Dr Haki Mborja kryekomiti i lëvizjes së jugut të Shqipërisë në vitet 1909-1911 lindi më 10 mars të vitit 1881. Mësimet e para i mori në shkollën fillore në gjuhën turke në qytetin e Korçës. I ati Shemshedini me punën e tij të palodhur si arsimdashës e dërgon të birin Hakiun për të vazhduar studimet në shkollën e mesme dhe të lartë në “Robert Kolegj”- in, në kryeqytetin e Turqisë, Stamboll, ku diplomohet për mjekësi. Krahas studimeve ai u njoh dhe u lidh ngushtë me rrethet patriotike shqiptare të Stambollit dhe iu rrit ndjenja e atdhedashurisë për lirinë e atdheut. Pas mbarimit të studimeve, u emërua në Beledijen e Manastirit (Bashkinë) në vitin 1907. Në Manastir u lidh e bashkëpunoi me Bajo Topullin, Gjerasim Qiriazin etj., të cilët në këtë kohë kishin krijuar “Komitetin e Manastirit”, qëllimi i të cilit ishte krijimi i një kryengritjeje mbarëkombëtare për çlirim kombëtar.
Nga ky Komitet u projektuan çetat e para për të luftuar me armë në dorë për lirinë e Shqipërisë. Pas çetës së tij, e para që u organizua me dy bashkëkomandantë, një muhamedan dhe një ortodoks (Vangjel Gjika) u ngritën pastaj edhe ato të Çerçiz Topullit, Spiro Ballkamenit me Qamil Panaritin e u krijuan edhe çeta të tjera. Haki Mborja, së bashku me patriotin Vangjel Gjika, gjirokastrit (nga Zagoria), i ardhur nga Amerika, krijuan të parën çetë me tridhjetë vetë pa dallim feje më 16 qershor të vitit 1908, fill pas krijimit të “Komitetit të Korçës”, e cila vepronte në malet e Gramozit, në luginën e Devollit. Kurse më vonë, çeta e drejtuar prej tij dhe Vangjel Gjikës, aktiviteti i tyre, përveçse në fshatrat e Rrëzës së Korçës, në Starovë, në Gorë, në Mokër, në Bërzeshtë e në Shpat të Elbasanit, u shtrinë pastaj në Jug, deri në Delvinë, Gjirokastër e Janinë… Me ngritjen e “Shkollës Normale” të Elbasanit më 1909-n, pasi dhuron 50 lira floriri, merr përsipër vullnetarisht mjekimin e gjithë konviktorëve. Detyrë që e bëri po ashtu, falas, deri në fund të jetës, edhe për nxënësit e Liceut Francez të Korçës.
Sipas gazetës “Liri e Shqipërisë”, në numrin e 15 më 6 gusht të vitit 1911 që botohej në Sofje, Haki Mborja dhe Vangjel Gjika, pas luftimeve të përgjakshme në Orman Çiflik, paskan dërguar dy letra. Një hyqymetit dhe një bejlerëve ku thuhej: “Për ato që na bëtë dhe që humbëm 7 shokë, mos besoni se u trembëm e u dëshpëruam. Aspak, qëllimin që kemi do ta mbarojmë; paskëtaj këmbë ushtari dhe oficeri dhe tyrku s’kemi për të lënë në këmbë…” Në letrën tjetër i shkruanin bejlerëve: “Ju që dualltë tradhëtarë e shkeltë benë e këthyet fjalën, qënkeni të poshtër e kurdoherë do të ndiqni si armiqtë e tradhëtarët e mëmëdheut”…
Në tërë këtë veprimtari luftarake dhe atdhetare Dr. Haki Mborja u dallua si trim luftëtar, por edhe si një organizator çetash kryengritëse deri në shpalljen e Pavarësisë më 1912. Ishte Dr. Haki Mborja, i cili pajtoi patriotin Sali Butka me patriotin Themistokli Gërmenji për hir të çështjes kombëtare duke i thënë se: “Përpara Shqipërisë nuk ka as myslimanë dhe të krishterë”.
Kryengritjet
Jehona e veprimtarisë së tij patrotike mbërriti deri në Londër. Ndërkohë që kishin filluar kryengritjet kundër ushtrisë osmane në Veriun e Shqipërisë u zgjerua edhe më shumë aktiviteti i çetave të Jugut , për t’i hequr barrën vëllezërve të Veriut që udhëhiqeshin në atë kohë nga Dedë Gjoluli. Në një dokument të rrallë të arkivave serbe, Konsulli i Përgjithshëm i Mbretërisë së Serbisë në Selanik, i dërgon më 12 dhjetor 1911 shkresën me Nr. 5603 Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, “bëhet fjalë për lëvizjet e korrespondentit special të “Times” të Londrës, zotit Vuds, i cili nga Mali i Zi shkoi në Jug të Shqipërisë dhe u takua me udhëheqësit më me autoritet të Kryengritjes së Jugut të Shqipërisë në krye së të cilës qëndronte Dr. Haki Mborja, me të cilin ishin bashkuar edhe disa prijësa e të viseve të tjera.
Në të vihet në dukje se lëvizja ka karakter të theksuar kombëtar dhe së shpejti kjo lëvizje do të rritet e përhapet më shumë”. Më tej vazhdon (artikulli i botuar më 17 gusht të vitit 1911 “Times” Londër), se : “Kryengritja në Shqipërinë e Poshtëme është më serioze se sa u besua; që në krye ka Doktor Haki efendi, doktor municipal i Korçës, i cili ka zënë malet me 500 shpirt”.
Gjithashtu, sipas dokumentit të Konsullatës së Përgjithshme të Serbisë në Selanik, që ndiqte lëvizjet dhe takimet e korrespodentit të Times së Londrës në Ballkan, del figura e Dr. Haki Mborjes, si një atdhetar e diplomat i urtë, komandant i njërës prej çetave më të mëdha e të rëndësishme të Shqipërisë së Jugut. Në intervistën dhënë korrespondentit të “Times” së Londrës, në Shelcan të Shpatit të Elbasanit, z. Vuds në prill të 2011, mes të tjerash shkruan: “Njëri nga krerët më aktivë të krishterë Vangjel Gjika u lidh ngushtë me Dr. Hakiun. Çeta e tyre u shkaktoi humbje të thella ushtrisë osmane, sa që ato u detyruan të kërkonin paqe”. Po ashtu Konsulli i Serbisë në Selanik i raportonte qeverisë së tij se në Jug të Shqipërisë ka filluar kryengritja me në krye Haki beun, mjekun e Beledijes…
Ky dokument ka një rëndësi të madhe historike sepse është një burim primar që hedh dritë mbi situatën politike dhe lëvizjet kryengritëse shqiptare në vitin 1911. Aty marrim vesh se mes prijësve të shqiptarëve të Jugut, si dhe Dedë Gjolulit të Veriut, paska pasur një lidhje, së paku shpirtërore. Me koordinimin e luftimeve që bën në Jug të Shqipërisë kundër karvanëve të Turqisë, Dr. Haki Mborja i deklaron korrespondentit të “Times” së Londrës ndihmën konkrete që, duke tërhequr në angazhim forcat e armikut të përbashkët, synon të ndihmojë kryengritësit e Veriut.
Dokumentet
Bashkëpunimi Jug – Veri, dokumentohet për herë të parë nga gazeta më e madhe e kohës, “Times” e Londrës dhe jo në interpretime të mëvonshme të kujtimeve apo thënieve… Aktiviteti e këtij patrioti do të vazhdonte më tej, kur ai do të propozohej për deputet në zgjedhjet për parlamentin osman në zonën e Korçës. Në librin e Historisë së Shqipërisë, vëll. II, f. 326-327, Tiranë 1956, në të cilin shkruhet për fushatën e zgjedhjeve të vitit 1912 për në parlamentin xhonturk: “Ndonëse nuk u arit të paraqitej një listë e vetme për kandidatët shqiptarë, sepse nuk ekzistonte një parti kombëtare shqiptare, me thirrjen që u drejtonin patriotët zgjedhësve i ftonin të votonin për Ismail Qemalin, B.Topullin, I.M Starzimirin, I. Temon, H.Prishtinën, Haqif. P. Elbasanin, Dr. Haki Mborjen etj”. Në qeverinë e Vlorës, Ismail Qemali e emëron Dr. Haki Mborjen, Kryetar të Komitetit për Mbrojtjen e Shëndetit të popullatës Civile. Ndërkohë, për mbrojtjen e shëndetit të ushtarakëve, Kryetar emëroi Dr. Ali Mihalin. Tashmë Hakiu ishte në moshën 30-vjeçare.
Në Luftën Ballkanike, kohë kur ushtria greke ishte në luftë me ushtrinë turke, do të hynte në Korçë patrioti Orhan Pojani së bashku Dr. Haki Mborjen dhe i vajtën në zyrë komandantit turk, Xhavit Pashën, të cilit i thonë se: “Korça është Shqipëri dhe ne si shqiptarë do të ngremë në këtë qytet flamurin e Shqipërisë”. Xhavit Pasha iu përgjigj me inat: “Jazëk, dhe, po guxuat ta bëni një gjë të tillë, unë do t’i jap urdhër ushtrisë sime të plaçkitë Korçën…!” Pas Largimit të ushtrisë turke, Korça u pushtua nga ushtria greke. Dr. Haki Mborja, si gjithmonë mblodhi bashkëfshatarët e tij të armatosur dhe hyri në qytet dhe pastaj zuri shtigjet në Moravë, për të bllokuar andartët grekë që t’u vinin në ndihmë forcave të tjera greke në Korçë. Pas puçit grek të Korçës, ushtria greke me uniformat e andartëve, hyri nga ana e Kolonjës dhe nga data 17 deri më 26 prill të vitit 1914 u zhvilluan luftime të ashpra. Në këto luftime që u zhvilluan te vendi i quajtur “Guri i Capit”, mori pjesë edhe Haki Mborja me luftëtarët e tij dhe u dallua për guxim e trimëri. “Dr. Haki Mborja lufton në këmbë!”, do të shkruante Mihal Grameno në gazetën e tij për këto luftime…
Në fillim të vitit 1916 kthehet sërish në Korçë dhe zgjidhet delegat nga paria e qytetit për Shpalljen e Republikës Autonome të Qarkut të Korçës. Ishte anëtar i Këshillës Qeveritare dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Themistokli Gërmenjit. Lufta e Vlorës ishte një kushtrim për të gjithë patriotët shqiptarë, ndaj edhe kësaj thirrjeje iu përgjigj Dr. Haki Mborja, duke organizuar vullnetarët e popullit të Korçës që u dërguan në Vlorë. Si një intelektual që njihte mirë kulturën franceze ishte bashkëthemelues i “Liceut francez të Korçës”, në vitin 1922 ku u mësonte liceistëve falas (pa shpërblim), për një vit në klasat e para në lëndët e shkencave natyrore. Në historinë e librit turk Dr. Haki. Shemshedin. Mborja, ka hyrë si një shkencëtar me librin “Krimi dhe krimineli” dhe për dekada ky libër është rekomanduar në fakultetet juridike të Turqisë. Emri i mirë si mjeku që i kishte shkelur këmba në të gjitha fshatrat e Qarkut të Korçës, në mot të mirë edhe të keq dhe që i kryente vizitat falas popullsisë së varfër, madje kishte shumë raste që iu paguante edhe ilaçet…, ai do të përfaqësonte popullin e krahinës së Korçës në Parlamentin Shqiptar të vitit 1925. Në fillim Dr. Hakiu, si një republikan i thekur e mbështeti Ahmet Zogun, për të mirën e Shqipërisë, por kur ky i fundit në vitin 1928 ndryshoi formën e regjimit nga republikë në monarki, Hakiu i doli hapur kundra, dhe ishte ndër të parët që nuk i dha votën për t’u shpallur mbret e nuk shkeli më në parlamentin shqiptar.
Veprimtaria
Jeta e tij e pastër, vepra e tij e gjallë patriotike për lirinë e vendit e rendisin patriotin Haki Mborja si dëshmorin e parë të Republikës, siç shkruante shtypi i shqiptarëve në Gjenevë të Zvicrës në gazetën “Liria Kombëtare”, më 20 mars 1931 në të cilën thuhet: “Edhe Haki Mborja ka qenë një nacionalist… edhe ky ka luftuar kundra regjimit turk, ka marrë pjesë në gjithë organizatat e ilegale dhe ka dalë maleve me çetat e Korçës. Kur pa se Zogolli donte të proklamohej mbret, Hakiu që ish republikan i bindur refuzoi të vijë në Tiranë dhe hoqi dorë nga mandati i “asambleistit”. Zogolli vuri zagarët e tij që ta trembnin Hakinë dhe ta shtrëngojnë të vejë në Tiranë, po mundimi u vajti kot. Haki Mborja është i vetmi burrë që guxoi të kundërshtojë Zogollin kur ky i vuri deputetët ushtar ta proklamonin mbret”. Haki Mborja ky veteran, nga të parët e çështjes kombëtare, vuri në shërbim të kombit dijet e tij, shpirtin e tij, zemrën dhe shtëpinë e tij të cilën ia dogjën dy herë turqit dhe një herë grekët.
Atdhedashuria e tij për vendin ishte aq e thellë, sa edhe emrat e fëmijëve i vuri me kuptim shqiptar, si Mirdita, Ylli, Skënder, Drita, liri, Petrit dhe Shpresa, përveç Saliut djalit të madh që ish fëmija i parë dhe emrin ia vunë prindërit, sepse Hakiu ishte kryekomit në male. Dr. Haki Mborja vdiq krejt papritur i helmuar nga dora e spicerit (farmacistit), si në tragjeditë shekspirjane më 23 mars të vitit 1931, në moshë fare të re, sapo kish mbushur 50 vjeç. E farmakosi Zogolli, foli e gjithë Korça ato ditë. Po hakmarrja e mbretit nuk mjafoti me kaq, familjes së Hakiut nuk iu lidh pension. Humbja e të paharuarit veteran të luftrave kombëtare shkruhet në “Gazeta e Korçës” e cila merr pjesë në hidhërimin e popullit të Korçës. “Idealist dhe ndershëm doktori shquhej me urtësinë e tij midis të gjithëve. Që prej shumë vjetëve shërbente si mjek i bashkisë së Korçës. Vdekja e tij është një humbje e vërtetë për kombin, për të cilin Hakiu punoi kaq shumë”.