Përse ministri i jashtëm jugosllav e “mbrojti” Shqipërinë në Konferencën e Paqes?! Faktet dhe deduksionet e pa thëna.

Historia

Përse ministri i jashtëm jugosllav e “mbrojti” Shqipërinë në Konferencën e Paqes?! Faktet dhe deduksionet e pa thëna.

Nga: PROF. DR. ELMAS LECI Më: 28 shkurt 2025 Në ora: 15:00
Autori Prof. Dr. Elmas Leci, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes Tiranë

Kaldaris,Kryeministër i Greqisë: “Ky njeri (Spiro Moisiu) që sot drejton Shtatmadhorinë e Ushtrisë Shqiptare ka bërë reprezalje të përgjakshme deri në Kostur”.

Pijade, Ministër i Jashtëm i Jugosllavisë: “Grekët na kanë bërë propozimin (dhe nxorri dokumentin e firmosur nga Kaldaris), për ta ndarë Shqipërinë mes nesh si Jugosllavi dhe atyre si Greqi”.

Në Konferencën e Paqës në Paris, e cila i filloi punimet me 29 korrik të vitit 1946 delegacioni shqiptar mundi të shkoi atje “me vonesë” pasi në punimet e saj fillimisht Shqipëria nuk ishte ftuar fare. Arsyet e këtij trajtimi të Shqipërisë nga Konferenca e Paqes, në mënyrë bindëse nuk janë sqaruar as sot nga treshja e Koalicionit Antifashist. Delegacioni shqiptar që në fillim do të përballej me akuzat më të rënda që do të bëheshin nga Greqia, kundërshtari tradicional që nuk reshti së parakërkuari Epirin e Veriut. Ndonëse sipas referimeve u tha se Greqia u sulmua nga italianët nëpërmjet territorit shqiptar dhe Shqipëria në këtë rast ishte sjellë ndaj Greqisë, sipas tyre, si një vend agresor. Konkluzioni i grekëve ishte se mes Athinës dhe Tiranës, ekzistonte Ligji i Luftës dhe Shqipëria nuk mund të konsiderohej një vend aleat.

Më 20 gusht të vitit 1946, Enver Hoxha nga pozicioni i ministrit të Jashtëm (funksion që edhe e mbante krahas atij të Kryeministrit, ministrit të Mbrojtjes, Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë etj), rezultat i qëndrimit të ri të organizatorëve të Konferencës, me ftesën e tyre niset për në Konferencën e Paqes. Udhëtimi i Enver Hoxhës u bë me linjën ajrore nga Beogradi, ku e priste Tito, nga i cili do të merrte “udhëzimet” e fundit se “si duhej të sillej në Konferencë”. Siç thotë në kujtimet e tij Myftar Tare, në atë kohë zëvendës ministër i Brendshëm e Shef i Zbulimit të Jashtëm, në rastin konkret për Konferencën i mbuluar si Sekretar Personal i Enver Hoxhës, “ndalesën e parë Enver Hoxha dhe ekipi i tij e bëri në Beograd. Na mori nga Tirana avioni personal i Titos dhe pasi arritëm në Beograd, bëmë edhe një fluturim për në Bled, një zonë turistike në Slloveni, ku na priste vetë Tito. Në atë takim Tito shoqërohej nga Aleksandër Rankoviçi (asokohe zëvendëskryeministër) dhe Vukmanoviç Tempo (anëtari i Byrosë Politike, ish-misionar i Jugosllavisë në Shqipëri). Bisedimet zgjatën rreth dy orë. Më kujtohet se Tito fliste me pasion për Luftën e tij dhe mënyrën se si e kishte realizuar Jugosllavia fitoren mbi nazifashizmin. Natyrisht që u fol gjatë edhe për çështjen thelbësore që ishte mbledhur Konferenca e Paqes. Tito i mëshonte idesë së parashtrimit të kontributeve në Luftën kundër fashizmit dhe këmbëngulte te presioni që duhej të ushtronte Enver Hoxha në Konferencë, për të rihyrë në radhët e fituesve të luftës”.154)

Sipas dokumentacioneve e Proces Verbaleve Enver Hoxha qëndroi me Titon në Bled një natë. “Të nesërmen fluturuam për në Pragë, -tregonte Myftar Tare - ku kryeministri i Çekosllovakisë Gotvald, rezervoi një takim për Enver Hoxhën, nga ku u bisedua përsëri për punimet e Konferencës”.155) Megjithatë duhet theksuar fuqishëm se parapërgatitjet e Enver Hoxhës për në Konferencë, kryesisht u bënë nga Tito dhe po ashtu duhet theksuar se roli i Enver Hoxhës në Konferencë ishte vetëm i atyre gjërave që i tha Tito, dmth rol i tij ishte ai i “suflerit”, konkluzion që e ka dhënë në studimin e tij për Konferencën e Paqës edhe historiani i mirënjohur shqiptar Kristo Frashëri, i cili ka shkruar se “Enver Hoxha në Konferencë nuk pati asnjë rol”.156).

“Gjithsesi ne na u desh”, -ka treguar Myftar Tare ish pra zëvendës Ministër i Brendshëm i Shqipërisë në atë kohë, - të bënim përgatitjet tona157). Zyrtarisht në Konferencën e Paqes në Paris, nuk isha pjesë e delegacionit, por ndihmës i Enver Hoxhës Sekretar Personal i tij, së paku ky ishte statusi me të cilin u paraqita para organizatorëve të Konferencës, ndërsa në fakt kryeja detyrën e Shefit të Zbulimit të Jashtëm të Shqipërisë. Me sa dukej, funksioni e kërkonte të isha i pranishëm në këtë veprimtari të rëndësishme. Urdhrin për të qenë pjesë e delegacionit shqiptar për në Paris, mua ma komunikoi vetë Enver Hoxha në zyrën e tij në Tiranë. Unë aty mësova se me grupin tonë do të ishin edhe dy të tjerë, Vaskë Koleci, i cili në atë kohë ishte jo vetëm zëvendlësministër i Brendshëm por edhe Kryetar i Sigurimit të Brendshëm të Shtetit dhe Shefqet Musarai, që ishte gazetar i “Zërit të Popullit”. Pavarësisht funksioneve që mbanim ne të dy zëvendësministra të Ministrisë së Brendshme unë dhe Vaska, do të paraqiteshim si shoqërues të Enver Hoxhës, unë edhe si Sekretar Personal, ndërsa Shefqeti do të vazhdonte profesionin e vet të gazetarit.

Në këtë ndërmarrje në Paris, me rëndësi të madhe ishte siguria fizike e Enver Hoxhës, ku përveç nesh, sipas protokollit përkatës, ishin angazhuar edhe organet franceze të sigurisë, sepse ata mbulonin me truproje dhe eskorta të veçanta të gjithë krerët e delegacioneve. Sakaq një numër i madh specialësh shërbenin për sigurinë e sallës së Konferencës dhe të mjediseve të tjera ku punonim dhe pushonim. Përzgjedhja e kreut të Zbulimit dhe Kundërzbulimit të Shtetit tonë në përbërje të delegacionit shqiptar, kishte të bënte me shmangien e çdo kontakti me një kategori njerëzish emigrantë politikë e nacionalistë të shquar shqiptarë të përzënë me pushkë nga Shqipëria në Francë, të cilëve partizanët e Enver Hoxhës u kishin vënë pushkën dhe i kishin zbuar nga Shqipëria. Mes të përzënëve me pushkë nga Shqipëria bënin pjesë krerë të rëndësishëm, të gjithë kundërshtarë të regjimit etj. Funksioni im e i Vaskës (Kolecit) në Sigurimin e Shtetit, na kishte ofruar informacion të detajuar mbi profilin e tyre. Kishim arritur deri aty sa për pjesën më të madhe të posedonim edhe fotografitë e tyre. Psh çështja e Sadik Premtes, ndër to vlerësohej si më e rrezikshmja për Enver Hoxhën. Vetë Enveri ishte shumë i interesuar për të por edhe tepër i shqetësuar për lëvizjet e tij antentatoriale. Sipas tij, për aq kohë sa Premtja lëvizte i lirë në Paris, delegacioni ynë, vetë Enver Hoxha nuk ishte i sigurt.

Çështja e Sadik Premtes ishte sa delikate aq edhe e vështirë. Zgjidhja e saj neve na kushtoi orë të tëra bisedimesh me autoritetet e Sigurisë franceze. Falë bashkëpunimit me “të zotët e shtëpisë”, Sadik Premtja për “arsye zyrtare” ato ditë kur delegacioni ynë shkoi në Paris, u transferua në një provincë larg Parisit. Aty qëndroi disa javë. Ndryshe Enveri nuk mund të futej në sallën e Konferencës, nuk kishte asnjë siguri. “Konvalishencat” e Premtes edhe ndonëse larg Parisit, sakaq këqyreshin nga afër nga ekspertët tanë e francezë në terren. Prej tyre informoheshim orë e çast për lëvizjet e tij. Aq i shqetësuar e në frikë ishte Enver Hoxha sa vetë pyeste herë pas here se çfarë ndodhte me të?! Kjo situatë vazhdoi e tillë deri ditën e fundit.

Në seancën e 21 gushtit të viti 1946, ku Enver Hoxha mori pjesë në Konferencë në sallë ishte një situatë e ndezur. Deri në ato momente grekët përmes diskutimeve e denoncimeve e kishin kthyer çdo gjë në favor të tyre, duke konsumuar lloj-lloj akuzash në adresën shqiptare. Me argumentet e tyre të sajuara, greku tentonin ta fusnin Shqipërinë në anën e shteteve agresore, duke synuar aneksimin e Vorio-Epirit. Protagonist i këtij revanshi ishte bërë vetë Kryeministri i Greqsë, Kostandin Kaldaris.

Në krye të herës, ai kishte pohuar se në fillim të shekullit XX -të ka pasur një traktat të nënshkruar nga kryeministri grek Teotokis dhe ai shqiptar Ismail Qemali, që ia kalonte Vorio-Epirin Greqisë. Në vijim, Kaldaris artikuloi edhe një morí akuzash, sipas të cilave Shqipëria kishte bashkëpunuar hapur me fashizmin për pushtimin e Greqisë. Marrëzia e tij arrinte deri aty sa armatën e dëshmorëve të Shqipërisë, ai i quante vorioepirotë të vetëflijuar për bashkimin e atdheut të tyre.

Kostandin Kaldaris pati madje edhe akuza të drejtpërdrejta për personalitetet e larta të regjimit komunist shqiptar, madje edhe për bashkëpunëtorë të ngushtë të Enver Hoxhës. të cilët ai i penalizoi si bashkëpunëtorë të fashizmit. Kryeministri grek solli aty dy fakte për dy nga funksionarët më të lartë të Shqipërisë, njërin për Presidentin e vendit dhe tjetrin për Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. 

Kaldarisi shpalosi nga podiumi një faksimile të gazetës “Tomori” të vitit 1940, duke lexuar në të më zë të lartë një thirrje publike të Omer Nishanit (në vitin 1946 President i Shqipërisë), ku i bënte thirrje rinisë shqiptare për t’u futur në partinë fashiste. Pastaj vuri në vëmendjen e të pranishmëve faktin që ky njeri tashmë është Presidenti i Shqipërisë.

Sa mbaroi me këtë, Kaldaris nxori një tjetër “dokument” tek i cili pretendonte se ishte një urdhër i Komandantit të Batalionit “Tomori” (në vitin 1946 Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë) për të sulmuar territorin e Greqisë. Jo vetëm kaq por ky njeri që “sot drejton Shtatmadhorinë e Ushtrisë Shqiptare,- theksoi me forcë Kaldarisi, - ka bërë reprezalje të përgjakshme deri në Kostur.

Në përgjigje nga tribuna e Konferencës Enver Hoxha u përpoq që t’i kundërshtonte dhe i kundërshtoi denoncimet e Kryeministrit grek por siç thonë dokumentet dhe studiuesit e arkivave, ai ato i bëri pa shumë argumente por vetëm në mënyrë propagandistike, ndërsa nga ana tjetër duhet thënë se ai i denoncoi me të drejtë veprimet aktuale shoviniste të monarko-fashistëve grekë në territoret shqiptare. Fjalimi i Enver Hoxhës në Konferencë zgjati gati një orë. Fillimisht në të rrëzoheshin mirë pretendimet e palës greke, pastaj fokusimi i tij përfshinte rolin e Shqipërisë si pjesë e koalicionit antifashist, duke veçuar faktin që vendi ishte nga të rrallët në Evropë që u çlirua me forcat e veta. Interes ngjalli sidomos pjesa ku Enveri Hoxha denoncoi palën greke për cenimin e sovranitetit të Shqipërisë dhe gjenocidin e pashembullt ndaj komunitetit shqiptar të Çamërisë. Në fakt fjalimi i Enver Hoxhës e ndryshoi rrjedhën e debateve.

Fill pas tij e morën fjalën përfaqësuesit e vendeve të Bllokut Lindor, veçanërisht jugosllavi Pijade, që sipas porosisë së Titos solli në Konferencë argumente shkatërruese kundër grekëve”.157) “Jam këtu, -deklaroi Pijade, -t’ju bëj me dije se deri ku shkon agresiviteti grek ndaj shqiptarëve. Grekët ndjekin një politikë karakterizuese të monarkive ballkanike. Këto ditë - vijoi në diskutimin e tij Pijade, - grekët na kanë bërë propozime tepër interesante ku del hapur hegjemonizmi i tyre dhe nxorri dokumentin e firmosur nga Kaldaris, për ta ndarë Shqipërinë mes nesh si Jugosllavi dhe atyre si Greqi. Madje propozimi na është bërë drejtpërdrejt nga z. Caldaris (Kryeministri) - ishte deklarimi i Pidajesë (anëtar i byrosë politike të KQ të PKJ dhe ministër i jashtëm Jugosllavisë, njeri me origjinë çifute), - që i la të gjithë pa frymë”.158)

Përse e bëri Pijade-ja ministri i jashtëm jugosllav këtë punë dhe nuk e bëri ministri i jashtëm sovjetik, i një vendi të madh siç qe Bashkimi Sovjetik dhe me një autoritet të madh si fitues i Luftës së Dytë Botërore?!

Lidhur me këtë pyetje të natyrshme na vijnë në ndihmë jo vetëm dëshmitë e zëvendësministrit të brendshëm Myftar Tare por edhe deduksionet se “a vërtet jugosllavët e deshën Shqipërinë”?! Mund të thuhet se Enver Hoxha mbajti një “fjalim të mirë” në Konferencë sepse “udhëzimet” i kishte marrë nga Tito atë natë të 20 gushtit të vitit 1946 në Bled. Po përse e “bëri” Tito këtë, që Enver Hoxha të “shkëlqente” me këtë fjalim në Konferencë, sa më pas në Shqipëri iu këndua edhe një këngë: /Fol Enver të lumtë goja/?! Vërtet Tito e donte Shqipërinë si “fituese” të Luftës?!

Dokumentet dhe ngjarjet e mëvonëshme thonë të kundërtën. Në këtë rast, me Konferencën e Paqës, Tito kërkonte “njohjen dhe mbrojtjen” e Shqipërisë, pasi një Shqipëri e njohur dhe e mbrojtur me një akt ndërkombëtar siç do ishte vendi i Konferencës së Paqes, do ta bënte atë që kur Tito ta “gllabëronte”, të ishte e plotë si vend e si territor, ashtu siç doli nga 1913 -ta dhe jo pa pjesën e Jugut, që e pretendonin grekët.

Këto gjëra dalin sheshit nga dokumentacionet e pas Konferencës së Paqes në Paris, ku në një bisedë të gjerë me të dërguarin jugosllav në Tiranë Josif Gjergjia, Enver Hoxha i kishte deklaruar se “në Paris ishte takuar edhe me Molotovin (ministrin e jashtë sovjetik), i cili i kishte thënë se “mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë qëndronte Jugosllavia dhe me të, duhet që marrëdhëniet të ishin sa më të mira”.159)

Dhe për këtë takim me Enver Hoxhën, Josif Gjergjia në nëntor të vitit 1946 i shkruan një informacion të posaçëm Titos, duke i cilësuar atij se “Enver Hoxha është kthyer nga Parisi me mendime më të qarta, për atë se si duhet të jenë marrëdhëniet e ardhshme me Jugosllavinë”.160) Kjo lidhet edhe me atë që Molotovi i kishte thënë Enver Hoxhës në Konferencën e Paqës në Paris, “që politikën e jashtme të Shqipërisë e drejtonin jugosllavët”, gjë që del e qartë edhe nga propozimi i jugosllavëve që “Shqipëria të mos kishte përfaqësi diplomatike (ambasada) të vetat jashtë vendit, por të përfaqësohej prej përfaqësive të Jugosllavisë”. Këtë, vetë Enver Hoxha e pranon edhe në plenumin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë në prill të vitit 1946, ku për këtë çështje ai thotë se “jugosllavët na kanë propozuar që kudo ku ata kanë përfaqësi diplomatike, të kemi edhe ne një përfaqësues tonin pranë atyre përfaqësive, për t’i ndihmuar ato në kërkesat tona e për të bërë punën tonë. Ne e kemi pranuar këtë propozim të jugosllavëve”.161.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat