjesë në diplomimin e Sevastisë.

Naim Frashëri e shfrytëzoi rolin e tij në qeverinë osmane për të regjistruar diplomën e saj dhe për të marrë një irade (dekret zyrtar) për hapjen e shkollës së parë shqipe për vajza në Korçë. Ndonëse e krishterë ortodokse nga lindja, Sevasti iu bashkua komunitetit protestant me vëllanë e saj Gjerasim. Në Korçë ajo drejtoi studime biblike dhe mbledhje lutjesh për gratë. Ajo ishte një “Bible Woman” (Grua e Biblës) dhe financohej prej Bordit të Misioneve të Gruas, degë e Bordit Amerikan të Komisionereve për Misione të Huaja (ABCFM) dhe prej Shoqërisë së Ndihmës së Misioneve në Tokat Biblike. Ajo e quajti veten një misionare kur udhëtonte për në SHBA për të vizituar Ellen Stone dhe John Henry House më 1904.

KTHIMI

Pas diplomimit në Stamboll, Sevasti u kthye në Manastir dhe më pas në Korçë, ku u bashkua me vëllain e saj Gjerasim dhe bashkëshorten e tij, Athina, për të themeluar e një shkolle në gjuhën shqipe për vajza. Sevasti ishte drejtoresha e shkollës. Shkolla funksiononte në kushte të vështira, duke përfshirë varfëri, paragjykime ndaj arsimimit të femrave, vështirësitë në gjetjen e librave, kundërshtime politik nga autoritete lokale osmane dhe kundërshtime politik dhe kishtare nga Kisha Ortodokse Greke. Pavarësisht nga këto rrethana të pafavorshme, shkolla mbajti një regjistrim mesatar vjetor prej 47 nxënësish gjatë viteve 1891-1913.

Shkolla priti vizitorë të huaj si Edith Durham më 1901 dhe Henry Brailsford më 1904. Me t’u kthyer në Shqipëri ajo mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më 1891. Kjo shkollë është edhe fillimi i një shkolle mbi bazën laike. Pas Luftës së Parë Botërore kjo shkollë njihej ende me emrin e familjes Qiriazi. Në vitin 1891, pas përfundimit të angazhimi akademik, u kthye në Shqipëri dhe dha ndihmesë domethënëse në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë. Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako e me të motrën Parashqevi ajo vajti në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen “Yll’ i mëngjesit”. Motrat Qiriazi ishin mësueset dhe edukatoret e para të shkollës së vashave që u hap më 1891 në Korçë.

Nga kjo shkollë dolën shumë emra të njohur të femrave të cilat kontribuan, jo vetëm në fushën e arsimit, por u bënë edhe luftëtare të njohura të çështjes kombëtare. Së bashku me motrën e saj, veprimtaren gjithaq të përkushtuar, Parashqevi Qiriazin, Sevastia edukoi në këtë shkollë brezat e parë të të rejave. Sevasti Qiriazi ka hartuar dhe redaktuar një sërë tekstesh shkollore bashkë me të shoqin, arsimtarin atdhetar Kristo Dako. Ka qenë pjesëmarrëse në të dy kongreset e rëndësishme që hodhën themelet e alfabetit dhe arsimit shqiptar, në Kongresin e Manastirit dhe atë të Elbasanit.

Në drejtim të çështjeve kombëtare, ka bashkëpunuar me kryeministrin e Pavarësisë, Ismail Qemalin, si edhe me grupet patriotike shqiptare që gjendeshin jashtë vendit. Në cilësinë e kryetares së Partisë Kombëtare Shqiptare në SHBA, trumbetoi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në ligjëratat e mbajtura në shumë forume ndërkombëtare. Përpjekjet e saj për zhvillimin e arsimit dhe emancipimin shoqëror të femrës shqiptare, vijuan edhe pas kthimit të saj në Shqipëri në vitin 1920, me hapjen e institutit femëror “Kyrias”. Shënimet e saj autobiografike, Sevasti Qiriazi i përmblodhi nën titullin “Lufta për emancipimin e bijave të shqipes”.

MËRGIMI

Në vitin 1914, për shkak të armiqësive me forcat greke në Korçë, Sevasti, i shoqi dhe dy fëmijët e tyre u detyruan të largoheshin nga Shqipëria, dhe Shkolla e Vajzave u mbyll. Ata kaluan gati 12 muaj duke jetuar në Bukuresht dhe Sofje përpara se të emigronin në Shtetet e Bashkuara në 1915 dhe të vendoseshin në Natick, Massachusetts dhe Southbridge, Massachusetts, ku ajo do të të ndihmonte bashkëshortin e saj në hapjen e shkollës së parë shqipe në Amerikë, në ambientet e YMCA. Ata u vendosën në Boston (Jamaica Plain), ku Sevasti ndihmoi motrën e saj në botimin e periodikut gjysmë-mujor Yll’i Mëngjezit/Morning Star (1917–1920), dhe ku ajo dhe burri i saj u përfshinë më shumë në Vatra dhe çështjen kombëtare shqiptare. Në fund të vitit 1921 Sevasti Qiriazi-Dako dhe fëmijët e saj u kthyen në Shqipëri, ku i shoqi ishte kthyer më parë, për të punuar me qeverinë shqiptare. Në kujtimet e saj, Sevasti i përshkroi kushtet në Shqipëri si “primitive” dhe pohoi se ishte e frymëzuar t’i kushtonte pjesën tjetër të jetës së saj për të ndihmuar në rindërtimin e kombit të saj.

Së bashku me bashkëshortin e saj Kristo Dako dhe motrën e saj Parashqevi, Sevastia themeloi një institucion të ri të edukimit femëror, në Tiranë. Shkolla financohej privatisht dhe konsiderohej një shkollë kombëtare, që përfaqësonte të gjitha rrethet, klasat dhe besimet fetare. Në vitin 1926 filloi ndërtimi i një objekti të ri në Kamzë. Objekti ishte funksional në vitin 1927, dhe ndërtimet u përfunduan më 1929. Mbreti Zog, motrat e të cilit (Princesha Myzejen Zogu dhe Princesha Maxhide Zogu) kishin marrë pjesë në Shkollën e Tiranës, vizitoi kampusin e ri. Shkolla shquhej për bibliotekën e saj, programin e atletikës, kulturën e arteve, sistemin e qeverisjes studentore dhe suksesin e të diplomuarve. Në vitin 1931, shkolla festoi 40-vjetorin e themelimit të saj, duke e vlerësuar veten si vazhdimësia e Shkollës së Vajzave të themeluar në Korçë në vitin 1891. Në ceremoni morën pjesë shumë personalitete të shquar, shqiptarë dhe të huaj. Në vitin 1933, me shtetëzimin e arsimit privat, Instituti Kyrias u detyrua të mbyllet, dhe nuk u rihap edhe pas kërkesave të vazhdueshme të motrave Qiriazi drejtuar qeverisë. Sevasti nuk pranoi të lejonte që ambientet e shkollës të jepeshin me qira për Kryqin e Kuq për punë humanitare, ose të përdoreshin për ndonjë gjë tjetër, përveç qëllimit fillestar për edukimin e grave.

PUSHTIMI

Pushtimi italian i Shqipërisë i vitit 1939 çoi në krijimin e protektoratit italian të Shqipërisë (1939–1943). Gjatë kësaj periudhe ndërroi jetë bashkëshorti i Sevastisë, Kristo Dako, dhe prona e shkollës u përdor nga ushtria italiane si depo armësh. Pushtimi gjerman i Shqipërisë i vuri Sevasti-Qiriazi Dakon dhe motrën e saj Parashqevinë në rrezik të mëtejshëm, sepse shtëpia e tyre dhe objektet e dikurshme shkollore u përdorën si depo armësh në një kohë konflikti të fortë midis forcave italiane, forcave shqiptare antifashiste dhe çlirimtare, dhe pushtuesve gjermanë. Në vitin 1943 gjermanët hapën zjarr në shkollë, duke vrarë shoqen e Sevastisë dhe të birin e saj. Sevasti dhe familja e saj u çuan në kampin e përqendrimit të Banjicës afër Beogradit nga njësitë pro-naziste të udhëhequra nga Xhaferr Deva.

Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit si dhe punoi në komisionin për shqyrtimin e teksteve shkollore të ngritur nga shoqëria “Përparimi”. Sevastia u mor edhe me përgatitjen e teksteve shkollore. Ka botuar një gramatikë për shkollat fillore dhe ka redaktuar një radhë tekstesh historie. Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Dako (1878-1941) e me të motrën Parashqevi ajo shkoi në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen “Yll’ i mëngjezit”. Ajo shkroi “Gramatika elementare për shkollat fillore”. Bashkëpunoi me atdhetarë dhe me Ismail Qemalin për çështjen kombëtare. Kur ishte kryetare e Partisë Kombëtare Shqiptare në SH.B.A., mbrojti të drejtat e shqiptarëve në shumë forume ndërkombëtare. Duke iu përkushtuar përparimit kombëtar dha ndihmesë në fushën e arsimit dhe emancipimit shoqëror të gruas shqiptare. Vdiq më 30 gusht të vitit 1949.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat